Shqip

Vizat, si u mashtruan aplikantët me punësimet ne Kanada dhe ne Australi

Vizat, si u mashtruan aplikantët me punësimet ne Kanada dhe ne Australi

Më në fund prokuroria ka nisur hetimet për rastin e mashtrimit të rëndë të disa qytetarëve, të cilëve iu premtoheshin viza pune e studimi në Kanada dhe në Australi. Ndërsa Lule Makashi bashkë me vajzën e saj kanë mundur të largohen vetëm pak ditë më parë në drejtim të Kanadasë, ndonëse ende nuk bëhet me dije destinacioni i tyre, Klevis Rreshka, djali nga Librazhdi, i cili ka blerë 100 përqind të aksioneve të mashtrimit është mbajtur në qeli dhe ka rrëfyer në lidhje me gjithçka ka ndodhur në nënshkrimin e kontratës mes tij dhe vajzës së të zonjës së “ANDELM”, Adeila.

Biznesmeni nga Librazhdi ka treguar se e ka blerë kompaninë e mashtrimit me anë të një kontrate dore, pasi ende nuk ka patur mundësinë ta regjistrojë në QKR, biznesin e tij, por që shuma që djali ka blerë aktivitetin 12 vjeçar është vetëm për 1 euro! Burimet nga prokuroria bëjnë me dije se pritet që në vlerësimin e masës së sigurisë të kërkohet burg pa afat dhe atëherë do të lëshohet edhe urdhër-arresti ndërkombëtar për Lule Makashin dhe të bijën.

Materiali hetimor

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra rezulton se: Në datë 25.04.2016 në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë paraqitur dhe kanë bërë kallëzim 26 shtetas, të cilët kanë shpjeguar se kanë aplikuar në vitin 2014, për punësim dhe studime pranë shoqërisë “ANDE–LM” me administratore shtetasen L. M. që ndodhet me seli në rrugën “Ismail Qemali”, Tiranë, që të pajiseshin me viza studimi apo punësimi në Kanada, Angli, Australi etj. Pas kontaktit që këta shtetas merrnin me shtetasen L. M. ajo ju premtonte se shumë shpejt do të pajiseshin me vizë dhe për këtë fakt të kryenin pagesat në bankë, për llogari të firmës “ANDE-LM”.

Personat që aplikonin, pasi dorëzonin dokumentet që kërkonte kjo shoqëri, ishin në pritje për të dalë viza, dhe shtetasja L. M. ka organizuar dhe takime të ndryshme në hotele të ndryshme me persona që janë prezantuar si avokatë kanadezë, duke shpjeguar dhe procedurat e marrjes së vizës së aplikantëve. Shtetasit që kanë aplikuar dhe kanë dorëzuar dokumentet për pajisjen me vizë, kanë paguar në llogari të shoqërisë “Ande-LM” shuma të konsiderueshme në lekë dhe valutë. Pasi kanë shkuar më 25.04.2016 pranë zyrave të kësaj shoqërie kanë mësuar se shtetasja L. M. së bashku me vajzën e saj ishin larguar jashtë shtetit, dhe se në administrim këtë shoqëri ia kishin lënë shtetasit K. Rr., i cili është prezantuar se e kishte blerë ai këtë shoqëri dhe do t’i ndiqte ai procedurat për aplikantët që kishin bërë aplikimin dhe për personat që do të aplikonin.

Deklarimi i “pronarit”

I është marrë deklarim shtetasit K. Rr, i cili ka sqaruar se ai ka njohje me A. M. vajza e shtetases L. M, që nga fundi i dhjetorit të vitit 2015. A.M. para një jave i ka thënë që nuk i kanë mirë punët në shoqërinë që drejtonte ajo së bashku me nënën e saj, shtetasen L.M., pasi nuk po menaxhojnë dot situatën pasi njerëzit që kishin aplikuar për viza pune dhe studimi donin lekët e paguara, dhe nuk kanë mundësi likuidimi. Për këtë fakt, ka biseduar me L.M, për problemet e shoqërisë “ANDELM” që ishte në vështirësi financiare dhe kanë nënshkruar një “kontratë dore” në të cilën është përshkruar se L.M. ia shet atij shoqërinë “ANDE-LM”, 100 përqind të kuotave të shoqërisë “ANDE-LM”, shpk së bashku me çdo të drejtë dhe detyrim që shoqëria ka ndaj çdo personi të tretë, shtetasit K.Rr. Çmimi i shitjes nga shitësi te blerësi është në shumën prej 1 euro, e cila paguhet nga blerësi në favor të shitësit në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate. Kjo kontratë është bërë në datën 24.04.2016, rreth orës 18.00, në ambientet e shoqërisë “ANDE-LM”. Është ushtruar kontroll në zyrat e shoqërisë “ANDE-LM” dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e madhe me dokumentacion aplikimesh dhe refuzimesh të përpiluara nga kjo zyrë si dhe kompjuterat që kanë shërbyer për aplikime apo për mbajtjen e të dhënave”.

Prokuroria: Dyshohet edhe për persona të tjerë

Janë një sërë materialesh që janë sekuestruar në zyrat e “ANDE-ML” të cilat iu përkasin gjasme dosjeve të personave që kanë aplikuar dhe madje edhe kanë paguar për të marrë viza pune dhe studimi për ne Kanada. Referuar të dhënave të grupit hetimor saktësohet se janë një mori kompjuterësh, llogarish bankare si dhe numra telefonash që implikojnë përveç se tre të akuzuarve aktualë edhe një sërë personash të tjerë të cilët kanë shërbyer si persona të tretë në gjetjen e ‘viktimave’, që më vonë janë bërë pjesë e lojës mashtruese të kompanisë. Ekspertët e hetimit të krimit ekonomik njëkohësisht po verifikojnë të gjithë aktivitetin e kësaj kompanie ndër vite, pasi ka dyshime të arsyeshme që mund të jetë abuzuar edhe në shumë raste të tjera, pasi kjo kompani ka dërguar në jo pak vende të botës qytetarë që kanë paguar për t’u larguar nga Shqipëria!

Në zyrat e “ANDE-LM”, të mashtruarit ikin pa përgjigje

Një ditë pas arrestimit të 25-vjeçarit Klevis Rreshka nga Policia e Tiranës, ka ardhur dhe denoncimi nga ana e qytetarëve që nuk kanë denoncuar në polici më përpara. I shumtë është numri i qytetarëve të mashtruar tek zyrat e “ANDE-LM”, të cilët kërkonin të merrnin informacion lidhur me ngjarjen, të shtyrë nga arrestimi i Rreshkës. Më përpara ato e konsideronin kompaninë si serioze, të shtyrë nga fakti që sillnin “ekspertë kanadezë” në Shqipëri dhe se bashkë me ta arrinin të mbanin edhe konferenca dhe takime, ku arrinin të sqaronin “parajsën” që i priste pasi të paguanin lekët.

Ata qëndronin dje pas dyerve të zyrave të kompanisë në pritje që dikush t’u japë një përgjigje në lidhje me procesin që ato kanë aplikuar. Arrogant dhe mospërfillës duket të ketë qenë reagimi i punonjësve të kompanisë që qëndronin në zyrë, të cilët përveç se nuk jepnin informacion mbi procesin e aplikimeve, por dhe i shmangeshin atyre nga pyetjet që kishin. Qytetarët që prisnin në rradhë pas dyerve, kanë aplikuar për vize pune tek kompania dhe i kanë ndjekur të gjitha procedurat që u janë kërkuar, por ju mungon vetëm më kryesorja, për atë kanë paguar lekët; viza e punës!

Punonjësit e kompanisë të cilët qëndronin në zyrë u thonë qytetareve që nuk është e drejta e tyre t’i japin dosjet, por të drejtohen në polici apo prokurori dhe t’i marrin nëpërmjet tyre. Nga ana tjetër qytetarët e mashtruar kërkojnë që të sqarohet çështja dhe t’i kthehen shumat e parave. Ato deklarojnë që kanë tentuar të bëjnë denoncim në polici, por nuk iu është marrë parasysh dhe kanë bërë denoncim tjetër, pasi është publikuar ngjarja. Por vazhdon akoma më tej këmbëngulja e kompanisë për të cilësuar veten si kompani “serioze”, duke u thënë qytetarëve: “Mos na prishni imazhin”!

Ndër qytetarët të cilët qëndrojnë pas dyerve të zyrave të kompanisë janë dhe një grup prej 5 vetash, të cilët kanë aplikuar për vizë në Kanada, në pozicionin shofer. Pasi ata kanë bërë gjitha aplikimet dhe kanë plotësuar dokumentacionin e duhur atyre u është thënë se në Kanada nuk mund të shkohet pasi dokumentet nuk janë të mjaftueshme. Atyre u është thënë që në vend të Kanadasë, me të njëjtat dokumente që kanë aplikuar, por duhet pritur viza e punës dhe formimi i grupit prej 14 vetash, mund të shkojnë në Danimarkë të punojnë për një kompani që ka filiale në vende të ndryshme të Evropës.

“Grupi i shoferëve”: Prisnim edhe 9 të tjerë të iknim në Danimarkë

Rrëfehet A.P, një prej personave që gjendej në grupin prej “5 shoferëve”, të cilët ishin mashtruar fillimisht me vizë për në Kanada, vizë pune, dhe më pas, ishte kthyer ideja e “shefes” për të shkuar në Danimarkë. A.P, tregon detajet e përballjes me kompaninë dhe humbjen e parave dhe të të gjithë dosjes që ai dhe shokët e tij kishin përgatitur për të shkuar në Danimarkë. Ata janë të bashkuar rastësisht me të njëjtin hall, ndërsa nuk njiheshin më parë. Qëndrojnë pas dyerve të kompanisë dhe tregojnë se si janë mashtruar prej më shumë se një viti

Si jeni përfshirë ju në mashtrimin e kompanisë “ANDE-LM”?

Ne kemi aplikuar tek kompania për vizë pune në Kanada. I kemi bërë të gjitha procedurat e nevojshme dhe na kanë thënë të presim për vizën e punës. Por kemi pritur sa kemi pritur dhe pasi kemi ardhur këtu herë pas here, na kanë thënë që Kanadaja nuk është më mundësi për të ikur, por në qoftë se doni për të njëjtin pozicion pune është mundësia dhe për në Danimarkë. Në Danimarkë do të punonim në një kompani e cila ka dhe degë në shtete të tjera evropiane: Norvegji, Francë etj.

Ju e pranuat punën që të iknit nga Kanadaja në Danimarkë?

Po e pranuam, pasi ne duam të ikim nga këtu, për këtë punë i kemi paguar lekët që të punojmë në një vend tjetër.

Sa keni paguar për të ikur në Kanada dhe a është e njëjta shumë ju është kërkuar për në një vend me të afërt siç është Danimarka?

Unë doja të ikja së bashku me familjen dhe kam paguar 18 500 dollarë. Por tarifat janë të ndryshme, sepse në qoftë se je beqar paguan më pak. Duhet të paguash 8 500 dollarë. Aty mund të jenë rreth 250 raste që janë në pritje siç jemi ne.

Kush është këtu tek kompania, çfarë ju thonë ato, keni kontaktuar me njeri?

Po aty janë punonjësit e kompanisë por ato nuk thonë asgjë.

Po çfarë kërkoni ju tek kompania?

Ne kërkojmë tek kompania te na kthehen lekët, dosjet tona dhe dosjet e atyre që kanë aplikuar në mënyrë që t’i njoftojmë sepse ne nuk i njohim dhe ato na thonë bëni denoncim në prokurori se për ndryshe nuk jua japim dhe mos na prishni imazhin.

Për çfarë pozicioni pune keni aplikuar ju?

Për të punuar shofer. Na kanë thënë që duhet të presim grupin të formohet. Grupin prej 14 vetash. Kaq është i përcaktuar sipas tyre.

Keni tentuar të bëni denoncim në polici më përpara?

Po kemi shkuar në Polici për të bërë denoncim por nuk na ka marrë njeri seriozisht. I kemi denoncuar pasi doli ngjarja dhe tani do shkojmë përsëri mos na japin ndonjë zgjidhje ato se zgjidhje tjetër kemi.

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top