Albanians.gr – Η σελίδα της Αλβανικής Κοινότητας Στην Ελλάδα

ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Venizelos sot në Tiranë

Zëvendëskryeministri i Greqisë, njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Evangelos Venizelos do të vizitojë sot Tiranën në kuadër të një turi vizitash në Ballkan, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

Kjo vizitë do të japë një shtysë më shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, teksa pas marrjes së presidencës së BE-së, Venizelos ka deklaruar se, “Athina do të promovojë dhënien e statusit të kandidatit në BE Shqipërisë brenda kohës së Presidencës helene”.

“Ka vende që mund të promovohen më shpejt, si Mali i Zi. Performanca e Shqipërisë gjithashtu është e kënaqshme dhe ne u shprehëm në favor të dhënies menjëherë tani, të statusit të vendit kandidat dhe do të shqyrtojmë këtë përsëri në qershor, gjatë presidencës greke”, është shprehur Venizelos në një prononcim për median të pak ditëve më parë.

Kreu i diplomacisë greke këto ditë zhvilloi takime edhe në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç, si edhe shefin e diplomacisë, Ivan Mërkiç.

Gjithashtu ai vizitoi Podgoricën, Sarajevën, Prishtinën ndërsa sot do të jetë në Shkup dhe më pas në Tiranë.

Greqia do të mbajë presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, para dorëzimit të presidencës së BE-së tek Italia më 1 korrik 2014. Kjo është hera e pestë që Greqia do të mbajë presidencën e BE-së që prej pranimit të saj në Komunitetin Europian në vitin 1981.

Promovimi i politikave dhe veprimeve për të luftuar papunësinë, promovimin e kohezionit ekonomik dhe social dhe reformat strukturore, si dhe adresimi i sfidave të jashtme, duke përfshirë zgjerimin e BE, përbëjnë kuadrin e prioriteteve të Presidencës greke.

 

burimi www.shqiptarja.com

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top