Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj kërkoi sot njohjen e pensioneve me Greqinë dhe Italinë, si dy vende ku ndodhen shumica e emigrantëve shqiptarë. Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ligjvënësja socialiste ngriti si shqetësim pensionet e tyre, të cilat aktualisht janë të pamundura për shqiptarët e Greqisë dhe Italisë.
Emigrantët në këtë dy vende kanë 25 vjet që kontribuojnë përmes taksave në ekonomitë e këtyre vendeve, tha Leskaj, por nuk përfitojnë pensione. Ndaj, deputetja kërkoi të merren në konsideratë dokumentacionet e duhura dhe konventat e vendeve të BE-së për t’iu garantuar emigrantëve shqiptarë të drejtën e pensionit atje ku punojnë dhe jetojnë.
Shqipëria dhe Italia janë dakorduar më herët për nënshkrimin e një marrëveshjeje për njohjen e pensioneve. Aktualisht, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinsië ka nisur bisedimet teknike me Italinë dhe shumë shpejt, pritet nënshkrimi i marrëveshjes.
Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, u diskutua edhe marrëveshja me Luksemburgun për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë në këtë vend.
Burimi www.shekulli.com.al
