ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Sa e ndjejnë emigrantët shqiptarë në Greqi krizën?

Kujtim Vani

Ashtu siç paralajmëronte gazeta Tribuna në mesin e muajit tetor 2008, emigrantët janë tashmë ndër viktimat e para të krizës globale financiare që ka përfshirë mbarë botën. Tregues i kësaj krize është edhe fakti se muajt e fundit kanë rënë në mënyrë të ndjeshme dërgesat e emigrantëve shqiptarë pranë familjeve të tyre në atdhe. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë muajve të fundit të 2008-ës, kur nisi të shfaqej edhe kriza ekonomike globale, këto dërgesa pësuan një rënie prej 128 milionë euro……
“Transfertat korrente neto u vlerësuan në rreth 830 milionë euro, nga të cilat rreth 800 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 16 për qind nga vlera prej 950 milionë eurosh e një viti më parë”, theksohet në deklaratën e publikuar nga Banka e Shqipërisë për “Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për vitin 2008”.

Tribuna, në çelje të rubrikës “Pyetja e Javës”, bisedoi me bashkatdhetarë që kanë bizneset e tyre këtu në Greqi, të cilët pranojnë se tashmë janë prekur nga kriza, ndonëse një pjesë mendojnë se kjo krizë është më tepër psikologjike, se sa ekonomike. Dhe këtu ndikojnë në masë të madhe mediat greke, që kanë mbjellë një frymë paniku në opinion. Frymë e cila nga ana e vet, influencon ndjeshëm në tregjet vendase.

Më të ndjeshëm ndaj frymës së pasigurisë janë bizneset e vogla, pronarët e të cilëve, duke parë se të ardhurat po bien në mënyrë të ndjeshme, po ndërmarrin shkurtime personeli, gjë që ndikon drejtpërdrejtë në gjendjen ekonomike – edhe kështu të dobët -, të familjeve të emigrantëve. Shumë domethënës është pohimi i emigrantes Adriana Kala, pronare e një dyqani pastrimi kimik se “Them të lind një fëmijë e t’ia ve emrin ‘Krizë’”… Por ka edhe firma të tjera, që mes kësaj krize, kanë punësuar më shumë emigrantë.

Pra, ka apo s’ka krizë ekonomike në Greqi dhe nëse ka, si po e përjetojnë atë emigrantët shqiptarë? Pyetja e kësaj jave ishte pikërisht kjo: “Sa e ndjejnë emigrantët shqiptarë në Greqi krizën?”.

Artan Leskaj Pronar, Restorant-Piceri

Kriza per mendimin tim është më shumë një krizë psikologjike, se sa ekonomike.

Kriza vjen si virus i forcave të mëdha ekonomike. Negative për sa i përket mendimit tim, janë edhe mediat me keqinterpretimin e krizës. Mendoj se ato ndikojnë shumë keq tek shtresat e thjeshta të popullësisë. Kjo është një luftë ekonomike, e cila na gjeti të pa përgatitur dhe si pasojë një rast tjetër përsëritje do ta përballonim më me lehtësi, se do të na gjente të parapërgatitur.

Unë personalisht të të them të drejtën nuk e kam ndjerë edhe aq shumë krizën. Një ndër arsyet është se unë klientelën time më të shumtën i kam komshinj dhe bashkatdhetarët e mij, të cilët organizojnë shumë gëzime familjare si dasma, fejesa, ditëlindje, pagëzime etj. Kështu që do s’do tjetri, ka krizë s’ka krizë, ai do martohet.

Deri në këto momente unë nuk kam shkurtuar asnjë punonjës nga puna, përkundrazi ndryshe nga të tjerët unë po marr punonjës të rinj në punë dhe mendoj ta rris numrin në të ardhmen.

Luan Miha, Menaxher i Supermarketit “Asia Market” Pire:

Ç’është e vërteta, krizën e kemi ndjerë çdo ditë e më shumë. Megjithëse jemi konkurentë kryesor në treg dhe produktet që ne tregtojmë na vijnë kryesisht nga vendet aziatike me një kosto të ulët, si dhe klientelën e kemi kryesisht efektiv të marinës detare dhe nga vendet të ndryshme, prapë kemi një rënie të theksuar të xhiros. Si pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë gjithë globin, ne kemi shkurtuar nga puna 20 % të punonjësve. Po ashtu po ti hedhim një sy xhiros në krahasim me atë përpara krizës kemi një rënie të përgjithshme në rreth 25%. Unë mendoj se kjo krizë që na prek ne emigrantëve shqiptarë që jetojmë këtu në Greqi, pa diskutim se ka një ndikim të madh ekonomik edhe në vendin tonë duke ditur se në Shqipëri hyjnë një shumë mjaft e konsiderueshme të ardhurash nga emigrantët. Urojmë që kjo krizë të zgjidhet sa më shpejt dhe me sa më pak dhimbje.

Adriana Kala, Pronare, Pastrim Kimik:

Krizën, pse t’i bëjme qejfin vetes, të gjithë e kemi ndjerë, kush më shumë e kush më pak.

E kemi ndjerë aq shumë sa them të lind një fëmijë e t’ia ve emrin “Krizë”! Më shumë do të thoja se e ndjejmë ne bisnesmenët e vegjël, se sa ata të mëdhejtë, që mendoj se janë edhe shkaktarët e kësaj krize.

Po të kisha mundësi do t’i kisha futur t’i laja këtu në lavatriçe e t’iu bëja një pastrim të gjithë atyre bosave të mëdhej që tallen me popullin.

Unë përveç se këtu tek puna ime, krizën e ndjej edhe në familje. Burri im është sipërmarrës në ndërtim dhe tani pothuajse është fare pa punë, ose edhe për ato punë që përfundojnë ngelin pa u paguar, për arsye se nuk i paguan tjetri, dhe kjo ndodh vetëm si rezultat i krizës.

Mua personalisht më acarojnë më shumë edhe lajmet që ndjek në media për krizën. Ato sikur na ushqejnë ndjenjën e frikës, akoma më shumë dhe trembemi për një krizë më të thellë dhe afat gjatë.

Edhe shoqet e mija që punojnë shumica në për shtëpira, thonë gjatë bisedave që kemi pasur se e kanë ndjerë shumë krizën dhe jo çdo ditë janë në punë.

Areti Komata, zv. “Presidente e Euro INTERLINES”:

Si gjithë të tjerët edhe ne e kemi ndjerë kolerën e krizës që ka përfshirë mbarë globin siç jemi në dijeni.

Kriza më shumë ndjehet nga ana psikologjike dhe më të pranishme e bënë media e cila ushtron një presion dhe më shumë e ndjejnë emigrantët për mendimin tim. Ne e ndjejmë dhe e prekim çdo ditë atë, bile vërejmë edhe se sa i ka prekur të tjerët. Shikojmë jo vetëm rënjen e numrit të emigrantve që lëvizin në drejtim të Shqipërisë, apo të pakove e deri tek lekët që dërgojnë tek të afërmit e tyre. Po shumë emigrant shkojnë deri aty sa kërkojnë uljen sa më shumë të biletës, kur dihet se çmimet i kemi shumë të leverdisshme dhe më të ulta se sa agjensitë greke që punojnë brenda Greqisë.

Gjet Nikolli, kryetar i LSHSHG, sipërmarrës në ndërtim:

Unë në radhë të parë si bisnesmen dhe së dyti si kryetar i Lidhjes të Shoqatave Shqiptare në Greqi, e ndjej të dyfishtë dhimbjen e krizës ekonomike që po i çorodit njerzimin. Unë si shumë të tjerë e kam ndjerë dhe e e jetoj krizën, bile duke qenë sipërmarrës, kam filluar të vej dorë në depozitat e grumbulluara gjatë gjithë këtyre viteve, vetëm e vetëm që të jemë korekt me punonjësit e mi. Nuk di sa do të zgjasi kjo punë, po në rast se do të vazhdoje me këtë ritëm, na rrofshin vitet që u dergjëm kot në Greqi. Mbarë emigrantët e kanë ndjerë dhe jetojnë çdo ditë e natë me ankthin e krizës. Pika e parë që diskutojnë në zyrë kur vijnë tek unë është problemi i krizës, pra ngelet një problem parësor për të gjithë.

Një emigrant më thoshte se më iku gruaja nga puna, m’u prenë 50% të të ardhurave. Kjo nuk është pak për një familje kur gjysma e familjes është pa punë. Shteti duhet të dalë publikisht dhe të informojë popullin dhe t’u largoje frikën dhe ankthin, në rastë se kjo krizë është e montuar për probleme politike që kanë mbërthyer botën.

Mentor Mena, Sipërmarrës:

Ashtu si shumë ndërmarrje të tjera edhe ne e kemi ndjerë shumë krizen. Nga 25 punonjës shumica specialistë që kemi pas në punë, sot nuk kemi asnjë. Kjo vjen për arsye se ne e kemi ndjerë krizën që në fillimin e saj. Kur është në krizë ai i madhi, detyrimisht që jemi edhe ne. Ne bëjmë punën po nuk marrim paratë nga pronari i madh, ai i objektit. Kështu që më mirë e kemi mbyllur punën fare dhe jemi në pritje të një zgjidhje të mundëshme që mund të bëhet. Kemi larguar nga puna vetëm si pasojë e krizës 25 punonjës.

Luan Speci, sipërmarrës në ndërtim

Ka më shumë se gjashtë muaj që kemi filluar ta ndjejmë efektin e krizës. Filluam të ndërpresim punët, për arsye se nuk kishim siguri tek shlyerja e pagesës nga pronari i objektit. Mos mbulimi i shpenzimeve është një tjetër arsye që na e nxjerr më të zbuluar efektin e krizës. Si rezultat i krizës jemi detyruar të largojmë nga puna rreth 40% të punonjësve. Lutemi të mbyllet sa më shpejt ky problem tepër shqetësues për të gjithë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top