ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Toponimet në pasaporta, apel i shoqatave të emigrantëve në Selanik

Shoqatat e emigrantëve shqiptarë

Shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Selanik shprehën sot shqetësimin për situatën, në të cilën janë përfshirë emigrantët shqiptarë dhe kryesisht fëmijët e tyre të lindur në Greqi për shkak të shkrimit të toponimeve në pasaportat e tyre.

 

Përfaqësues të shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza”, të asaj Shqiptaro-Greke të Punëtorëve “Progresi” dhe të grupit të Shkrimtarëve Emigrantë “Dega e Blertë”, dolën sot në një konferëncë shtypi, me qëllim që të përcjellin zërin e mijëra shqiptarëve të Selanikut, pranë autoriteteve zyrtare të Tiranës, që këto të fundit, të bëjnë një lëvizje për lehtësimin e problemit të shqiptarëve.

 

Një nga anëtaret e shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza”, Valbona Hystuna tha se shqetësimi kryesor i këtyre shoqatave është fakti që teksa dy palët, Tirana dhe Athina zyrtare, nuk zgjidhin ende problemet mes tyre, viktimë e këtyre mosmarrëveshjeve janë padrejtësisht fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ndërsa këta të fundit për 22 vjet me radhë jetojnë e punojnë në Greqi dhe njëherësh i shërbejnë edhe ekonomisë shqiptare me të ardhurat që dërgojnë në vendin e lindjes.

 

Një tjetër përfaqësuese e shoqatës “Nënë Tereza”, Iris Hajdinaj kujtoi ekzistencën e një Konvente ndërkombëtare, vendimet e së cilës kushtëzojnë shkrimin e njëjtë të toponimeve greke në çdo dokument zyrtar vendas apo të huaj.

 

Standartizimi i toponimeve greke nisi në konferencën e 5-të të UNGEGN-së (Kanada, 1987) dhe vendimi më i fundit daton më 2000 (New York) në seancën e 20-të të UNGEGN-së. Ky vendim kushtëzon shkrimin e njëjtë të toponimeve greke në çdo dokument zyrtar vendas apo të huaj. Pra, toponimet greke që në shqip shkruhen: Selanik, Korfuz, Kostur, etj. duhet të shkruhen relativisht: Thessaloniki, Kerkyra, Kastoria. Gjithashtu bazuar në vendimin e konferencës së 9 të UNGEGN (New York, 2007) për standartizimin e emrave të vendeve, në vend të emërtimit shqip, Greqi duhet përdorur ai anglisht, Greece.

 

Nënkryetari i shoqatës “Progresi”, Eduard Bemiraj shtoi se “edhe pse kanë kaluar kaq vjet që nga dita e vendimmarrjes, qeveria greke u kujtua sot që ka dhe diçka tjetër për të realizuar me shqiptarët tashmë banorë të këtij vendi, ndërkohë që në shumë dokumenta greke emërtime të tilla nuk e respektojnë këtë vendim. (në lejet e qëndrimit shkruhet Salonica). Nga ana tjetër qeveria shqiptare vazhdon kokëfortë në qëndrimin e saj për të mos e zbatuar vendimin me efekt ndërkombëtar, duke shpërfillur shtetasit shqiptarë, të cilët për 22 vjet me radhë i shërbejnë mëkëmbjes ekonomike shqiptare”.

 

Kryetari i shoqatës “Nënë Tereza”, Niko Thomaj theksoi faktin se “emigrantët shqiptarë janë shtetas evropianë, që iu takojnë të dy vendeve dhe qeveritë përkatëse janë të detyruara të përgjigjen për problemet që cënojnë të drejtat e tyre”. Përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Selanik kërkojnë nga autoritetet shqiptare dhe greke të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi.

 

Në konferencë ndodheshin edhe emigrantë shqiptarë, të cilët kanë provuar kthimet në kufi për shkak të shkrimit të toponimeve në pasaportat e fëmijëve të tyre.

 

Burimi www.ballkanweb.com

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top