Albanians.gr – Η σελίδα της Αλβανικής Κοινότητας Στην Ελλάδα

Shqip

Toleranca fetare, Shqipëria duartrokitet në Paris

Personalitetet më të larta dhe udhëheqësit botërorë iu bashkuan dje mbi .31 milion personave në “Marshimin e Unitetit” në Paris të Francës, në nder të viktimave që humbën jetën nga sulmi terrorist ndaj redaksisë të revistës satirike “Charlie Hebdo” e dy sulmeve të tjera terroriste që e pasuan. Pjesë e këtij marshimi ishte dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga ministrat Ditmir Bushati dhe Erjon Veliaj si edhe 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri. Ndërsa Kosova përfaqësohej nga presidentja Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi. Harmonia jonë fetare e përcjellë nëpërmjet krerëve të komunitetit mysliman, katolik, ortodoks dhe bektashi është duartrokitur nga të pranishmit në “Marshimin e Unitetit”.
Marshimi i Unitetit

Në orën 15:31, liderët botërorë nisën Marshimin e Unitetit në sheshin “Republika” në Paris, duke ecur në heshtje dhe të kapur krah për krahu me njëri-tjetrin, në shenjë bashkimi dhe solidarizimi. Në qendër ishte presidenti i Francës, Francois Hollande, pranë tij kancelarja gjermane, Angela Merkel e me radhë kryeministri italian Matteo Renzi, ai izraelit Benjamin Netanyahu e liderë të tjerë botërorë. Pjesë e këtij marshimi ishte dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga kreu i ekzekutivit, Edi Rama, ku bënin pjesë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj si dhe drejtuesit e 4 komuniteteve fetare të vendit tonë. Delegacioni shqiptar fillimisht zhvilloi homazhe para redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, objektivi kryesor i sulmit të rëndë terrorist, duke vendosur kurora me lule në nder të viktimave për të vijuar më tej në sheshin “Republika”. Katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare, të cilët kanë përcjellë më së miri harmoninë fetare të vendit tonë, ndërsa ecnin krah për krah me njëri-tjetrin janë duartrokitur dhe janë shoqëruar me brohoritjet “Bravo! Bravo”. Kryeministri Edi Rama në një koment për mediat shqiptare e konsideroi sulmin ndaj Francës si një sulm ndaj gjithë Evropës. Por për kreun e qeverisë shqiptare, Evropa nuk duhet të bjerë në kurthin e përçarjes që po synojnë pikërisht terroristët.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është goditur vetëm Parisi. Është goditur çdo vend që është i lidhur me vlerat që Franca përfaqëson, me vlerat e lirisë, të barazisë, të vëllazërimit që Franca ka mishëruar, në mënyrën e vet më të lavdishme. E nga ana tjetër, të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona”, – tha ai. Kryeministri u ndal te prania e 4 përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare, duke e konsideruar këtë si një mesazh të qartë për të mbajtur lart flamurin e vëllazërisë e harmonisë fetare. “Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë”, – tha ai. Rama shtoi se ky akt dhe kjo luftë dëshmon më së miri se përpjekja e armiqve të lirisë është një përpjekje që synon pikërisht përçarjen mes feve, ndërkohë që këta terroristë nuk kanë asnjë lidhje me fenë, nuk kanë asnjë lidhje me Profetin, nuk kanë asnjë lidhje me Zotin sepse nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe, që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër. I pyetur se sa imune është Shqipëria nga skenarë të tillë, kryeministri shqiptar tha se: “Askush nuk është dritëshkurtër, që të flasim për imunitet të një vendi apo të një vendi tjetër. Në momentin që është goditur njeri nga vendet e familjes evropiane, e botës demokratike ku ne bëjmë pjesë, jemi goditur dhe ne drejtpërdrejtë, jo simbolikisht, por realisht, sepse goditen ato vlera dhe ato themele, mbi të cilat ne kemi vendosur të ndërtojmë jetën dhe të ardhmen tonë”. Marshimi vijoi në heshtje, por nga turma dëgjoheshin herë pas here thirrje “Charlie” dhe “Liri” që u shoqëruan me duartrokitje të forta. Presidenti Hollande është ndalur gjatë duke folur me të mbijetuarit e masakrës në “Charlie Hebdo”, të cilët ishin në radhën e parë të marshimit, së bashku me familjarët e viktimave të redaksisë së revistës satirike dhe atyre të supermarketit në Port de Vincennes.

Hollande, takim me hebrejtë e Francës

Presidenti francez, Francois Hollande, ditën e marshimit të madh të unitetit në shenjë solidarizimi ndaj viktimave të terrorizmit, e ka nisur me një takim me përfaqësuesit e komunitetit hebraik francez. Në takim ka marrë pjesë edhe kryeministri Manuel Valls, si dhe ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve. Në “Elysee” kanë mbërritur, mes të tjerëve, edhe Rabini i madh i Francës, Haim Korsia, si dhe presidenti i Këshillit, që përfaqëson institucionet hebraike të Francës, Roger Cukierman. Menjëherë pas takimit, të zhvilluar me dyer të mbyllura, Cukierman ka deklaruar se “jemi në gjendje lufte”, duke ftuar të gjithë udhëheqësit botërorë të parashikojnë “masa të ashpra” kundër terrorizmit dhe bindjeve xhihadiste. Sipas “Le Figaro”, kreu i shtetit francez ka njoftuar gjatë takimit përforcimin e masave mbrojtëse ndaj vendeve të komunitetit hebraik në Francë. Ndërkohë, Izraeli ka ofruar mundësinë e varrosjes në Jeruzalem të viktimave të atentatit në supermarketin e Parisit. Lajmi është bërë i ditur nga burime ushtarake, sipas të cilave njëri prej të vrarëve, 21-vjeçari Yoav Hattab, do të varroset të martën në Jeruzalem. E ndërsa Marshimi i Unitetit është shoqëruar vetëm nga brohoritjet e të pranishmëve “Unë jam Çarli”, “Nuk kam frikë”, duke shmangur çdo fjalim të krerëve të vendit.

Rama: Islami është pjesë e Evropës demokratike

Kryeministri Edi Rama kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në Marshimin e Unitetit në Paris të Francës në nder të viktimave pas sulmeve terroriste. Gjatë qëndrimit në Paris ai ka dhënë një intervistë për “France 24” ku pohoi se islami është pjesë e Evropës demokratike dhe se tërheqja pas kësaj, nga projekti i madh evropian do ishte vetëvrasje për unionin. “Këtu, Islami është pjesë e jetës, dhe kur them këtu them në Evropën demokratike, në Evropën e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Pra me kë do ta bëjmë luftën? Kundër kujt, kundër vetes? Nëse shkojmë në këtë drejtim, do të bëjmë ekzaktësisht atë që terroristët duam që në të bëjmë. Në këto kushte natyrisht që duhet shumë më shumë koordinim në terma të sigurisë, në terma këshillimi dhe informacioni edhe gjithë komponentëve të tjerë. Por duhet një Evropë më e fortë, duhet më shumë Evropë, jo më pak Evropë”, – deklaroi ai. Rama shtoi se aludimi për t’u tërhequr nga projekti i madh evropian dhe mbyllja e kufirit tek shtëpia e secilit, është të vetëvritesh, është fundi, jo i Evropës, por është fundi i jetës së përbashkët në botën demokratike që ne njohim. “Dhe është e pabesueshme që pikërisht në Francë mund të kemi këtë burim kaq pjellor të ndarjes dhe urrejtjes, që mund të vrasë edhe njerëz. Në Francë, në vendin që është zgjedhur për një arsye shumë të qartë, sepse të sulmosh Francën, s’do të thotë të sulmosh një vend dosido, do të thotë të sulmosh vlerat që Franca mëshiron për ne. Në Francë mund të shkojmë kah urrejtjes dhe luftës, mbylljes dhe gjithë çfarë këto sjellin. Kjo do të thotë të tradhtosh shumëçka Evropa është sot. Është tradhti ndaj vetë historisë sonë”, – deklaroi Rama. Kryeministri i është përgjigjur gazetares së “France 24” edhe për simbolikën e 3 lapsave të vendosura në xhaketën e tij që para nisjes drejt Parisit. “Po, më erdhi e natyrshme t’i vija sot kur u nisëm. Kam lapsa gjithnjë mbi tavolinën time në zyrën kryeministrore se më pëlqen të jem kah arti, jo ekonomistësh dhe jo aq politikanësh. Dhe i mora këto lapsa për të treguar solidaritet, sepse po e përsëris që ne e ndjemë këtë sulm si sulm ndaj nesh si shqiptarë. Dhe në rrugë sot, në marshim isha shumë i emocionuar dhe nuk ndihesha në pozitat e një të huaji që i vjen keq kur sheh vuajtjet e të tjerëve, por ishte edhe një vuajtje e pastër imja. Është vuajtja e një Evrop që rrezikon të humbet, rrezikon të vdesë, është vuajtja e shpresës, ndaj duhet më shumë shpresë dhe jo më pak shpresë. Duhet më shumë tolerancë dhe jo më pak tolerancë”, – deklaroi ai.

www.shekulli.com.al

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top