Shqip

Tifozët më të mirë në botë

Ndeshja miqësore e Shqipërisë me Italinë do të kujtohet për disa gjëra. Në fillim do të kujtohet pse ishte e para ndeshje miqësore mes dy vendeve, e dyta pse kombëtarja jonë, megjithëse humbi, doli me kokën lart nga stadiumi dhe e treta për shkak të tifozëve. Vetë italianët thanë se tifozët tanë i dhanë një leksion qytetarie jo vetëm Italisë, por gjithë Europës. Shqiptarët që mbushën shkallët e stadiumit të Gjenovës atë natë e shndërruan stadiumin në një det entuziazmi dhe feste. Me flamuj, pankarta, me ngjyrosje të fytyrës dhe mbi të gjitha me portrete të pastra, të bukura dhe të shëndetshme, ata shqiptarë që ishin në shkallët e stadiumit të Gjenovës atë natë, i bënë shërbimin më të madh Shqipërisë, Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Në një botë të mbushur me urrejtje e racizëm, me përçmim e mospranim të tjetrit, me frikë dhe dyshim për atë që është i ndryshëm nga unë, shqiptarët u treguan të gjithëve se në një spektakël madhështor siç është futbolli, ndjenjat e solidaritetit dhe përfshirja, entuziazmi dhe pranimi i tjetrit janë vlera që duhen ruajtur dhe duhen çuar më tej. Popujt në Europë, por edhe më gjerë, në pjesën më të madhe, ballafaqimet etnike i bëjnë edhe përmes sportit. Futbolli, sidomos, është shndërruar në arenën më të dukshme të shfaqjes së vitalitetit. Sot kombet apo shtetet takohen dhe ballafaqohen jo më duke bërë stërvitje ushtarake siç ndodhte në periudhën e Luftës së Ftohtë, por duke u ballafaquar e duke garuar me anë të sportit apo kulturës. Kina apo Rusia, dy vende të mëdha me një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik, por me probleme të thella demokratike, bëjnë ç’është e mundur që ta përmirësojnë imazhin e tyre përmes sportit. Organizimi i Lojërave Olimpike nga Kina disa vjet më parë apo organizimi i veprimtarive ndërkombëtare futbollistike nga Rusia kanë në esencë këtë shqetësim, ngulmimin për t’u paraqitur në sytë e opinionit botëror si model zhvillimi dhe demokracie gjithashtu. I vetmi aktivitet që ta krijon këtë përparësi është sporti, sepse në një veprimtari sportive, sytë e opinionit publik janë të mbërthyer në një pikë. Në qoftë se do të analizojmë nga ky këndvështrim ndeshjen Serbi-Shqipëri, do të vërejmë se mjaftoi një ndeshje që gjithë bota të njohë problemet që ekzistojnë mes shqiptarëve dhe serbëve. Mjaftoi një ndeshje që bota të bindet se nacionalizmi serb dhe patriotizmi shqiptar janë ende dukuri që përcaktojnë thellë vetëdijen kombëtare të këtyre dy nacioneve. Ndërsa tifozët tanë, në ndeshjen me Italinë, i treguan së gjithë botës se shqiptarët janë një popull i qytetëruar. Është e paimagjinueshme për cilindo europian që tifozeria e skuadrës kundërshtare të këndojë dhe të duartrokasë himnin e skuadrës pritëse, të tjetrit. Nëse do të vërejmë historinë, ajo nuk na ndihmon në arsyetimin e këtij gjesti të madh. Shqiptarët që ishin në shkallët e stadiumit atë natë e sfiduan historiografinë shqiptare, sipas së cilës italianët paraqiten gjithmonë si pushtues. Në fakt, të tillë kanë qenë sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Italia është vendi më indiferent ndaj shqiptarëve. Gjatë viteve të diktaturës, i vetmi shtet që pothuajse nuk fliste kurrë për Shqipërinë ishte Italia. Shqiptarët, nga ana tjetër, shikonin te ky vend modelin e tyre të identifikimit. Televizioni, filmi, humori dhe vetironia janë shenja që shqiptarët jo vetëm i çmonin te fqinjët e tyre, por edhe kërkonin t’i bënin të vetat. Natyrisht të gjithë ne e çmojmë ndihmën e madhe që dhanë italianët në eksodin biblik të shqiptarëve në vitin 1990, por fill pas kësaj, mediat italiane sidomos, krijuan klishenë e kriminelit shqiptar. Në më shumë se një rast, për çdo krim që ndodhte në Itali, para disa vjetësh, menjëherë fajësoheshin shqiptarët. Mund të ketë edhe keqkuptime të tjera, por sot kjo nuk ka aspak rëndësi. Shqiptarët që ishin atë natë në shkallët e atij stadiumi, nuk ishin peng i asnjë prej këtyre paragjykimeve të së shkuarës. Ata, jo vetëm që e kënduan dhe e duartrokitën himnin italian, por gjatë gjithë kohës ruajtën dhe mbajtën ndezur një atmosferë paqeje dhe feste. Vetëm dy ditë më parë, ultrasit kroatë jo vetëm që fishkëllyen himnin italian, por u bënë shkak që për disa minuta ndeshja të ndërpritej. Ndërsa, po në këtë stadium, të gjithë e mbajmë mend se çfarë bënë tifozët serbë me Ivanin e tmerrshëm. Ndërsa shqiptarët që ishin në atë stadium u treguan të gjithëve se në këtë kohë të tmerrshme krize dhe mosbesimi, ata janë optimistë dhe shumë të kthjellët, se në këtë kohë urrejtjeje dhe përçmimi, ata janë paqësorë dhe solidarë, se në këtë kohë të mbushur me mjegull keqkuptimesh etnike dhe racore ata janë mendjehapur dhe shpirtmëdhenj. Ata shqiptarë që ishin në atë stadium, natyrisht nuk janë përfaqësues të një shteti të madh dhe të zhvilluar. Ata janë përfaqësues të një shteti të vogël dhe të një vendi që vuan nga shumë plagë dhe që europianët e konsiderojnë si një vend ndër më të varfrit e Europës, ata shqiptarë që ishin në atë stadium janë përfaqësues të një vendi që gjithmonë është paragjykuar si një vend mysliman, i prapambetur dhe me kontingjente kriminale. Ata shqiptarë që ishin në atë stadium meritojnë falënderimin më të madh nga të gjithë ne të tjerët, sepse ata, brenda një nate, bënë punën e dhjetëra viteve të ambasadave tona, të qeverive tona. Ata u shndërruan në ambasadorët më të fuqishëm të shqiptarëve dhe u treguan të gjithëve se shqiptarët janë një popull thellësisht europian që respekton tjetrin, që nuk ka asnjë kompleks për atë që është i ndryshëm nga etnia, raca apo feja. Një popull tolerant, iluminist dhe paqësor, një popull që ashtu siç tha edhe Papa Françesku në Tiranë, duhet t’i mësojë Europës dhe botës se harmonia fetare dhe respektimi i tjetrit mund të jenë një realitet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët u bënë kampionë të humanizmit se mbrojtën dhe nuk dorëzuan te nazistët hebrenjtë e shumtë, sot ata janë kampionët e qytetërimit sepse, për herë të parë, në një ndeshje futbolli, në një stadium tjetër, këndojnë bashkë me vendësit himnin e tyre. Ju jini tifozët më të mirë në botë. Ju, shqiptarë që punoni dhe copëtoheni në emigracion, meritoni më shumë nga ne që jetojmë në vendin tonë. Ju na treguat se si duhet ta duash atdheun. Faleminderit!

 

Burimi: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/23/tifozet-te-mire-ne-bote/

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top