ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Te rinj dhe te kalbezuar

 

Në opinionin publik shqiptar ka mbizotëruar vazhdimisht mendimi se ardhja e të rinjve ka për të qenë çelësi i kthesës së përmirësimit të veprimtarisë së elitës politike. Mirëpo, të qenit i ri nuk është garanci, por thjesht mundësi.

 

Në opinionin publik shqiptar ka mbizotëruar vazhdimisht mendimi se ardhja e të rinjve ka për të qenë çelësi i kthesës së përmirësimit të veprimtarisë së elitës politike. Mirëpo, të qenit i ri nuk është garanci, por thjesht mundësi.

Është mundësi që një i ri të mësojë prej gabimeve të më të vjetërve e të mos i përsërisë, mundësi që të ecë përpara pa qenë i shantazhuar prej veprimeve të pandershme apo të paligjshme, që mund t‘i jetë dashur të bëjë në të kaluarën. Kjo është një përparësi thelbësore, krahasuar me shumë politikanë të vjetër, të cilët, në një mënyrë apo tjetër, kanë njolla të së kaluarës, mbase edhe jo plotësisht për faj të tyre. Prandaj, publiku shpreson se duke mos qenë asnjëherë në pushtet, këta të rinj janë ende jo të korruptuar dhe se do t‘i rezistojnë tundimit.

Mirëpo, kohët e fundit është manifestuar një valë zhgënjimi përkundrejt performancës së politikanëve të rinj, që tregon se iluzioni i publikut shqiptar për rininë, si garanci, ka qenë i tepruar. Megjithatë, për një pakicë individësh, përfshirë edhe mua, kjo nuk përbën surprizë, por një dëshmi të mungesës së një sistemi meritokratik të karrierës brenda partive politike. Është pikërisht kjo mungesë që nxjerr në pah jo më të zotët dhe më të papërlyerit, por servilët e liderëve, ata që me zellin më të madh rendin të marrin bekimin dhe stafetën e shefave. Për ta parë të ilustruar se si rinia jo vetëm që nuk është garanci, por po rresht së qeni edhe mundësi në Shqipëri, do ishte me interes të shihet se ç‘aspirata karriere kanë vetë të rinjtë.

Në fakt, po t‘i hidhet një sy mënyrës se si kultivohet apo farkëtohet rinia jonë, me të vërtetë të kap pikëllimi. Duket qartë që rinia është duke ndjekur modele të shtrembra, shembuj të gabuar frymëzimi dhe devijanca të shndërruara në normë. Një demonstrim flagrant i ndjekjes së modeleve të gabuara të suksesit është edhe përzgjedhja e degëve universitare të studimit. Po të vërehet me vëmendje se cilat janë degët më të preferuara për të rinjtë shqiptarë për të studiuar, rezulton se janë Shkencat Politike, Jurisprudenca dhe Gazetaria, sepse në opinionin publik janë modeluar si protagonistë të lakmueshëm politikanët, juristët dhe gazetarët e fuqishëm e të pasur.

Për t‘i bërë një analizë domethënëse kësaj tendence do të hynte në punë libri ‘Freakonomics‘, një ndër më të suksesshmit e viteve të fundit në botë, shkruar nga Steven Levitt dhe Stephen Dubner. Në këtë libër flitet, mes të tjerave, me hollësi për financat e shpërndarësve të thjeshtë të drogës, të cilët ndryshe nga sa hamendësohet masivisht, në fakt nuk janë të pasur. Madje, të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta. Përllogaritjet e tij, Levitt i ka bërë duke përdorur hulumtimin në terren, kryer nga Vancatesh, një sociolog i të njëjtit universitet. Ky i fundit ia doli të fitonte besimin e të vëzhgonte nga afër veprimtarinë e një bande tipike që merrej me trafikun e drogës në Chicago, madje mundi të shtinte në dorë edhe librin e llogarive të kapos së bandës. Pagesat që secili shpërndarës merrte ishte qesharake, madje shumë prej shpërndarësve të thjeshtë jetonin akoma në të njëjtën shtëpi me prindërit, ose bënin një punë të dytë të ligjshme, pasi përndryshe nuk mbijetonin dot. Pjesën e luanit e shtinte në dorë kreu i bandës, i cili jetonte në shtëpi marramendëse, bënte jetë luksoze dhe kishte makina të bukura e femra të panumërta. Pjesa me të cilën paguheshin gjithë anëtarët e bandës ishte minimale dhe ishte vetëm një fraksion i totalit të të ardhurave që sigurohej nga banda. Sikur të mos mjaftonin të ardhurat e ulëta, normalisht ushtarët e bandave duhet të dekurajoheshin edhe prej rrezikut të madh me të cilin përballeshin gjatë aktivitetit. Sipas studimit, rezultonte se mesatarisht anëtarët e bandës ishin arrestuar 5.9 herë, ishin plagosur apo lënduar 2.4 herë dhe mesatarisht 1 në 4 vritej.

Ishte me të vërtetë për t‘u çuditur se përse gjithë ata anëtarë të bandës vazhdonin një aktivitet kriminal me kokën në rrezik, jo vetëm prej policisë, por edhe prej bandave rivale. I vetmi shpjegim është se këta individë nuk i mbante në këtë aktivitet rroga që merrnin si gangsterë të thjeshtë, por shpresa, lakmia dhe ambicia që ata vetë do të mund të bëheshin kryetarë të bandës dhe të siguronin të ardhura të mëdha, sikurse kreu i tyre aktual. Probabiliteti i një gangsteri për t‘u bërë kryegangster ishte jashtëzakonisht i ulët. Shpërblimi, nëse do të mund të avanconin në këtë lloj karriere, ishte me të vërtetë i lartë. Mirëpo edhe rreziku me të cilin përballeshin gjatë kësaj veprimtarie ishte akoma më i lartë. Pra, veprimi ishte irracional, i pallogaritur mirë, më shumë emocional dhe i motivuar nga grykësia e madhe dhe nga një model suksesi krejt pervers. Ky sistem i ngjan një lloj lotarie me premium të lartë dhe probabilitet të ulët fitimi.

Të kthehemi te domethënia për realitetin shqiptar. Pjesa dërrmuese e të rinjve duan të studiojnë në Juridik, me shpresën se do të shndërrohen në një të ardhme të afërme prokurorë apo gjykatës. Sepse, është evidente në shoqërinë tonë sa të fuqishëm e të pasur janë prokurorët dhe gjykatësit. Janë të panumërt studentët që futen për të studiuar në Juridik, mirëpo numri potencial i atyre që do punësohen në sistemin e drejtësisë është minimal. Po kështu, mbizotërimi i realitetit mediatik, ku gazetarë të veçantë duken qartë se zotërojnë shumë famë, pushtet e pasuri dhe janë aktorë vendimtarë në zhvillimet e vendit, ka bërë të lulëzojnë degët e gazetarisë, si në universitetet publike, edhe në ato private. Rekordin padyshim e mbajnë degët e shkencave politike, ku lukunia e të rinjve rendin me shpresën se do të bëhen politikanë drejtues. Përfolja apo akuzimi i ministrave të ndryshëm për afera me shumë miliona euro ka bërë që shumë të rinjve t‘u jetë ndezur zilia. Janë mijëra që fillojnë të studiojnë shkenca politike çdo vit, ndërkohë që Parlamenti ka vetëm 140 vende dhe qeveria vetëm 14 ministri. Kuptohet që shumica dërrmuese e atyre që do mbarojnë këto degë do të katandisen pa punë, apo do të merren me gjëra vulgare, shumë ndryshe nga fusha për të cilën shkuan në shkollë.

Duhet marrë në konsideratë edhe fakti që, një pjesë e mirë e studentëve vijnë me mangësi domethënëse prej arsimit parauniversitar dhe e kanë të vështirë të ndjekin degë të shkencave ekzakte, apo shkencave të aplikuara. Prandaj, edhe prirja e tyre drejt degëve shoqërore është e kushtëzuar nga fakti që këto degë japin njohuri me nivel bazik dhe e mundësojnë suksesin në shkollë për studentë që kanë boshllëqe në matematikë, fizikë apo biologji që nga shkolla e mesme. Megjithatë, motivi kryesor nuk është racional, por është ambicia dhe lakmia për të ecur në hapat e modeleve të protagonistëve të prodhuar nga shoqëria shqiptare. Është krijuar përshtypja që, në këtë vend je i realizuar vetëm nëse ndjek modelet dominues në shoqëri të kapobandës, që konkretisht në shoqërinë tonë janë një gjykatës apo prokuror i majmur, një gazetar i pushtetshëm, i lidhur mirë me kulisat e politikës dhe i famshëm njëherazi, si dhe ç‘është më e rëndësishme, një politikan i korruptuar me imunitet.

Përfolja apo akuzat e shumta, jo vetëm që nuk kanë çuar në masa kundër këtyre protagonistëve të kalbur, apo nuk ka çuar në revoltimin e shoqërisë ndaj tyre, por përkundrazi, e ka bërë sjelljen e tyre të pranueshme. Ka topitur ndjeshmërinë e publikut, duke e normuar pandershmërinë dhe ka arritur në nivelin që të mendohet se ky vend nuk bëhet që nuk bëhet, e kështu që gjithkush të mund të rrjepë sa më shumë prej tij kur t‘i jepet mundësia. Dhe ai që mund të rrjepë shumë është individi i suksesshëm që duhet imituar. Krejt ndryshe nga modeli i zhvillimit dhe i suksesit të Perëndimit, ku hamendësohet që paratë dhe suksesi bëhen gradualisht, me punë të ndershme, me mund e përpjekje, me këmbëngulje e përkushtim, me talent, iniciativë dhe kreativitet; nga shkollimi, të lexuarit, të nxënit dhe jo nga shtënia në dorë e diplomave dhe titujve të rremë e të pamerituar. Fakti që janë duke u shtuar valët e individëve që kanë siguruar diplomën shkollore, pa iu nënshtruar integritetit akademik në një degë për të cilën s‘kanë pasur vokacion, por që është zgjedhur si rruga më të mirë për t‘u bërë kapobandë, duhet të na vërë në kushtrim për të ardhmen. Rinia jonë, duke ndjekur modelet imorale të konsoliduara, ka shumë gjasa të mos jetë as garanci, as mundësi, as aset, por një barrë dhe kërcënim për të ardhmen e vendit.

Nga Adri Nurellari/gazeta “Shqip”

The Latest

To Top

Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Τα cookies επιτρέπουν μια σειρά από λειτουργίες οι οποίες μας βοηθούν να προσωποποιήσουμε το περιεχόμενο, να ρυθμίσουμε και να μετρήσουμε τις διαφημίσεις, και να παρέχουμε πιο ασφαλή εμπειρία στο Albanians.gr. Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Close