Shqip

Të mësosh shqip në Greqi VIDEO

Për Aurela Kondurin çdo fillim tetori është i veçantë. Ai çasti kur dhjetëra fëmijë emigrantësh shqiptarë të shoqëruar nga prindërit e tyre të mbledhur përsëri në një prej ambienteve të Universitetit “Aristotelis” të Selanikut, mezi presin të hyjnë brenda në klasë, është një nga çastet më të bukura për të dhe për kolegët e saj.

Aurela është një prej mësuesve që japin vullnetarisht mësimin e gjuhës pranë shkollës shqipe nën kujdesin e shoqatës “Nënë Tereza”, që për të 15 vit radhazi ka hapur dyert për këta fëmijë.

Pavarësisht se jeton 70 km larg Selanikut, ajo vjen çdo të diele për shumë vite rresht nga qyteti i Janitsase vetëm e vetëm nga pasioni dhe dashuria për të mësuar gjuhën amtare tek këta fëmijë. Po çfarë e shtyn të mohojë të dielat pranë familjes dhe ku e gjen mbështetjen?

Kënaqësia më e madhe për Aurelën, por edhe për të gjithë mësuesit e kësaj shkolle model për nga mënyra e funksionimit vullnetar, është kur dëgjojnë se fëmijët që kanë ndjekur këtu kurset e gjuhës shqipe, kur janë kthyer në Shqipëri nuk kanë pasur vështirësi të fillojnë menjëherë studimet në shkollat shqiptare, madje disa prej tyre kanë qenë të suksesshëm si në universitete shqiptare, ashtu edhe në ato jashtë saj.

Për Aurelën gjuha është identiteti i një kombi. Mësimi i saj për fëmijët e emigrantëve shqiptarë është një detyrë, një përgjegjësi, një obligim që fillon nga vetë prindërit e deri tek mësuesit.

Përveç mësimit të gjuhës dhe ruajtjes së traditës dhe identitetit, Aurela thekson se kjo përpjekje e gjithë stafit të kësaj shkolle dhe e vetë asaj ka për qëllim në të ardhmen integrimin e gjuhës shqipe në sistemin grek të arsimit.

Për një gjë, Aurela është më e sigurt se kurrë se do të jetë gjithnjë e përkushtuar në misionin e saj të mësimdhënies së gjuhës shqipe, pasi siç ajo thekson një mësues dhe aq më tepër ai i gjuhës mëmë, është ai që u hap derën e së ardhmes fëmijëve.

/ Top Channel

 

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top