Shqip

Shtyhet për në 10 nëntor vizita e Edi Ramës në Serbi

Shtyhet për në 10 nëntor takimi mes Kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij serb, Aleksander Vuçiç. Kjo është data e dakordësuar pas një telefonate që dy homologët patën pasditen e kësaj të diele.

Biseda telefonike mes Ramës dhe Vuçiç mësohet se ka zgjatur rreth 30 minuta, prej orës 16:00 deri në 16:30.

Top Channel ka mësuar se ajo është kërkuar nga Kryeministri serb përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar që kuptueshëm është Berlini, duke pasur parasysh se më herët ishte Kancelarja gjermane, Merkel ajo që telefonoi shefin e qeverisë në Serbi.

Në bisedën e parë të drejtpërdrejtë mes Vuçiç dhe Ramës pas ngjarjeve të dhunshme në Beograd dhe atyre që e pasuan, thuhet se mes dy homologëve është rënë dakord që incidentet që shoqëruan ndeshjen ishin tejet të padëshiruara.

Zyrat e të dy kryeministrave kanë nxjerrë një njoftim të përbashkët, si duket për të shmangur përcjelljen në publik të kundërshtive të forta gjatë bisedës, të cilat nuk i mohon as vetë deklarata zyrtare.

Njoftimi zyrtar i Kryeministrisë shton se mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Njoftimi vijon më tej me nënvizimin se dy kryeministrat janë marrë vesh që të vijojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.

Njoftimi përfundon me nënvizimin e dakordësisë së dy kryeministrave që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor.

Por si u mbërrit në këtë datë? Burime për Top Channel bëjnë me dije se ka qenë presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Beogradin që të mos ndërpritej vizita e Kryeministrit shqiptar në datën e planikuar. Por nga sa mësohet, Kryeministri serb ka kërkuar mirëkuptim, për shkak të atij që ai quan “presioni i brendshëm” nuk mund ta priste homologun shqiptar. Por ajo qe nuk mirëkuptoi Perëndimi ishte anulimi i ftesës së Vuçiç për Ramën, duke parë si rrugën e mesme shtyrjen disa ditë të saj.

Burime diplomatike i thanë Top Channel se shtyrja me një datë të përcaktuar dhe të afërt është dakordësuar paraprakisht me Kancelaren Merkel, e cila e ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi për një shtyrje pa afat nga pala serbe, e cila ka ngurruar deri në fund të shtrojë tapetin e kuq e të ngrejë flamurin kuqezi pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit.

Ajo që qartësisht kuptohet është fakti se Kryeministri serb Aleksander Vuçiç iu dorëzua atij që quan “presion i brendshëm” që në terma të tjerë në Serbi njihen si huliganizmi dhe nacionalizmi. Por ajo që nuk kuptohet është fakti se ishte vetë ai dhe zyrtarë të tjerë serbë që iu dhanë zë përmes deklarimeve të fundit. I gjendur në situatën që krijoi vetë, shefi i qeverisë së Beogradit pas një sërë telefonatash nga Uashingtoni e shtetet e rëndësishme europiane, kërkoi të telefonojë homologun shqiptar. / Top Channel

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top