ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Shtyhet afati i skadimit të pasaportave të fëmijëve, lëshuar në 2009-2010-ën

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, bëri të ditur se, pasaportat e lëshuara për fëmijët gjatë periudhës prill 2009-korrik 2010, do të jenë të vlefshme edhe për një vit, pavarësisht se ato tregojnë që afati i tyre ka skaduar.  Ai shtoi më tej se këto pasaporta janë të ligjshme, por që përmbajnë një afat të parregullt. Gjatë kësaj periudhe janë lëshuar rreth 150 mijë pasaporta, të cilat kanë afat vlefshmërie të pasaktë.

“Çështja tjetër e miratuar sot nga qeveria ka të bëjë me pasaportat. Me të marrë detyrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme konstatuam se në periudhën prill 2009-korrik 2010 janë prodhuar një numër i konsiderueshëm, mbi 150 mijë pasaporta, të cilat kanë afat vlefshmërie të pasaktë.

Më duhet të bëj një sqarim, janë pasaporta të vlefshme, por me afat vlefshmërie të pasaktë. Bëhet fjalë për pasaportat e fëmijëve, të cilat sipas ligjit duhet të pajisen me pasaporta 5 vjeçare për shkak të ndryshimeve mjaft të shpejta të karakteristikave fizike të fëmijëve, por që ndërkohë janë pajisur me pasaporta 10 vjeçare. Janë pasaporta të ligjshme për nga pikëpamja  e kritereve formale, por substancialisht janë pasaporta që përmbajnë një afat të parregullt, pra, të paligjshëm”, u shpreh Tahiri.

Ai tha se është ngritur një grup pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të bërë evidentimin e saktë të shtetasve që mbajnë këto pasaporta. Ai tha se, shtetasit që përdorim këto pasaporta do t’u sigurohet që të mos kenë probleme gjatë kalimet në kufi, pasi një pjesë e mirë e tyre arsimohen, punojnë apo jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Me urdhër të Kryeministrit u ngrit një grup pune, i cili e trajtoi këtë çështje në të gjitha aspektet, për të ardhur sot me propozimin e ndryshimeve, të cilat do të lejojnë zgjatjen e afatit me një vit për këto pasaporta. Një vit, i cili do të shërbejë për autoritet që të njoftohen qytetarët dhe të bëhet zëvendësimi i pasaportave, të cilat kanë afat të pavlefshëm, pra, kanë afat të paligjshëm”.

“Ne mendojmë se kjo masë, pavarësisht se duhej korrigjuar nga qeveria e kaluar që në momentin kur u konstatua dhe pavarësisht se duheshin marrë masa nga qeveria e kaluar, për të mos lejuar lëshimin e këtyre pasaportave, ne mendojmë që kjo qeveri ka marrë përgjegjësitë e saj dhe po ushtron përgjegjësitë e saj për t’i garantuar qytetarëve siguri mbi të gjitha, edhe lidhur me dokumentet e tyre të identitetit dhe për të mos i penguar të zhvillojnë cilësisht jetën e tyre, kudo qofshin”.

burimi www.shekulli.com.al

LEXONI LAJMIN NË GJUHËN GREKE

Παράταση της προθεσμίας στα διαβατήρια των παιδιών που έχουν εκδοθεί κατά την περίοδο 2009-2010

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top