Shqip

Shqiptarja e dhjetave, shembull për adoleshentët italianë

Amy Kokalari është një nga ato fëmijë, që çdo prind do të dëshironte të kishte. Në dëftesën e vitit të shkuar ajo i kishte të gjitha dhjeta, që nga lënda e parë ajo e gjuhës italiane, për të vazhduar me matematikën dhe për të përfunduar me vizatimin e fizkulturën. Të gjitha dhjeta, por po të kishte një vlerësim edhe më të lartë, ajo do ta arrinte. Kështu e ka mbyllur Amy ciklin tetëvjeçar të parë të arsimit të saj, por në bisedën që realizojmë me të e kuptojnë që vullneti për të shkëlqyer njëlloj si këto tetë vjet nuk i mungon. Ka përfunduar shkollën tetëvjeçare Stefanini në qytetin Treviso të Italisë me të gjitha dhjeta dhe kjo ka bërë që edhe gazetat e zonës ta nxirrnin në faqet e para në qershor të këtij viti. Amy Kokalari ka lindur në Treviso dhe është vajzë e vetme e Vesimit, një teknik-mekanik në profesion dhe Elvanës, gruas dhe bashkëshortes që është kujdesur gjatë gjithë këtyre vjetëve t’i japë Amy-t edukatën që ajo reflekton sa herë që e takon. Ashtu si shumë familje të tjera shqiptare edhe kjo familje u shpërngul në Itali gjatë vitit 1991. Fillimisht, ka mbërritur në Itali, Vesimi, babai i Amy-t e një vit më pas edhe Elvana, nëna. Mbiemri i kësaj familje me siguri do të thotë shumë për lexuesit tanë. Edhe për Amy-n kështu është. Ja, si e përshkruan ajo në një intervistë për “Trup dhe Shpirt”, peshën e mbiemrit dhe origjinën e saj shqiptare.

Vjen nga një familje që në Shqipëri është persekutuar. Ke një mbiemër me peshë. Sa e rëndësishme është për ty origjina?

Unë jam interesuar që të njoh origjinën time që kur kam qenë edhe më e vogël. Di shumë gjëra, thuajse të gjitha dhe duke mësuar më shumë për të, pra për origjinën time jam përpjekur çdo ditë që të bëhem e denjë për mbiemrin që unë mbaj.

A do të ktheheshe në Shqipërinë që nuk i vlerësoi të parët e tu?

Gjatë komunizmit në Shqipëri, familja e babait ka qenë e persekutuar. Shumë Kokalarë kanë përfunduar në burg, madje disa janë pushkatuar. E di se cila është historia e familjes sime, e mbiemrit tim, i njoh dhe rrënjët janë shumë të rëndësishme për mua. Por kjo nuk ndikon në vendimet për të ardhmen. Sepse të ardhmen nuk e shoh veten në ndonjë vend të përcaktuar. Ndihem qytetare e botës, por sigurisht Shqipëria mbetet në zemrën dhe mendjen time.

Ke shkëlqyer vitin e shkuar në shkollë. Mediet italiane të quajtën vajzën e dhjetave duke të kthyer kështu në një model, çfarë ti vërtet e meriton, por sa e vështirë është të jesh e shkëlqyer në shkollë?

Provimet i mbylla me 10 e lode (kjo është e reja e fundit që gazetat e tjera nuk e kanë shkruar). Për të shkëlqyer duhet një impenjim konstant dhe të jesh gjithmonë me këmbët në tokë. Duhet të kesh mbështetjen dhe besimin e familjes dhe profesorëve. Deri tani nuk ka qenë e vështirë.

Çfarë mesazhi u jepni të rinjve që sot harxhojnë shumë kohë përballë kompjuterit dhe televizionit?

Teknologjia bën pjesë në botën tonë aktuale, por duhet përdorur me kriter dhe vetëdije. Ajo ndihmon në sektorë të ndryshëm të jetës, por nuk duhet të zëvendësojë kënaqësinë e studimit, leximit, aktiviteteve fizike, miqësisë etj.

Pasioni juaj është muzika. Sa të përfshirë në muzike e sheh veten në të ardhmen?

Shpresoj dhe besoj që muzika do të më shoqëroj gjatë gjithë jetës dhe do të më ndriçojë dhe zbukurojë rrugën drejt së ardhmes, gjë që e ka bërë deri tani. Edhe pas dhjetë vjetësh e shoh veten shumë të impenjuar, me studime, me një bagazh më të zgjeruar dhe gati për eksperienca dhe sfida gjithmonë të reja.

Amy Kokalari ka lindur në Treviso. E mbaroi shkollën e mesme me të gjitha dhjetë e lart. Dhe më shumë se dhjetë nuk ka, por ajo u diplomua për tetë vitet e para të shkollimit me dhjetë e lart. Përveç librave, Amy ka pasion baletin klasik dhe këngën: e regjistruar në drejtimin muzikor të shkollës, studion për kitarë dhe është pjesë e korit dhe e instrumentistëve të orkestrës së shkollës. Prej disa vitesh është nxënëse edhe e korit profesionist të zërave të bardhë të Shoqatës muzikore Manzato. Në shtator Amy do të nisë liceun klasik Canova në drejtimin gjuhësor ku do të vazhdojë të mësojë gjuhët e huaja që i ka shumë pasion.

Burimi: Shekulli.com.al

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top