Shqip

Shqipëria përgatitet për pasojat e krizës greke

Shqipëria po përgatitet për rrezikun se trazirat e fqinjit të saj jugor, Greqisë, do të detyrojnë dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë emigrantë të kthehen në shtëpitë e tyre, duke ndërprerë dërgimin e të ardhurave për familjet,  të cilat jetojnë në kushte mjaft të vështira, në një nga shtetet më të varfra post-komuniste të Evropës Lindore.

Ministrat e qeverisë në Tiranë shprehin besimin se sistemi financiar në Shqipëri mund t’i shpëtojë stuhisë, edhe pse tri banka në Shqipëri janë nën pronësi greke dhe kontrollojnë pothuajse 16 për qind të të gjithë aseteve në sektorin bankar shqiptar.

Por shqetësimi për kthimin e mundshëm të emigrantëve tregon se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, e jo partnerët e Greqisë në eurozonë, mund të jenë të parat që do të përjetojnë efektet ekonomike dhe sociale të njëpasnjëshme të krizës në Athinë. Rreth 12 për qind e 3.2 milionë njerëzve në Shqipëri jetojnë nën kufirin e varfërisë prej 2 dollarësh në ditë, përcaktuar nga Banka Botërore.

“Punëtorët shqiptarë emigrantë kanë shkuar në Greqi që në fillim të viteve ‘90,” u shpreh Ditmir Bushati, ministër i jashtëm i Shqipërisë, gjatë një vizite me një grup gazetarësh të BE-së në Tiranë, të mërkurën. “Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në Itali, ka qenë mjaft i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Nëse flasim në terma ekonomikë, ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke.”

Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit kanë rënë nga € 952m në vitin 2007 në € 544m vitin e kaluar, por edhe kjo shifër më e ulët përfaqëson rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Rreth 180,000 emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë pesë viteve të fundit, si pasojë e intensifikimit të krizës së Greqisë, por disa qindra mijëra të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve mendohet të jenë atje në mënyrë të paligjshme, llogaritet të jenë ende atje – kryesisht në zonën e Athinës së Madhe dhe qytetin verior portual të Selanikut.

Rreziku tani është se një numër i madh emigrantësh, në qoftë se humbasin punën dhe kursimet e tyre në Greqi, do të kthehen në Shqipëri. Kjo gjë do të ndikonte në rritjen e papunësisë – që aktualisht shënon 14 për qind të fuqisë punëtore – në një afat të shkurtër, tendosjen e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe njëkohësisht do të paraqiste një sfidë të re: integrimin e fëmijëve të emigrantëve të arsimuar në gjuhën greke, në shkollat ​​dhe shoqërinë shqiptare.

Këto probleme janë cilësuar potencialisht më serioze për Shqipërinë se çdo rrezik tjetër i “infektimit” financiar nga Greqia. Zyrtarët shqiptarë të bankës qendrore thonë se tri bankat greke në Shqipëri kanë raporte të mjaftueshmërisë së kapitalit prej më shumë se 17 për qind, mbi minimumin prej 14 për qind të caktuar për ta.

Megjithatë, sipas Z. Bushati, kriza greke mund të ketë fatkeqësisht pasoja negative që do të pengonin përpjekjet e fundit shqiptaro-greke për të lehtësuar tensionet e tyre në një marrëdhënie të mbajtur peng nga mosmarrëveshjet territoriale, të pakicave etnike dhe çështje të tjera, disa prej të cilave e kanë fillesën në luftën e dytë botërore.

“Në kohë krize të thellë ekonomike dhe financiare, këto probleme janë shumë më të vështira për t’u trajtuar. Retorika nacionaliste hyn në lojë, dhe kjo nuk i shërben krijimit të një mjedisi të favorshëm për të trajtuar çështjet dypalëshe. ”

Nikos Kotzias, ministri i jashtëm i Greqisë, pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik, por mbetet për t’u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të reja për tejkalimin e një mosmarrëveshjeje lidhur me përvijimin e shelfit kontinental midis dy vendeve në Detin Jon. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë anulloi një marrëveshje territoriale të nënshkruar me Greqinë një vit më parë.

Një tjetër pikë e mosmarrëveshjes është se, sipas këndvështrimit të Tiranës, Shqipëria dhe Greqia, edhe pse të dyja anëtare të NATO-s, janë ende teknikisht në gjëndje lufte, sepse parlamenti grek ende nuk ka shfuqizuar një dekret lufte të miratuar kur forcat italiane me bazë në Shqipëri sulmuan Greqinë në vitin 1940. Sipas Shqipërisë , kjo e pengon minoritetin etnik shqiptar çam, të dëbuar nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore për shkak të akuzave për bashkëpunim me nazistët, të rimarrë pronat e konfiskuara.

BURIMI http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/intervista-shkrime/shqiperia-pergatitet-per-pasojat-e-krizes-greke

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top