Albanians.gr – Η σελίδα της Αλβανικής Κοινότητας Στην Ελλάδα

ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Shqipëria miraton Ligjin për të huajt: Ja përfitimet

TIRANE – Sot, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për të huajt”,

i cili garanton trajtimin e të huajve që hyjnë apo kërkojnë të hyjnë, qëndrojnë apo punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kritereve dhe normave të legjislacionit të BE-së.

Ligji “Për të huajt”, ka reflektuar sygjerimet e eksperteve të BE-së, përvojat më pozitive të legjislacionit dhe praktikave administrative të disa shteteve anëtare të BE-së, si Slloveni, Finlande, Norvegji, Rumani, por edhe të Kroacisë. Ndërkohë që ekspertiza e organizmave ndërkombëtare, si PAMECA dhe IOM, ndikuan mjaft pozitivisht në arritjen e përputhshmërisë me acquis communautaire.

Në fushën e punësimit të të huajve, ligji synon:
Aksesin në tregun e punës për shtetasit e BE-së për t’u punësuar pa aplikuar për leje pune dhe trajtimin e tyre sikurse dhe shtetasit shqiptarë, për sa i përket punësimit, kushteve të punësimit, shpërblimit, studimit, formimit profesional , organizimit në organizatat e punëtorëve.

Përmirësime lidhur me mbrojtjen sociale, për trajtimin e të huajve për të mos lejuar diskriminimin e tyre në trajtimin e të punësuarve, veçanërisht në disa kategori punësimi si: punëtorët tepër të kualifikuar të cilët konsiderohen si kategori e re punësimi për specialitete të munguara që mund të kryhen nga të huaj që do të konsiderohen si tepër të kualifikuar; punëtorët që ofrojnë shërbime kontraktore për disa specialitete të munguara; Futjen e kuotave për të huajt që do të punësohen çdo vit, në funksion të mbrojtjes së tregut shqiptar të punës.

Lehtësimin e procedurave lidhur me kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për pajisjen apo ripërtëritjen e lejeve të punës si: Pajisjen me certifikata regjistrimi të të huajve për disa kategori të veçanta që konsiderohen se duhet të përjashtohen nga detyrimi për pajisje me leje pune; Ndryshimin e formatit të lejeve të punës, duke formatuar vetëm një leje pune, ku ndryshimin do ta bëjë vetëm tipi i lejes së punës për kategori të ndryshme punësimi.

Përmirësime kryhen edhe në fushën e vizave pasi ligji harmonizohen llojet e vizave dhe procedurat e lëshimit, refuzimit apo anulimit të vizave sipas kodit të ri Shengen mbi vizat dhe procedurat e lëshimit të vizave në kufi, po sipas këtij Kodi.

Në fushën e lejeve të qëndrimit parashikon;
Ndryshimin e emërtimit të llojeve të lejeve të qëndrimit, parashikimin e lejeve të qëndrimit “karte blu”, për punonjës tepër te kualifikuar, përmirësimin e dispozitave për pajisjen me leje qëndrimi të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore, por dhe atyre të trafikimit në punë, për lëshimin e lejeve të qëndrimit për investitor, për lëshimin e lejeve të qëndrimit për punonjësit vullnetarë, shkëmbimet rinore, kërkuesit shkencorë, të trajnuarit pa pagesë, etj.

Përtej përmirësimeve në fushat e mësipërme, projektligji sjell edhe mjaft risi, sikundër:
Përcaktimin e të drejtat e të miturve në një nën të posaçëm, për vetë karakterin e tyre sensitiv.

Përafrimin e plotë të kritereve për hyrjen dhe qëndrimin në Republikën e Shqipërisë, me ato të Kodit Shengen, si dhe përcakton saktë kriteret për kategori të veçanta, sikundër marinarët, pilotët apo punonjësit e hekurudhave.

Në dokumentet e udhëtimit për të huajt është njohur për herë të parë dhe pasaporta e grupit, kjo sipas standardeve të BE-së.

Për herë të parë projekt ligji përcakton qartë se kush do të konsiderohet hyrje e paligjshme në territor dhe se kur i huaji konsiderohet se ka dalë nga territori i Shqipërisë, duke specifikuar dhe rastet kur i huaji nuk do të lejohet të dalë nga territori i Shqipërisë.

Dispozita mbi refuzimin e hyrjes është përafruar tërësisht me standardet e BE-së,
Garanton për shtetasit e BE-së apo vende të tjera, që në një moment të caktuar, pa patur nevojë për ndërhyrje në ligj, por bazuar në reciprocitet të shprehur në marrëveshje, apo në mënyre të njëanshme të shprehur me vendim të Këshillit të Ministrave, të garantohen mundësi qëndrimi për shtetasit e këtyre vendeve të barabarta me shtetasit shqiptarë, pra pa kushtëzimin 90 ditë për 180 ditë.

Përcakton në mënyrë të detajuar llojet e lejeve të qëndrimit, ku për herë të parë parashikohen leje qëndrimi për punëtorët tepër të kualifikuar, si dhe njohja e lejeve të qëndrimit të tilla të vendeve të tjera, në bazë të marrëveshjeve të mundshme.

Po për herë të parë përcaktohen lejet e qëndrimit për punonjësit vullnetarë, shkëmbimet rinore, kërkuesit shkencorë, etj.
Dispozitat mbi lejet e qëndrimit për bashkim familjar në ligj parashikojnë mundësinë e bashkimit familjar dhe për të huajt që bashkëjetojnë, si dhe i jep mundësinë çdo të huaji i cili është regjistruar si rezident në Shqipëri, të kërkoje bashkimin familjar.

Dispozitat mbi leje e qëndrimit për viktimat e trafikut janë përafruar tërësisht me ato të legjislacionit të BE-s.

Ligji parashikon dispozita të qarta mbi lejet e qëndrimit autonome, si dhe përcaktime ligjore mbi martesat fiktive, të cilat më pas shpien në anulimin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për motiv të bashkimit familjar, duke mos e lenë këtë në vlerësim të mundshëm subjektiv të punonjësve të policisë.

Përcakton qartë detyrimin e Ministrisë se Brendshme, si institucioni që grumbullon pjesën me të madhe të informacionit dhe të dhënave për të huajt, që çdo vit, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, të përgatisë Profilet e zgjeruara vjetore mbi migracionin, profile të cilat miratohen me VKM.

Por mbi të gjitha, ligji “Për të huajt” është tashmë, në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së. Për herë të parë, ligji “Për të Huajt” “shlyen” një detyrim të vjetër ndaj shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Neni 147 i ligjit ka një dispozitë për qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilët zbatohet një regjim më i favorshëm, se për shtetas të tjerë. Qytetarët amerikanë qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë të paktën 1 vit pa leje qëndrimi, si dhe leja fillestare e qëndrimit për këtë kategori mund të lëshohet për një periudhë deri në 5 vjet. Gjithashtu, parashikohet se Shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzojnë të drejta të barabarta me shtetasit shqiptarë në fushën e punësimit.

Për herë parë, pas gati 90 vitesh, shprehet edhe ligjërisht vlerësimi për Qeveritë e Shteteve të Bashkuara ndër vite, të cilat, që në fillimet e viteve 1920 e më pas, i kanë trajtuar shqiptarët që kanë emigruar në SHBA, me status më të favorizuar, se qytetarët e mjaft vendeve të tjera.

*Të dhënat u bënë të dituara nga Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat nga zëdhënësi Leonard Olli

www.shqiptarja.com

 

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top