Shqip

Shqipëria i premton emigrantëve votë në distancë në të ardhmen

parlamenti shqiptar

Ndryshimet në kodin zgjedhor të vendit të miratuara të enjten si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë mes palëve politike parashikojnë të drejtën e qytetarëve që jetojnë në emigrim të votojnë në zgjedhjet parlamentare pa pasur nevojë të udhëtojnë për në Shqipëri. Por procedurat që do të mundësojnë këtë do të përcaktohen më vonë.

 

Shqipëria ka në plan t’i ofrojë qytetarëve “që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë” Shqipërisë mundësinë për të votuar në distancë pa pasur nevojë që të kthehen në atdhe por mënyra se si do të funksionojë ky votim dhe mënyra se si do të llogaritet rezultati i këtij votimi në rezultatin e përgjithshëm zgjedhor pritet të përcaktohet më vonë nga një institucion i ri i quajtur Rregullatori, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga parlamenti.

Parlamenti miratoi Reformën Zgjedhore të enjten me 100 vota pro dhe 6 kundër, në atë që konsiderohet si një hap i madh për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Komisionit Europian dhe Shqipërisë si dhe për të rikthyer partitë kryesore të opozitës në politikën institucionale të vendit.

Ndryshimet ishin miratuar fillimisht më 5 qershor nga një këshill politik ku merrnin pjesë palët kryesore politike të vendit.

“KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë,” shkruhet në ligjin e miratuar.

“Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin,” shkruhet më tej në ligj.

Rregullatori është një institucion i ri që do të zgjidhet nga parlamenti me tri të pestat e të gjithë anëtarëve, me gjasa shtatorin e ardhshëm, i cili do të duhet të përcaktojë mënyrat se si do të funksionojë votimi në distancë i emigrantëve, por edhe mënyra se si do të numërohet e llogaritet kjo votë në rezultatin e përgjithshëm.

Ligji përcakton gjithashtu që e drejta e votës për emigrantët nuk do të jetë automatike, siç është për banorët brenda Shqipërisë, por ajo duhet të kërkohet. Sipas ligjit, votuesit do të duhet të kenë regjistruar në regjistrin civil adresën e tyre të zakonshme të banimit në vendin ku jetojnë si dhe të kërkojnë nga KQZ fletën e votimit në vendin ku jetojnë.

Ligji parashikon gjithashtu se kjo votë do të mund të hidhet me postë ose me votim elektronik në rast se votimi elektronik do të funksionojë.

Shqipëria pritet të votojë në zgjedhjet parlamentare mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit 2021. Ligji ngarkon KQZ-në që, pas miratimit nga rregullatori, të vendosë për hapjen e votimeve nga emigrantët ndërsa pas vendimit të parë, në zgjedhjet vijuese votimi i emigrantëve do të jetë përfshirë automatikisht në sistem.

Shqiptarët që banojnë jashtë vendit deri më sot kanë pasur mundësi të votojnë vetëm duke u kthyer në atdhe. Partitë e ndryshme politike kanë organizuar në zgjedhjet e shkuara rikthim të emigrantëve, zakonisht nga Greqia, për të hedhur votën në zonat e tyre të zakonshme të banimit.

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top