ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Shqipëri-Greqi, bashkëpunim mes universiteteve të Tiranës dhe Selanikut

Me temë kryesore bashkëpunimin tashmë në nivel akademik dhe kërkimor si dhe zgjerimin e perspektivave të frymës bilaterale midis Greqisë dhe Shqipërisë, në kuadrin e presidencës greke që mbështet integrimin e Tiranës në familjen europiane është zhvilluar në Selanik Simpoziumi Shkencor Midis Universitetit të Tiranës dhe atij Aristotelis të Selanikut.

Tepër interesante kanë qenë diskutimet e rektoreve të dy institucioneve akademikë si dhe ato të dekanit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, profesor Shezai Rrokaj, atij të Fakultetit të Shkencave Natyrore, profesor Mynyr Koni dhe të  Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, profesor Sulo Haderi që së bashku me kolegët e tyre grekë janë përqendruar në tre boshte kryesore ekonomia, civilizimidhe edukimi e ambienti.

“Na intereson shumë që të zgjerohet bashkëpunimi midis dy universiteteve për të mirën e tyre në radhë të parë, për të mirën e përgjithshme të shkencës dhe dijes, por edhe për të miren e dy popujve tanë”, deklaroi Janis Milopoulos, Rektor i Univesitetit Aristotelis.

“Mua me vjen mirë që ka filluar një bashkëpunim serioz, realist midis nesh. I mbarë ishte ai i gjuhës shqipe, njëkohësisht dhe në të gjitha fushat e tjera me Universitetin e Selanikut, në marrëdhëniet bilaterale, por dhe në ato që ofrojnë projektet europiane, tempus, erassmus, mundus. Kemi mundësi dhe konkretizuam piketat e bashkëpunimit për mobilitet stafi dhe studentësh”, vlerësoi në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Simpoziumi është mbështetur nga Konsullata Shqiptare e cila ka qenë edhe nismëtare në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të dy institucioneve, që ka filluar me mësimdhënien për herë të parë të gjuhës shqipe në Universitetin Aristotelis.

“Në realitetin gjithnjë e më dinamik të marrëdhënieve ndëruniversitare, dhe këtu kam parasysh Universitetin Aristoteli, i cili rënditet në 200 universitetet më të mira të botës, ka marrëveshje edhe me shumë universitete në Shqipëri. Pra ne si përfaqësi diplomatike këtu në Selanik e konsiderojmë mision dhe sfidë vazhdimin e këtij bashkëpunimi shumë frytdhënës edhe me veprimtari të tjera shkencore të cilat u japin përgjigje pyetjeve gjithmonë e më tepër komplekse të realitetit të sotëm”, deklaroi Riza Poda, Konsull i Përgjithshëm në Selanik.

Të pranishëm kanë qenë edhe Rektori i Universitetit të Athinës, Theodosis Pelegrini, zv.rektorja e Universitetit Fan Noli të Korçës Benita Stavre dhe kancelari Ilir Sosoli, pedagoge, studente dhe të ftuar të tjerë.

Mesazhi më i thellë dhe i rëndësishem i këtij aktiviteti ka qenë se historia na mëson që ilaçi shërues i bashkëjetesës së të gjitha qytetërimeve ka vetëm një trinom: dialog-edukim-integrim.

“Një rol të rëndësishëm në bashkëjetesën e popujve zë edukimi sepse aty përgatiten brezat e rinj të cilët duhet ta shikojnë të ardhmen jo me sytë e së shkuarës, por duhet ta shikojnë atë me syrin e bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë dhe të përfitimit të ndërsjelltë të gjuhëve, të kulturave, bashkëpunimeve ekonomike etj”, tha në fjalën e tij Shezai Rrokaj, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Në simpozium janë hedhur mendime se si mund të pastrohen tekstet shkollore të historisë nga deformimet e  ngjarjeve  dhe  të  realiteteve  të  ndërsjellta,  nga  shtrembërimet historike dhe  paragjykimet  për fqinjët, projekte që duhet të inkurajohen politikisht dhe financiarisht nga qeveritë e dy vendeve.

Gjithashtu janë nxjerrë konkluzione se si duhet të kryhen disa prej reformave në arsim në Shqipëri nisur nga eksperiencat europiane, është kërkuar rritja e programeve kërkimore shkencore si dhe është folur për përballimin  e nxënësve bilingualë, të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që janë gati 7 % e nxënësve në Greqi, të atyre minoritare si dhe të gjithë atyre që kthehen në Shqipëri.

Simpoziumi i ardhshëm i stafeve akademikë do të zhvillohet në muajin qershor në Tiranë.

burimi http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=277072

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top