Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, reagoi përmes një deklarate për mediat lidhur me aksionin për bllokimin e furgonëve, apo siç njihen ndryshe automjeteve taksi (8+1).
Sipas ministrisë, qeveria synon që të rrisë standardet e sigurisë rrugore për qytetarët. Nisur nga numri i madh i aksidenteve, qeveria ka vendosur që t’i japë fund mjeteve të transportit të palicencuara dhe që drejtohet nga drejtues të pacertifikuar.
Në thelbin e vet nisma e qeverisë para së gjithave, mbron qytetaret, jetën dhe xhepin e tyre nga abuzuesit, mbron përdoruesit e ligjshëm e të licencuar të mjeteve, investimet e kujtdo që punon në këtë sektor me dokumentacion të rregullt, si edhe lirinë e të drejtën e zhvillimit të sektorit përmes konkurrencës së ndershme e të garantuar për çdo investim në këtë fushë që jep siguri, sjell inovacion, garanton progres”, shkruan deklarata.
Një ditë më parë ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, deklaroi se do të ndalohej transporti i pasagjerëve me anë të mjeteve 8+1.
Shoferët e mjeteve 8+1 në Shkodër kanë bërë të ditur se, që në mëngjes policia rrugore i ka ndaluar që të qarkullojnë në drejtim të Lezhës, Laçit dhe Tiranës apo nga Tirana në drejtim të qyteteve të ndryshme.
Ndërsa dje ministrit i Transporteve, Haxhinasto, pasojat e mosrespektimit të ligjit nga furgonët kanë qenë të mëdha. Në asnjë vend të botës furgonët nuk shërbejnë si mjet transporti publik dhe për këtë sipas tij, për përballimin e fluksit të qarkullimit ndërqytetës do të përdoren autobusët. Për të mos renduar qytetaret lëvizja e autobusëve do të jetë me tabela me orare që dihen të respektohen nga të gjithë.
burimi www.shekulli.com.al
