ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Robert Goro shfleton Ditarin e vet nga koha e “Fshesës” së parë të madhe në Greqi

Faqe trishtimi, por edhe krenarie…

Këto ditë, kur aktualiteti grek është dominuar nga “beteja” e re e qeverisë kundër emigracionit klandestin dhe është paralajmëruar rifillimi i operacioneve “Fshesa”, shumëkujt prej emigrantëve shqiptarë, të ardhur në Greqi në fillim të viteve 1990-të, i vijnë ndërmend momentet – besoj ende të pashylera – kur ishin vetë të përndjekur nga policia greke, dhe kur vajtja e kthimi nga puna kërkonte me të vërtetë trimëri.

Faqe trishtimi, por edhe krenarie…

Këto ditë, kur aktualiteti grek është dominuar nga “beteja” e re e qeverisë kundër emigracionit klandestin dhe është paralajmëruar rifillimi i operacioneve “Fshesa”, shumëkujt prej emigrantëve shqiptarë, të ardhur në Greqi në fillim të viteve 1990-të, i vijnë ndërmend momentet – besoj ende të pashylera – kur ishin vetë të përndjekur nga policia greke, dhe kur vajtja e kthimi nga puna kërkonte me të vërtetë trimëri.

Në bllokun tim janë shënuar me dhjetra histori nga ato operacione, që zgjatën deri në fund të dekadës së shkuar. Ndërsa në kujtesën time xhirojnë, sa herë kaloj nga sheshi Omonia, pamje të trishtuara me shqiptarë të prangosur e të përbuzur, për të vetmin faj që kishin bërë: shpresën për një jetë më të mirë në Greqi.

Sot, kur kanë kaluar gati dy dhjetëvjeçarë nga ato ngjarje, lejohem të sjell në vëmendje të lexuesit disa shënime dhe kronika, nga periudha e parë e fillimit të punës sime si korrespondent i BBC në Athinë, që përkoi edhe me acarimin e parë të madh të marrëdhënieve midis Greqisë e Shqipërisë, acarim që e paguan rreth 100 mijë emigrantë shqiptarë që u dëbuan nga Greqia si hakmarrje ndaj dëbimit të një prifti grek, të akuzuar për veprimtari antishqiptare.

Këto shënime dhe publikimi i tyre, që do të bëhet me disa vijime, nuk kanë assesi për qëllim “zgjimin” e përjetimeve të hidhura dhe as ngjalljen e ndjenjave negative ndaj vendasve dhe vendit ku jetojmë. Unë dëshiroj që ato të jenë një histori e shkurtër e emigracionit shqiptar në Greqi, që sigurisht, krahas faqeve të trishtuara, me subjekt “fshesën” e diskriminimin, ka në rrugën e tij edhe plot faqe të tjera që na bëjnë të ndihemi krenarë…

R. Goro

22 qershor 1993

Në periudhën janar 1992 – maj 1993, nga Greqia janë riatdhesuar 343 mijë shtetas shqiptarë. Organet e policisë greke i kanë ulur paksa ritmet e operacioneve “Fshesa”, pasi vetëm për vitin e kaluar kostoja e kapjes dhe riatdhesimit të emigrantëve ishte më tepër se 2 miliardë dhrahmi. Në raportin që hartuan specialistët e ministrisë së rendit publik të Greqisë, thuhet gjithashtu se për të njëjtën periudhë, u ndaluan dhe u dënuan për trafik klandestinësh, 553 persona, nga të cilët, 2 italianë, 58 shqiptarë dhe 493 grekë. Gjithashtu, u sekuestruan 146 furgona, 134 taksi, 107 autovetura, madje dhe 3 traktorë, pronarët e të cilëve trafikonin klandestinë, kundrejt shumave që i korrespondejnë pagës vjetore të një shtetasi shqiptar.

25 qershor 1993

Në kohën që marrëdhëniet greko-shqiptare po shënonin një progres të qëndrueshëm, – çka e konstatonte para dy ditësh edhe presidenti shqiptar Sali Berisha, kur i deklaronte korrespondenti të Agjencisë zyrtare Greke të Lajmeve, ANA që, “jam optimist se këto marrëdhënie do të përparojnë e përmirësohen më tej”-, Athina sot pasdite vendosi të anullojë vizitat e gjithë delegacioneve zyrtare greke në Tiranë, që ishin programuar të bëheshin gjatë ditëve të ardhshme.

Shkak për vendim u bënë incidentet e zhvilluara në qytetin shqiptar Gjirokastër, ku sipas palës greke, përfaqësues të forcave të rendit, shkuan në banesën e arkimandritit Krisostomos Maidonis, shtetas greke, dhe e njoftuan se duhej të largohej për në Greqi, pasi i kishte përfunduar afati i qëndrimit në Shqipëri. Gjithmonë sipas palës greke, rreth banesës së klerikut u grumbulluan 300 besimtarë, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi të autoriteteve shqiptare.

Pasoi një konfrontim midis forcave të rendit dhe besimtarëve, dhe disa prej këtyre të fundit u arrestuan. Në orën 13 në mesditë, sipas orës greke, arkimandriti u largua nga Shqipëria.

Reagimi i Athinës ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ambasadori shqiptar Hysen Çabej u thirr në ministrinë e Jashtme greke, fillimisht nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Zaharakis. Pak më vonë, zëdhënësi i ministrisë, Andreas Papakonstantinu, u deklaroi gazetarëve se qeveria po e ndjek me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve. “Po qe se gjendja nuk stabilizohet, nuk është e mundur të realizohet vizita e ministrit të jashtëm në Tiranë”, tha zëdhënësi.

Në orën 15, 00 ambasadori Çabej u thirr nga vetë ministri i jashtëm, Mihalis Papakonstantinu, i cili i bëri të ditur se dëbimi i priftit “nuk është një çështje që i përket vetëm Greqisë dhe Shqipërisë, por gjithë institucioneve ndërkombëtare, vëmendjen e të cilëve do të tërheqë Greqia”.

Kanali i parë i televizionit shtetëror grek, në orën 15, 15, njoftoi se Papakonstantinu i komunikoi ambasadorit shqiptar anullimin e vizitave në Shqipëri të ministrit të Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, që do të fillonte më 28 qershor; të ministrit të mbrojtjes Varviciotis, të guvernatorit të Bankës së Greqisë, si dhe se ndërpriten bisedimet për përgatitjen e vizitës në Tiranë të ministrit të jashtëm.

28 qershor

Ndërsa kryeministri Micotaqis, deklaronte të dielën (27 qershor 1993): “Do të bisedoj me ministrat përkatës për masat që duhen marrë, sepse është e natyrshme që do të ketë përgjigje nga ana jonë”, në fakt, përgjigjja e palës greke ka filluar të jepet. Policia ka nisur, dy ditë përpara, një pogrom të pashembullt kundër emigrantëve shqiptarë. Të premten në mbrëmje dhe krejt papritur, ministri i Rendit Publik, Gelestadhis, i cituar nga shtypi grek, ka dhënë urdhër të prerë në të gjitha drejtimet: “Gjejini kudo qofshin dhe dëbojini menjëherë shqiptarët!”.

Të premten, duke u gdhirë e shtunë, forcat policore kryen operacione të befasishme në të gjithë Greqinë dhe mblodhën brenda natës, 4 558 shqiptarë. Teksa operacionet vazhdonin me të njëjtin densitet, burime policore ankoheshin se qelitë e rajoneve të policisë ku i mbanin shqiptarët në pritje të dërgimit të tyre për në Shqipëri, qenë të pamjaftueshme për ta përballuar numrin e madh të emigrantëve të arrestuar.

Ditën e parë forcat policore vepruan me metodën e befasisë dhe me të vërtetë i zunë në gjumë emigrantët shqiptarë. Policia greke njoftoi zyrtarisht për fillimin e operacioneve të shtunën paradite, atëherë kur një autokolonë e përbërë nga 24 autobusë (12 të policisë dhe 12 të marrë me qera), po i afroheshin Kakavijës. Në ato autobusa, që marshuan në autokolonë për efekte impresioni, ndodheshin 1.100 shqiptarë.

Ndonëse kostoja e riatdhesimit të emigrantëve ishte tepër e lartë për këllqet e shtetit, – vetëm autobusët e shumtë të marrë me qira nga shoqëritë turistike, kushtonin 400.000 dhrahmi (2000 dollarë) në ditë-, dallohej qartazi prirja për t’i shkuar deri në fund këtij operacioni. Ministria e Financave bëri të ditur se ka miratuar çeljen e fondeve-shtesë për operacionet, kurse burime të Ministrisë së Rendit thonë se kryeministri ka udhëzuar që, sado fonde të tjera të lipseshin për kurorëzimin me sukses të operacionit “Fshesa”, të jepeshin pa hezitim. Dhe vetëm këto të dhëna mjaftojnë për të përgënjeshtruar alibinë e Athinës se dëbimet nuk kanë lidhje me arkimandritin, por bëhen në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë greke.

29 qershor

Më shumë se 230 milionë dhrahmi do të kushtojë operacioni i policisë greke për transportimin e emigrantëve shqiptarë drejt Kakavijës, me qëllim riatdhesimin e tyre. ministria e financave e ka aprovuar buxhetin përkatës, ndërkohë që sipas burimeve nga ministria e Rendit, edhe nëse kërkohen fonde shtesë për operacionin, kryeministri ka urdhëruar që të jepen.

Vetëm një autobus i marrë me qera prej shoqërive turistike, kushton 400 mijë dhrahmi, ndërsa secili prej tetë policëve që shoqërojnë autobusin, merr një pagë suplementare prej 9 mijë dhrahmish në ditë.

Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se operacioni do të vazhdojë, derisa, siç tha, “të riatdhesohen gjithë emigrantët e paligjshëm shqiptarë”.

Ndërsa deri dje në mbrëmje ishin arrestuar rreth 10 mijë syresh, gjysma e të cilëve edhe janë riatdhesuar, operacioni ka shkaktuar reagime mosaprovuese nga një pjesë e opinionit publik dhe media e shkruar. Në një deklaratë të shoqatës antiraciste të ishullit të Zakinthos, thuhet ndër të tjera se, “Qysh kur, dëbimi i një personi, qoftë ky edhe arkimandrit, mund të justifikojë dëbimin e mijëra refugjatëve të mjerë shqiptarë? Qysh kur shteti grek ka fituar të drejtën të flakë në koshin e plehrave nënshkrimin e vet (ende nuk është tharë boja në vendimet e konferencës për të Drejtat e Njeriut)?”.

Edhe gazeta e përditshme “Kathimerini”, mban qëndrimin e saj ndaj incidentit të Gjirokastrës dhe operacionit “Fshesa”. Duke i analizuar të dy këto fakte, në kryeartikullin e gazetës, theksohet ndër të tjera se, “rruga e marrëdhënieve të qëndrueshme greko-shqiptare u ndërpre për mungesë gjakftohtësie. Operacioni “Fshesa”, thjesht na diskrediton në sy të botës”. Ndërsa në një shkrim tjetër, në po këtë gazetë, autori shkruan: “Shteti grek u vërsul mbi shqiptarët, a thua se janë ata fajtorë për lojërat politike të qeverisë së tyre, më shumë se sa jemi ne fajtorë për lojërat politike të qeverisë sonë. Me sa duket, duke dashur të nderojë konferencën për të drejtat e njeriut, Athina u mësoi refugjatëve se çfarë janë këto të drejta, nëpërmjet dëbimit dhe tmerrit”.

Gazeta “Elefterotipia”, e cila që ditën e parë i dënoi operacionet “Fshesa”, shkruante sot se në zonën e Halakidës u arrestuan më shumë se 170 shqiptarë, ndërsa nuk u trazuan fare emigrantët egjiptianë, pakistanezë dhe indianë, ndonëse edhe këta janë të paligjshëm.

30 qershor

Ndërsa numri i emigrantëve shqiptarë të dëbuar nga Greqia sot arriti në 15 mijë, autoritetet greke po përsëritin vendosmërinë e tyre për ta çuar deri në fund operacionin “Fshesa”. Në një konferencë për shtyp mbrëmë, shefi i policisë greke, Lampadiaris, deklaroi: “Operacioni do të vazhdojë me ritëm të pandërprerë edhe në ditët ose javët e ardhshme, derisa të ekstradohet edhe i fundit emigrant i paligjshëm shqiptar”. Sipas shefit të policisë greke, numri i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në Greqi, vërtitet tek 100 mijë vetët.

Indinjatë ka shkaktuar tek opinioni i gjerë dhe mjetet e pavarura të informimit, apeli që policia greke u bën qytetarëve, që të kallzojnë, madje dhe të kapin e dorëzojnë vetë në polici emigrantët shqiptarë. Duke folur për këtë, shefi i policisë tha se kjo gjë tregon që populli grek ka filluar të shqetësohet nga numri i madh i shqiptarëve që gjenden në Greqi.

Ndërkohë, gjithë partitë e majta opozitare, po dënojnë ashpër kundrëpërgjigjen e qeverisë greke ndaj Shqipërisë, nëpërmjet debimit të emigrantëve. Sekretari i KQ të PASOK-ut, e komentoi këtë masë si “orientim drejt racizmit të ksenofobisë, si mjete për të ruajtur pushtetin”.

“Dëbimet masive të njerëzve të varfër nuk mund të jenë përgjigje ndaj problemeve mjaft të vështira të marrëdhënieve greko-shqiptare”, deklaroi kryetarja e Koalicionit të Majtë dhe i bëri thirrje qeverisë greke që të dënojë zërat që po dëgjohen, për ndryshimin e kufijve midis Greqisë e Shqipërisë.

Edhe partia Komuniste e dënon operacionin, duke theksuar se e vetmja gjë që fiton qeveria është vazhdimi i tensionimit në marrëdhëniet me Shqipërinë.

Gazeta Tribuna!

The Latest

To Top

Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Τα cookies επιτρέπουν μια σειρά από λειτουργίες οι οποίες μας βοηθούν να προσωποποιήσουμε το περιεχόμενο, να ρυθμίσουμε και να μετρήσουμε τις διαφημίσεις, και να παρέχουμε πιο ασφαλή εμπειρία στο Albanians.gr. Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Close