Shqip

Rama: Sot, mundësia për punë më e madhe

Në seancën e sotme parlamentare, kryeministri Edi Rama ka përshëndetur anketën e fundit nga INSTAT mbi punësimin në vend. Sipas tij, meritojnë vëmendje statistikat e fundit që provojnë atë që është argumentuar disa ditë më parë, lidhur me numrin e rritur ndjeshëm të të punësuarve që figurojnë në librin e sigurimeve shoqërore.

“Anketa tremujore tregon qartësisht bazuar në shifra të verifikueshme, se krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013, shkalla e punësimit është rritur me 3.7 %. Flasim për matjen e forcave të regjistruara të gatshme për punë, që do të thotë se ajo që kemi thënë ditë më parë, verifikohet, dhe për një rritje të besimit se mundësia për punë është më e madhe seç ishte”, tha Rama.

Kryeministri tha se ritmi i rritjes së punësimit krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti është 7. 8 % në industrinë përpunuese, dhe se hapësira e punësimit në industrinë përpunuese është e gjerë dhe me një potencial të madh.Një tjetër konstatim sipas Ramës, është fakti që shkalla e punësimit për personat me arsim të mesëm, është më e lartë për ata persona me arsim të mesëm profesional. Janë 65 % të punësuar më arsim të mesëm, nga ata që kanë arsim profesional, dhe 46% të punësuar nga ata që kanë arsim të përgjithshëm.Krijimi i një sistemi arsimor profesional që është në funksion të kërkesave të tregut, është një nga përgjigjet më adekuate kundër papunësisë, tha Rama.

“Nevojë për kualifikim të forcave të punës”

Kryeministri deklaroi se është i nevojshëm një kualifikim i forcave të punës, pasi pas publikimit të rezultateve të konkurseve për administratën publike, rezultuan shumë pak fitues:

“Kemi një nivel kualifikimi tragjik në forcat që kërkojnë punë aktive në administratën publike. Me hyrjen në fuqi të ligjit për administratën publike, kemi një sistem të ri aplikimi dhe konkurrimi të pavarur nga politika. Por në valën e parë të konkurseve mbi 5000 konkurrentë arritën të mbushnin vetëm 38 pozicione”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se konkurset janë të garantuara për të zotët, por ata që konkurrojnë kanë një problem kualifikimi, dhe diplomat prej kristali po sjellin tepër zhgënjim.

“Shpresoj të kemi mundësi të mbushim këto pozicione, të rrisim vetëdijen se këta njerëz duhet të punojnë për kualifikimin”, tha Rama duke shtuar se i njëjti problem paraqitet edhe në nivelin e industrisë.

“Së shpejti, një projekt për turizmin”

“Anketa e forcave të punës është lajm i mirë dhe inkurajues për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, që të çojë më tutje programin tonë të punësimit duke vazhduar të insistojmë tek prodhimi vendas, në bujqësi, blegtori dhe në tërësi në fshat, duke vazhduar me insistimin te suksesi për jetë a vdekje i rimarrjes në kontroll të burimeve energjetike të vendit, se i kemi mundësitë që të krijojmë më shpejtësi vende të reja pune, dhe që si sot një vit, të kemi një rritje të madhe të punësimit”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se duhet parë më shumë vëmendje një sektor ku jemi mbrapa, dhe ai është turizmi.

“Jemi mbrapa sepse kemi një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar të punësimit, do sjellim shumë shpejt në parlament projektin e ri ligjor të turizmit, dhe atë të stimulimit të investimeve të huaja”, tha Rama.

www.shekulli.com.al

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top