Shqip

Rama serbëve: Mos tregohemi të vegjël sa një top futbolli!

“Serbia nuk është armiku ynë dhe ne duhet ta lëmë të shkuarën pas krahëve”. Ky ishte mesazhi që përcolli kryeministri Edi Rama, tashmë para qytetarëve serbë. Gjatë një interviste për televizionin N1, pas takimit me homologun serb Aleksandër Vuçiç, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Serbia dhe Shqipëria duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar që Bashkimi Evropian të kuptojë mbështetjen ndaj Ballkanit. Por Rama nuk la pa përmendur sërish njohjen e Kosovës nga pala serbe, atë që në takimin e 10 nëntorit u quajt si një provokim.

“Marrëdhëniet tona duhet të shkojnë përpara. Unë besoj se kur Serbia të shpëtojë nga barra e saj, të përballet me realitetin dhe të njohë Kosovën, ajo do të ecë më mirë, të gjithë do të jetë më mirë”, tha Rama.

Lidhur me situatën dhe tensionet e krijuara mes dy vendeve pas ndeshjes së 14 tetorit në Beograd, Rama u shpreh se ka probleme më të mëdha se futbolli.

“Serbia nuk është armiku ynë. Serbia është potencialisht një nga aleatët tanë më të rëndësishëm me të cilët ne njerëzit, në Serbi, në Shqipëri dhe në rajon, duhet të shkojmë shumë mirë. Kjo është vendimtare, sepse ne kemi një armik të përbashkët, varfërinë, papunësinë, shumë gjëra që janë trashëgimi e qeverisë së keqe nga e kaluara, këtu dhe atje. Futbolli po bëhet një çështje e madhe, kur ka probleme të tjera pas nesh, si ato që përmenda. Le të japim një të ardhme të begatë për popujt tanë.

Të mos lejojmë të kaluarën të ndikojë të ardhmen tonë më të mirë dhe së bashku ne mund të kemi një të ardhme më të mirë. Unë jam i sigurt për këtë. Le të bëjmë diçka të madhe së bashku. Ejani të mendojmë për vepra të mëdha. Ne nuk duhet të jemi aq të vegjël, sa një top futbolli. Bota është e madhe, një top futbolli është shumë i vogël”, bëri thirrje Rama live gjatë emisionit.

I pyetur në lidhje me takimin e radhës me kryeministrin serb Vuçiç, Edi Rama tha : “Unë e ftova atë për të ardhur në Tiranë, ia kam thënë në konferencën për shtyp dhe privatisht. Ai mund të vijë e të thotë çfarëdo që dëshiron në Tiranë dhe askush nuk do të ndihet i provokuar, askush nuk do të ndjejë asgjë të gabuar, sepse ata kanë një përputhje të plotë me idetë. Në të njëjtën kohë ne duhet të bashkëpunojmë”.

/Shekulli Online/ J.C.

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top