Një Protokoll i ri i Bashkëpunimit për Zhvillim për periudhën 2014-2016, është nënshkruar sot mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë.
81.7 milionë euro u vunë në dispozicion nga qeveria italiane, nga të cilat 56.7 milionë euro kredi e butë, 20 milionë euro konvertim borxhi dhe 5 milionë euro grant.
Prioritetet strategjike që do të mbështeten në periudhën e ardhshme trevjeçare janë: rritja e qëndrueshme nëpërmjet nxitjes së konkurueshmërisë dhe përdorimit efecient të burimeve. Kjo përfshin financimin e zhvillimit Ekonomik, me fokus nxitjen e investimeve të huaja, bujqësisë dhe zhvillimit rural, sektorit energjetik dhe atë të ujësjellës-kanalizimeve.
Investimi i dytë shkon tek sektorët socialë dhe sektori i arsimit dhe formimit profesional. Dhe mbështetja tjetër do të shkojë për reformën territoriale-administrative.
Ky protokoll përfaqëson një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit midis dy vendeve, dhe dëshmon edhe njëherë angazhimin e qeverisë Italiane për të mbështetur Shqipërinë në procesin e zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
