Autoritetet italiane kanë kërkuar lejen nga Shqipëria për të tërhequr anijen “Norman Atlantic” në territorin e tyre, pasi aktualisht “Norman Atlantic” gjendet në ujërat territoriale shqiptare dhe për çfarëdo veprimi ndaj saj nevojitet një leje e posaçme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Barit ka bërë një kërkesë për ndihmë juridike, me objekt sekuestrimin e anijes “Norman Atlantic” dhe të të gjitha pajisjeve që ndodhen në të, si dhe kryerjen e një sërë veprimesh të tjera hetimore, që anija të tërhiqet nga autoritetet italiane drejt Brindisit në mënyrë që hetimi të vijojë nga autoritetet italiane.
Prokuroria Shqiptare nga ana e saj po krijon të gjithë lehtësirat e nevojshme procedurale në bazë të “Konventës mbi të Drejtën e Detit” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve gjyqësore italiane në hetimin mbi avarinë e rëndë në bordin e anijes, si pasojë e së cilës është konfirmuar zyrtarisht vdekja e 10 personave.
Po merren të gjitha masat për ekzekutimin e kësaj letër-porosie nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Aktualisht, anija, e cila ka humbur drejtimin teknik, gjendet në ujërat territoriale shqiptare.
Më herët Prokurori i Barit Giuseppe Volpe ka deklaruar se “askush nuk mund të marrë në dorëzim anijen ‘Norman Atlantic’ pasi kjo do të konsiderohej si një vepër penale e dënueshme dhe shkelje e të drejtave detare ndërkombëtare”.
Ai ka thënë gjithashtu se shqiptarët s’kanë qenë mirë me mjetet e ndihmës për pasojë dy prej rimorkiatorëve shqiptarë kanë rënë viktimë të një aksidenti duke humbur jetën. Më tej ai ka sqaruar vështirësitë në operacionin e rimorkimit dhe për shkak të kushteve të vështira të motit.
Të dhënat e fundit rezultojnë që në anije të kenë qenë 499 persona, ndër të cilët 310 janë shpëtuar, e bashkë me 10 viktimat, mbeten 179 persona ende të zhdukur. Mes dhjetë viktimave deri më tani 3 janë identifikuar si italianë dhe 1 si grek. Prokurori sqaron se numri i të zhdukurve mund të ndryshojë për shkak se ende nuk dihet numri i pasagjerëve të shpëtuar që ndodhen në anijet shpëtuese greke.
shqiptarja.com
