ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Prezantohet Korridori i Kaltër Autostrada e përbashkët Kroaci Mali i Zi Shqipëri Greqi

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nga Kroacia projektin më madhor, atë të “Korridorit të Kalter”, që do të lidhë Mesdheun, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të saj, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe me Greqinë, për të krijuar përfundimisht “Unazën e Mesdheut”.

Kjo u bë e ditur dje nga kryeministri, në takimin katërpalësh me kryeministrat e Kroacisë Zoran Milanoviç, të Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe të Bosnjës Vjekoslav Bevanda, që u mbajt në Kroaci.

Takimi u iniciua në kontekstin e Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të datës 28 gusht, me qëllim koordinimin e qëndrimit në këtë konferencë.

“Sot jemi këtu, të gjithë së bashku, me Kryeministrin e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës, për të pasur një pozicion të përbashkët në Konferencën e Berlinit, lidhur me një projekt madhor, që është projekti i ”Korridorit të Kaltër” apo autostradës që do të lidhë pjesën tjetër të Mesdheut, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të Kroacisë, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe më poshtë me Greqinë, për të krijuar përfundimisht “Unazën e Mesdheut”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama, ndërsa garantoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për këtë projekt dhe çdo projekt zhvillimi rajonal, theksoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm në rajon është një domosdoshmëri për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të çuar përpara procesin evropian të integrimit.

Kreu i qeverisë, i cili para këtij takimi zhvilloi edhe një takim koordinues me kryeministrin e Kosovës, theksoi se këtë frymë të re në rajon do ta përcjellin së bashku edhe në Konferencën e Berlinit, ku do të flasin me ide dhe projekte konkrete zhvillimi, ndër të cilat autostrada Adriatiko-Joniane.

“Sigurisht që kjo nuk është e vetmja temë, por kjo është kryefjala e këtij pozicioni të përbashkët dhe Kroacia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria dhe Kosova do të mbështesin fort këtë projekt, sepse ne e shikojmë si një domosdoshmëri për të bërë një hap të fortë përpara, drejt integrimit të të gjithë rajonit dhe atij zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe atij bashkëpunimi të qëndrueshëm rajonal që ne e kemi të gjithë së bashku nevojë. Ndjehemi realisht shumë mirë, sepse kemi edhe fatin edhe mundësinë që Kroacia flet edhe për ne në gjirin e Bashkimit Evropian, ndërkohë që ne nga jashtë Bashkimit Evropian do të flasim më shumë gjuhën e Ballkanit, për ta bindur Bashkimin Evropian që të jetë më shumë prezent në rajon”, u shpreh Kryeministri.

Burimi www.shekulli.com.al

 

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top