Shqip

Përse po braktiset Shqipëria ?!

Nga Olsjan Topalli

Shqipëria çdo ditë e më shumë po përballet me fenomenin e braktisjes, ku të rinj, të reja, apo dhe familje të shumta po braktisn vendin e tyre për një jetesë më të mire që vendi i tyre nuk ua ofron.
Por, drama është më vështirë nga sa mendohet në familjet shqiptare. Ndryshe nga çdo qytetar europian, shqiptarët përballen me një fenomen mjaft problematik, siç është ai i ekzistencës.
Shqipëria dhe shqiptari zgjohet në mëngjes vrapon me një dëshirë të madhe për në punë, dhe këtu fillon e gjitha… Menjëherë në mendje i kalon ideja që edhe sot është i papunë.
Del për të kërkuar punë dhe kupton që as sot s’ka asnjë shans apo mundësi punësimi. Madje s’do të ketë as nesër, as pasnesër…as javën tjetër…as muajin tjetër.
Kthehet në shtëpi i dëshpëruar. Rrugës për në shtëpi takon Shqiptarin tjetër që i thotë se është duke ikur diku jashtë shtetit, në Gjermani, Itali, Angli, Francë a ku të mundet pasi këtu nuk jetohet…
Shkon në shtëpi plot mendime… Sa hap derën, fëmijët e shohin drejt e në sy. Gruaja e shikon drejt e në sy. Ato nuk janë shikime, ata janë heshta helm të fortë që i ngulen drejt e në zemër…
Mundohet të hajë sa më pak por më kot asgjë si kapërdihet.

E vështirë për tu dukur e vërtetë, por kjo plagë e rëndë lëngon çdo ditë e më shumë. Leonardi i mbytur në borxhe dhe pasi shiti edhe shtëpinë për të larë borxhet mbeti pa një strehë ku të fuse kokën, kështu ai pa asnjë mëdyshje u largua nga Shqipëria me shpresën se jeta e tij do ndryshonte. Por, duke tentuar të kalojë për në Angli kapet nga policia edhe e burgosin dhe i heqin përgjithmonë të drejtën që të shkelë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo është drama e rëndë e të gjithë shqiptarëve. Nuk është histori me trafikantë a kriminelë. Eshtë histori me halle, varfëri, papunësi.

Nëse qeveria përpiqet ta shesë në publik si histori me trafikantë, do të thotë që po mundohet të mbulojë Diellin me shoshë. Por sado të mundohesh ta fshehësh pas shoshës, Dielli është shumë i madh për t’u fshehur.
Shqiptarët po ikin. Me mijëra po e bëjnë, me miliona po e mendojnë.
Një mesazh ka populli i vuajtur e plot halle për qeverinë, kur vjen puna tek eksodi – Prit se s’ke parë gjë akoma!!!

Ku po shkon ky vend ?!

A vallë qeveria do ti fusë të gjithë në burg që ti mbajë me bukë, se kështu do të vdesin të gjithë urie… Por nuk është kjo zgjidhja për një vend demokratik siç është Shqipëria. Të këqijat nuk kanë të sosur, protesta në çdo anë e në çdo skaj të vendit dhe askush nuk përgjigjet për këto njerëz të vuajtur ndër vite. Kjo nuk është jetesë, por mbijetesë! Kësaj i thonë të luash me jetën. Askush nuk ndjehet i sigurtë në vendin e tij, në vendin “mëmë”, këtë e tregon dhe fakti që mijëra shqiptarë në rradhë po aplikojnë masivisht për Llotarië Amerikane.

Ditën që u shpall Lotaria Amerikane, më 4 Tetor, kjo është dita e vetme e vitit, që i bën shqiptarët të ëndërrojnë!
Nuk ka nevojë as për analiza mediatike, as për sondazhe, as për testime, as për zgjedhje për të kuptuar çfarë ndodh në këtë vend, ku të gjithë duan të ikin me ç’të munden, të largohen nga ky vend që nuk premton asgjë, madje as gjërat minimale jetësore. Të largohen nga vendi i shpresës së thyer, ku varfëria është ulur këmbëkryq në odën e çdo Shqiptari.

Llotaria është shpresa e tyre e vetme tani, deri në Maj kur dalin edhe përgjigjet, por jo të gjithëve do tu buzëqeshë fati dhe jo çdokush do arrijë të prekë ëndrrën Amerikane…
Deri atëherë nuk mbetet asgjë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët, por vetëm të shpresojnë dhe të shpresojnë, siç kanë shpresuar për 25 vite me radhë.

Burimi: https://peshkupauje.com/t/perse-po-braktiset-shqiperia/620/1

 

 

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top