ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Përmbytje të mëdha në Greqi

Përmbytje të mëdha në Greqi
Probleme të jashtëzakonshme dhe dëme kolosale ka shkaktuar moti i keq në shumicën e lagjeve të kryeqytetit grek Athinë. Pamjet televizive tregojnë kaosin e krijuar nga reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me stuhi dhe breshër. Nga rebeshi shumë rrugë janë përmbytur dhe ujrat kanë vërshuar duke rrëmbyer dhjetëra makina e duke i përplasur ku të mundnin gjatë gjithë pasditës të së premtes.

Më shumë se 600 telefona ka pranuar qendra e ndërhyrjes së zjarrfikësve nga qytetarët e zonave perëndimore  dhe ky shërbim ka vënë menjëherë në ndihmë mbi 70 automjete dhe 150 zjarrfikës.

Përmbytje, sipas mediave greke janë regjistruar në lagjen Nikea, në Pire, Keratsini, Drapetsona ku janë përmbytur dhe janë shembur shtëpi, parkingje të nëndheshme dhe dyqane, pronarët e të cilave kanë deklaruar se dëmet e shkaktuara shkojnë për secilin nga 70.000 deri në 100.000 euro.

“Për pak më morën ujrat. Arrita të kapem pas një dege dhe të shpëtoj. Këtu u vunë në rrezik jetë njerëzish. Kisha tre gra kliente në dyqan dhe njëra prej tyre madje ka hipur mbi kuzhinë që të shpëtojë”, thotë një qytetar.

Qytetarët që dëshmojnë se në shumë rrugë niveli i ujit arriti deri në 70 cm, protestojnë për mosfunksionimin e shërbimeve komunale që nuk kanë pastruar kanalet e ujërave. Probleme të shumta ka pasur edhe në rrjetin hekurudhor me vonesa të vazhdueshme për shkak të motit të keq.

Shërbimi sinoptik kombëtar i vendit paralajmëron se edhe në ditët e ardhshme do të mbizotërojnë reshjet e shiut dhe furtunat. Në disa zona malore në perëndim të Greqisë janë regjistruar reshjet e para të borës, temperatura në të gjithë vendin do të bjerë përsëri me më shumë se 10 gradë celcius, ndërsa fuqia e dallgëve do të arrijë deri në 9 ballë, duke shkaktuar probleme për lundrimin e anijeve.

burimi www.top-channel.tv

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top