Shqip

Përfundon takimi Shqipëri-BE

Ka përfunduar këtë të martë në Tiranë takimi i nivelit të lartë i Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur në përfundim të takimit, përfaqësuesja e delegacionit të Parlamentit Evropian, eurodeputetja Monica Macovei ka deklaruar se, Shqipëria ka arritur progrese në implementimin e kritereve të integrimit, si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të integrimit të saj në BE.

“Kemi patur diskutime të frytshme në ditën e dytë të takimit. Të gjithë mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe kjo mbështetje do të vazhdojë pavarësisht se disa parti na akuzojnë edhe neve në PE. Integrimi në BE është e vetmja alternativë për Shqipërinë”, ka deklaruar Macovei.

Eurodeputetja rumune ka nënvizuar se, për realizimin e reformave që rrjedhin nga procesi i integrimit është i rëndësishëm dialogu dhe konsensusi politik.

Nuk ka kaluar pa u prekur edhe çështja e dekriminalizimit të Parlamentit, për të cilën eurodeputetja tha se duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. “Të pastrohet jo vetëm Parlamenti, por edhe administrata, policia, doganat, etj”, ka thënë Macovei.

Pasi ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit, përfaqësuesja e delegacionit evropian ka komentuar edhe akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. “Të bëhet hetimi i akuzave mes palëve. Hetimi mund të kërkojë kohë, por mund të bëhet nëse keni guxim”, ka shtuar ajo.

Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla, në të njëjtën deklaratë për shtyp, ka thënë: “E konsiderojmë dhënien e statusit si njohje e hapave dhe reformave dhe testim për hartimin e reformave të mëtejshme”.

“Mbështesim marrëveshjen e dhjetorit të ndërmjetësuar nga PE dhe bëjmë thirrje për zbatimin e saj në kohë. Ndërkohë, duhet konsensus dhe dialog politik për reformat e integrimit”, ka thënë Balla.

Më tej deputeti socialist ka bërë me dije se delegacioni evropian ka vlerësuar progres në: luftën kundër krimit, korrupsionit, reformimit të administratës, gjyqësorit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Data e hapjes së negociatave për anëtarësim do të jetë lajmi i radhës për shqiptarët”, ka shtuar Balla.
Marë nga: http://www.top-channel.tv/

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top