ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Parada e ushtarëve grekë është mbi të gjitha një leksion.

Per ata qe kane nje njohje qofte dhe siperfaqesore te marredhenieve shqiptaro- greke,

lajmi i djeshem se nje toge komandosh fqinje kane kënduar thirrje anti-shqiptare, nuk përbën një ngjarje të paprecedentë. Në vitin 2007 u transmetuan pamje të ushtarëve grekë që stërviteshin me shprehje të tipit: Litarë do të bëjmë me zorrët e tyre… “Zorrët” në fjalë ishin përkatësisht të shqiptarëve, maqedonasve dhe turqve. Sipas gjeneralit në pension, Nikos Toskas këngë të tillë përdoren rëndom në ushtrinë greke, për të ngritur lart moralin e trupave.

Dje reagoi qeveria greke, reagoi qeveria shqiptare, sot proteston MJAFT-i, historia mbyllet. Për tre ditë harrohet.
Ajo që mbetet është leksioni që duhet të mësojnë poseduesit e zorrëve dhe lëkurëve. Eshtë një leksion realiteti dhe realiteti i Athinës është krejt ndryshe nga ai i Tiranës.
Realiteti i Athinës është ai i tifozit të ndjerë Gramoz Palushi, është ai i priftit të Kosinës që vidhte kocka për t’u ndërruar targën nga AL në GR apo ai i Bollanos e sivëllezërve të tij që trumbetojnë Vorio-Epirin sot e gjithë ditën. Realiteti i Tiranës është dhurim

i i hapësirës detare, ndërtimi i varrezave të pushtuesve, dhurimi i ‘Çelësit të Tiranës’ Stefanopullosit dhe Bakojanisit, mësimi i himnit dhe historisë greke në shkollat shqiptare në jug të vendit, etj.

Parada e ushtarëve grekë është mbi të gjitha një leksion.

Është një leksion për qeverinë dhe kryeministrin Berisha që tentoi t’i dhuronte Greqisë 354.4 km2 hapësirë detare.
Është nje leksion për parlamentin dhe Jozefina Topallin të cilët nuk gjetën një datë tjetër për miratimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve, por pikërisht ditën e festës Kombëtare të Greqisë, ku u bë edhe parada në fjalë. Dhuratë e bukur.
Është nje leksion për deputetët e PDU-së që bënë shoun e shëmtuar në seancën e fundit parlamentare, duke bërtitur për Çamërinë por duke legjitimuar me praninë e tyre vendimin për ndërtimin e varrezave greke. Nëse këta dy deputetë do ta bojkotonin seancën plenare, ahere në sallë do të kishte 69 deputetë, një numër i pamjaftueshëm për kuorumin e nevojshëm. Nëse Idrizi dhe Tahiri nuk do të merrnin pjesë në seancë, marrëveshja nuk do të miratohej dot. Por, heronjtë e heshtur nuk i duhen askujt. Sot hyjnë në punë heronjtë e foltoreve, gazetave dhe televizioneve.
Parada e ushtarëve grekë është një leksion edhe për Edi Ramën, liderin e opozitës që bëri fushatë elektorale me Jorgo Papandreun, (kë kishte arkitekt fushate ky njeri, Piter Panin?) një javë përpara ditës së votimit. Njësoj sikur t’u thoshte shqiptarëve: aman, mos më votoni. Sepse është njësoj sikur Hashim Thaçi të bënte fushatë në Kosovë përkrah Koshtunicës apo Jeremiçit, njësoj sikur Papandreu të bënte fushatë në Greqi përkrah Nikolla Gruevskit apo fundja përkrah vetë shqiptarit Edi Rama.
Parada e zorrëve dhe lëkurëve është një leksion për shoqërinë civile: për Fatos Lubonjën që thotë “le ta marrë detin tonë Greqia, se fundja aty ka vetëm peshk”. Një leksion për internacionialistin Ardian Klosi që në vend se të qëmtojë historinë e shqiptarëve të shquar, të Konstandinit të Madh apo Papa Klementit XI, i jep zë propaganduesve pro-serbë që e kanë merak që Gjon Kastriotin ta quajnë Ivan.
Parada është një leksion për të gjithë ata të verbër ose të shitur, që duke përdhosur kujtimin e rilindasve duan të mbajnë akoma në krye të Kishës sonë Autoqefale, grekun Janullatos.

Eshtë një leksion për ata politikanë injorantë që flasin gjithë ditën për partneritetin e shkëlqyer me Greqinë apo që deklarojnë se mes nesh nuk ka çështje të hapura, ndërkohë që në tekstet e Historisë mësohet se Janina, Konica e Preveza ishin shqiptare.
Të gjithë këta që u përmendën më lart, janë elita e kësaj toke. Dhe nuk mund të mos ndjesh keqardhje, kur elita demonstron një mungesë të këtillë identiteti, vlerësimi, krenarie apo dinjiteti.
Parada greke është një leksion edhe për të gjithë ata ‘trima’ të çartur që duan të rrjepin të gjallë lezhjanin Klodi, por që s’ua mban të bëjnë të njëjtën gjë me himariotin Bollano.
Thonë se patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve. Fatmirësisht, ne kemi shumë maskarenj. Fatkeqësisht, asnjë prej tyre nuk ka qëlluar patriot.
Ka ardhur koha që politika shqiptare të mendojë pak më thellë për marrëdhënien me Greqinë. Ajo duhet të jetë sigurisht, një relatë partneriteti dhe bashkëpunimi, por është e domosdoshme të udhëhiqet mbi baza realizmi dhe reciprociteti. Duke i fshehur, problemet veçse mund të thellohen. Një shprehje e urtë thotë: të tjerët të vënë atë çmim, që ti i vë vetes. Nëse ne i vendosim vetes çmimin e bagëtive, do të jetë gjithmonë dikush që do të kërkojë rrjepjen e lëkurëve tona.

j.p

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top