Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias pritet që të vizitojë Tiranën më 4 dhe 5 nëntor, përpara se të lërë edhe postin e Presidentit. Kjo vizitë e tij në Shqipëri po shihet me mjaft optimizëm nga mediat greke, të cilat e konsiderojnë atë si “njeriun e duhur për të shkrirë akujt me Shqipërinë dhe për të nxitur një miqësi mes dy vendeve”.
Sipas gazetarit të së përditshmes “Kathimerini”, Stavros Tzimas-it, Presidenti Papulias gëzon një simpati të veçantë në opinionin publik shqiptar. Në analizën e tij, Tzimas shkruan se Papulias është një ndër grekët më të dashur në Shqipëri, i cili ka ndikuar së tepërmi në afrimin mes dy vendeve që pas shembjes së diktaturës komuniste.
Më tej, Tzimas argumenton se Papulias është njënga njerëzit më të mirë për të drejtuar një fushatë miqësisë mes dy vendeve, në mënyrë që të ulen të gjitha tensionet që kanë shoqëruar dy popujt vitet e fundit. “Papulias do të përçojë një mesazh mjaft të qartë. Greqia nuk përbën kërcënim për Shqipërinë. Greqia është një fqinje e ndershme dhe rruga drejt BE-së do të jetë më e lehtë për shqiptarët nëse pranohet kjo miqësi”, shkruan Tzimas.
Burimi www.shekulli.com.al
