ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Papa Françesku shkel tokën shqiptare

Papa Françesku mbërrin në Shqipëri, duke nisur vizitën historike për Shqipërinë. Ati i Shenjtë shkeli tokën shqiptare në orën 09:06 minuta dhe u prit nga Kryeministri Edi Rama, anëtarë të Qeverise e drejtues të Kishës Katolike.

Papa takoi edhe dy femije, nje nga jugu dhe nje nga veriu i vendit, nje pershendetje simbolike kjo per Atin Shenjte. Aktualisht po zhvillohet edhe ceremonia zyrtare organizuar ne ambientet e aeroportit. Kryeministri Edi Rama i dhuroi Papes, kupen e dheut, nje dhurate simbolike dhe shume domethenese.

Në orën 9:30 është planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Ora 10:00 do ta gjejë Papën në në sallën e pritjes së kreut të shtetit, në një takim me autoritetet dhe më pas do të ketë një fjalim nga ana e tij.

Një orë më vonë, në sheshin “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Do të bashkëkremtojnë me të edhe 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminaristë dhe 4 diakonë.

Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Francesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.

Në orën 13:30 është planifikuar një takim dhe drekë me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.

Në mjediset e Nunciaturës Apostolike Ati i Shenjtë do të takojë Ministrin e Brendshëm Z. Sajmir Tahiri me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.

Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Në orën 17:00 do të jetë kremtimi i lutjes së mbrëmësores në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri.

Në orën 19:45 në aeroport do të zhvillohet ceremonia e largimit të Papës nga vendi ynë dhe 15 minuta më vonë, Ati i Shenjtë do të lerë tokën shqiptare.

Sic shihet në axhendë parashikohet edhe një takim me përfaqësues të feve të tjera në vendin tonë. Analisti Mustafa Nano tha se takimi nuk është i rastësishëm, ndërkohë që vlerësoi rolin historik të klerikëve në mbrojtje të kombit.

“Këtu kleri katolik ka qenë kler patriotësh, kur e dimë fare mirë që feja në shumë klerikë është në plan të parë. Këtu është një traditë që kleri i të dyja krahëve ka vënë shpesh herë me të drejtë kombin. Besimtarët në plan të parë kanë besimin, por ne jemi të gjithë shqiptarë dhe këtu ka një bashkim nga të dyja palët”, tha Nano.

Një ndër arsyet e zgjedhjes së Shqipërisë prej Atit të Shenjtë është harmonia fetare, e cila duhet ruajtur nga elementët radikalë. Sa e rrezikuar është Shqipëria nga këta elementë? A ka të tillë mes Komunitetit Mysliman? Këtyre pyetjeve Myftiu i Durrësit, Redin Quku iu përgjigj: “Shqipëria nuk është më e izoluar nga pjesë tjetër e botës. Shqipëria sot është Shqipëria e hapur dhe fluksi i lëvizjes së lirë është rritur dhe komunikimi dhe shkëmbimi i ideve është rritur dhe ndikohet nga ide ekstreme. Ide të tilla ka në të gjithë botën edhe në vende shumë të zhvilluara. E rëndësishme është që pjesa më e madhe e një komuniteti të mos dominohen nga këto elemente dhe të mos përfaqësojnë në masë këto ide. Ne na rezulton që brenda komunitetit, individët dhe personat që kanë tendecë për t’iu bashkangjitur radikalizmit janë në minorancë dhe nuk mund të bëhen përgjithësues për masën tjetër”, tha ai.

Por ndërsa në Shqipëri radikalizmi ndjehet shumë pak, në Kosovë policia ndërmori një tjetër operacion duke arrestuar disa imamë me akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare.

Cilat janë masat e sigurisë? Për të shpjeguar më qartë këto masa, të vlerësuara si të jashtëzakonshme, në lidhje direkte me Top Story nga sheshi Nënë Tereza ishte gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha që zbardhi disa detaje nga masat e sigurisë së autoriteteve.

Kështu mësohet se të premten, përvec masave të sigurisë, ‘në vend do të shpallet shërbimi i përforcuar edhe nga 600 efektivë të Gardës së Republikës, RENEA, Ndërhyrja e Shpejtë dhe agjentë të anti-terrorit. Bulevardët dhe rrugët ku do të kalojë eskorta e Papës do të kontrollohet imtësisht me qen anti-eksplozivë dhe nuk do të lejohet parkimi. Do të vendosen gjithashtu edhe rreth 50 snajpera përgjatë rrugës dhe në gjithë rrugën që do kryejë Papa.

Një tjetër masë e nisur prej kohësh nga Policia e Shtetit dhe shërbimet sekrete është vëzhgimi i disa personave që kanë familjarë të tyre në luftë në radhët e Al-Nusras.

Këto masa të përforcuara të sigurisë ndërmerren pas deklaratës së Ambasadorit Irakian të publikuar në disa media europiane e më pas edhe në vendin tonë, për mundësinë e një sulmi ndaj Atit të Shenjtë.

Myftiu i Durrësit tha se deklarata e Ambasadorit nuk përmend Shqipërinë, por thotë se Papa mund të sulmohet në një nga vendet që do të vizitojë. “Papa fil pas Shqipërisë do të vizitojë Turqinë”, tha ai.

Pjesa e tretë e iu kushtua prezantimit të ambienteve të rikonstrukturuara të terminalit VIP në Aeroportin e Rinasit të pagëzuar me emrin “Marubi Lounge”. Në lidhje direkte gazetarja e Top Channel, Lira Burgija në shoqërinë e arkitektees Elva Margariti prezantoi mjediset së bashku me këndin e përshtatur ku pritet të zhvillohet takimi mes Papës dhe Kryeministrit Rama.

Arkitektja Margariti sqaroi edhe përzgjedhjen e emrit të terminalit “Marubi Lounge”. Marubi, tha ajo, është figura më përfaqësuese e kulturës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë dhe ndërthurja më e mirë mes së shkuarës dhe modernes.
/ Top Channel

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top