Shqip

Një e mitur mbytet duke u përpjekur të hyjë si klandestine në Greqi

Një e mitur mbytet duke u përpjekur të hyjë si klandestine në Greqi

Grevena, 18 Korrik 2015 NOA.al – Tragjedi plot dhimbje ajo që i ka ndodhur një familjeje shqiptare, fëmija i të cilës u shua në përpjekje të frikshme për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin për shkak të pamundësisë për të shkuar në mënyrë të rregullt për të punuar dhe jetuar në Greqi. Qëllimi i prindërve ishte një jetë më e mirë për ta dhe vajzën e tyre ndaj vendosën që të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin pasi kishin mësuar se në zonën e Kalambaki kërkonin punëtorë. Por u përballën me skenën e frikshme të mbytjes së vajzës së tyre në një lumë. Ngjarja e rëndë ka prekur një çift shqiptar, ai 39 vjeçar dhe ajo 36 vjeçe. Që të dy, bashkë me vajzën e tyre 14 vjeçare, nisën nga Korça një udhëtim që kurrë nuk mendonin se do të përfundonte tragjikisht. Dy ditë më parë që të tre u nisën nga juglindja e Shqipërisë dhe arritën të futen në territorin grek, raporton korrespondenti i NOA.al duke cituar burime zyrtare nga Policia e Greqisë. Familja kaloi zonën kufitare nëpër monopate dhe u ndal diku në Grevena, pranë urës së vendit të quajtur Elefterohorio, për t’u freskuar pak në lumin Venetiko, një ndër përrenjtë më të mëdhenj të zonës së Aliakmona. Vajza 14 vjeçe u zhyt në ujin e lumit për t’u freskuar nga vapa zhuritëse por rrëmbesa e ujit bëri që ajo të mos ia dalë. Ndërsa vajza përpëlitej në ujin e rrëmbyeshëm të lumit, babai dhe nëna e saj rendën ta shpëtojnë. Por çdo përpjekje ishte e kotë sepse rrëmbesa e zhduku vajzën e cila u gjet më tutje, pak më vonë. Prindërit e tmerruar kërkuan ndihmë dhe një skuadër e ekipeve të shpëtimit mbërriti në vendngjarje, por ishte shumë vonë. Trupi i vajzës u gjet i pajetë dhe u dërgua në spitalin e përgjithshëm të Grevenasë. Prindërit i rrëfyen policisë se u detyruan të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin për shkak se donin të jetonin e punonin në Greqi pasi kishin dëgjuar se në Kalamaka po kërkonin njerëz për punë. /n.s//a.b/noa.al/

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top