Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka ftuar prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla të hapë hetimet për mënyrën se si është negociuar marrëveshja e detit me Greqinë, nga kryetari aktual i opozitës Lulzim Basha, dikur ministër i Jashtëm, i cili hodhi firmën në dokumentin e rrëzuar më pas nga Gjykata jonë Kushtetuese.
Mbi bazën e vendimit të Kushtetueses, sipas të cilës në rastin e marrëveshjes së detit nuk janë mbrojtur interesat tona kombëtare, duke i dhënë Greqisë territor, prokuroria, sipas ministrit Bushati, mund të hetojë nëse është shkelur apo jo ligji 210 i Kodit Penal.
“Sa i përket nënshkruesve të marrëveshjes, besoj se kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikën ndërkombëtare që konsiderohet e shkelur nga kjo gjykatë dhe mund t’i referohet Kodit Penal. Sa i përiket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, deklaroi Bushati.
Neni 210 që i referohet ministri Bushati parashikon dënimin me burg nga 5 deri në 10 vjet për marrëveshjet e bëra me shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territoreve.
Burimi www.top-channel.tv
