Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, niset për në Athinë, ku do të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme shumëpalëshe; në Takimin e XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane dhe në Konferencën e Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR).
Gjate kësaj vizite Ministri Bushati do të zhvillojë disa takime në nivel dypalësh me Presidentin e Republikës së Greqisë z.Karolos Papulias, Kryeministrin z. Andonis Samaras dhe Ministrin e Punëve të Jashtme z. Evangelos Venizelos.
Takimi i Këshillit të Ministrave të NAJ zhvillohet gjatë periudhës që Shqipëria ushtron Presidencën e radhës në këtë nismë dhe do të drejtohet nga Ministri Bushati. Në takim do të marrin pjesë Komisioneri i BE-së për Rajonet, z. Johannes Hahn, Komisionerja për Çështjet e Detit, znj. Maria Damanaki, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, vendit që ka Presidencën e BE_së, zoti Evangelos Venizelos, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ), si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NAJ.
Zhvillimi i këtij aktiviteti është i një rëndësie të veçantë, pasi organizohet në kuadër të mbështetjes së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR), strategji e cila pritet të miratohet në fund të vitit 2014.
Ministri Bushati është ftuar të kontribuojë në hapjen e Sesionit të Parë Plenar të Konferencës për EUSAIR, ku pritet të informojë auditorin rreth zhvillimeve të muajve të fundit të Presidencës shqiptare të NAJ, si dhe mbi ecurinë dhe konkluzionet e Takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të NAJ, zhvilluar paralelisht me Konferencën e EUSAIR.
Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Ministri Bushati do të zhvillojë dhe një takim me emigrantë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj, në ambientet e Ambasadës shqiptare në Athinë.
Burimi MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
