ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Mimi Kodheli në Athinë të Martën për vizitë dyditore

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli nis të martën, një vizitë zyrtare dyditore në Greqi. Në axhendën e saj, ministrja Kodheli ka parashikuar fillimisht takimin me Kryeministrin e Republikës Greke, z. Samaras. Më pas do të organizohet një ceremoni për vendosjen e kurorave me lule pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur. Më tej, në radhë vijnë bisedimet mes dy delegacioneve, ku do të bëhet një përmbledhje e Stafit të Përgjithshëm Kombëtar të Mbrojtjes Greke.

Bisedimet individuale me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Greqisë dhe një shkëmbim suvenirësh në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, do të vijojnë më tej, për ta mbyllur ditën e parë të vizitës me një konferencë shtypi të të dy ministrave. Ditën e mërkurë vizita vijon në mjediset e Akademisë Ushtarake Greke, ku do të shikohet edhe muzeu. Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli do të ketë më tej, një takim me studentët e Akademisë Ushtarake Greke dhe shkollave të tjera ushtarake. Dhe në fund, është parashikuar takimi i ministres Kodheli me Presidentin e Republikës së Greqisë, z. Karolos Papoulias. Greqia, përveçse një shtet fqinj i Shqipërisë, tashmë është edhe kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian.

Ndaj, veç çështjeve dypalëshe që Shqipërinë e lidhin me Greqinë, shtohet edhe çështja e integrimit evropian, duke pasur parasysh se në qershor të këtij viti pritet një tjetër provim për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kontaktet e qeverisë shqiptare me atë greke kanë qenë të shpeshta këto kohë. Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i telefonoi homologut Venizelos për ta uruar për marrjen e drejtimit të BE-së. Ndërkohë, në nëntorin që kaloi, vetëm pak kohë nga marrja e detyrës së qeverisë së re, presidenti grek Papoulias ishte në Tiranë. Presidenti grek Papoulias e garantoi kryeministrin shqiptar Edi Rama se Greqia do të jetë në krah të Shqipërisë në përpjekjen e saj për t’u bërë pjesë e BE.

Në takimin me Papoulias, krerët e shtetit shqiptar kërkuan heqjen e ligjit të luftës. Papoulias vuri në dukje se gjatë bisedës me presidentin shqiptar u diskutua dhe çështja e delimitimit të kufirit detar. “Diskutuam gjithashtu për marrëveshjen e delimitimit detar. Informova z. Nishani, se politika e integruar detare do jetë përparësi për Presidencën greke në BE dhe atë italiane që do e zëvendësojë”, – ka thënë Papoulias.

 

Burimi www.ballkanweb.com

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top