Shqip

Mashtrimi masiv me azilin në Gjermani, hetohen disa agjenci udhëtimi

Rreth 2200 shtetas shqiptarë janë larguar nga vendi vetëm tre muajt e fundit drejt Gjermanisë, me kërkesën për azil ekonomik. Gjatë një interviste për Top Channel, zëvendësministrja e Brendshme pohon se shtetasit shqiptarë po mashtrohen nga persona të caktuar, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për mashtrim me pasoja të rënda.

“Në momentin që flasim është duke u hetuar kjo çështje, konkretisht një agjenci turistike. Mendojmë që është një skemë mashtrimi kryesisht e ofruar nga kompanitë turistike për të përfituar ekonomikisht dhe për të gënjyer qytetarët. Për t’iu ofruar nën pretekstin e një azili mbërritjen në Gjermani, gjë që nuk është e vërtetë. Në mënyrë absolute, asnjë shtetas shqiptar nuk ka mundësi që të përfitojë azil në Gjermani, apo edhe në vende të tjera të BE-së. Nuk mund të flas më shumë për çështjen e hetimit, por janë përdorur rrjetet sociale pikërisht për të ofruar një mënyrë joshjeje për një jetë më të mirë në Gjermani. Por, ata kanë dalë garant edhe për t’i ndihmuar me pajisjen me pasaporta biometrike, gjë që u pa edhe nga fluksi i madh i kërkesave për pasaporta biometrike me procedura të përshpejtuara dhe në një kohë të shkurtër. Gjë që ngriti edhe dyshimet tona për këtë skemë mashtrimi që ofrohet nga persona, qoftë nën petkun e agjencisë, por edhe individë të veçantë”, tha zv.ministrja Elona Gjebrea.

Policia kufitare prej ditësh po kthen të gjithë ata persona, të cilët janë gjetur pa dokumentacionin e duhur për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, e për pasojë nuk janë lejuar të udhëtojnë më tej. Por cilat janë qytetet më problematike?

“Nga informacionet që kemi kryesisht nga policia kufitare, rezulton që janë qytete si Fieri, Vlora, Berati dhe Durrësi. Nga këto qytete, shtetasit shqiptarë janë përpjekur të kalojnë në BE përmes agjencive turistike, e theksoj këtë, drejt Gjermanisë”, tha më tej Elona Gjebrea.

Zv.ministrja e Brendshme u bën apel shtetasve shqiptarë të mos mashtrohen, pasi të gjithë ata që kanë aplikuar për azil në Gjermani do të kthehen.

“Në mënyrë absolute, sikurse ka thënë edhe ambasadori gjerman në intervistat e tij, asnjë shqiptar nuk do të përfitojë azil ekonomik në Gjermani. Kjo është shumë e qartë, pra do të thotë se të gjithë ata shqiptarë që kanë kërkuar azil ekonomik do të kthehen, sipas rregullave që Gjermania ka me Shqipërinë”, përfundoi Elona Gjebrea.

 

Marë nga: top-channel.tv

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top