Një masakër ka ndodhur në qytetin e Selanikut, ku një 55-vjeçar vrau kunatin, motrën e tij dhe fëmijën e tyre 12-vjeçar. Pas vrasjes së 3-fishtë, autori tentoi të vriste edhe veten por pa sukses, i cili më pas u arrestua nga policia.
Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin verior mesditën e së premtes, mendohet se ndodhi për shkaqe ekonomike. Athanasiu Kamaris kohët e fundit ishte i papunë dhe përfitonte një rrogë si taksist.
Ai kishte një pistoletë dhe një thikë kur shkoi te familja e kunatit të tij të kryente vrasjet makabre. Pasi u grind me çiftin, fillimisht qëlloi me thikë kunatin Jorgo Makroglu, më pas motrën dhe në fund djalin 12-vjeçar i cili ishte traumatizuar nga ngjarja e rëndë që kishte parë me sytë e tij.
Sipas gazetës greke ‘Protothema’, autori pasi kishte vrarë të gjithë familjen, u hodh nga kati i dytë i ndërtesës për t’u vetëvrarë, por mbeti i plagosur. Vrasja u lajmërua nga nëna e kunatit dhe gjyshja e 12-vjeçarit, e cila pa me sytë e saj të gjithë ngjarjen dhe doli në rrugë duke bërtitur “e dija se kjo gjë do të ndodhte një moment”.
Aktualisht autori është i shtruar në spital dhe ruhet nga policia, pasi ndaj tij është lëshuar masë arresti. Duke folur për të njëjtën gazetë, kryetari i Bashkisë së Selanikut, Tsakalidhis tha se i gjithë qyteti është i shokuar nga ngjarja e rëndë. Pasi të dalë nga spitali, autori do të merret në pyetje nga policia për të hedhur dritë mbi shkaqet e plota të vrasjes.
Πηγή:shqiptarja.com
