Shqip

Marrëdhëniet Katar – Shqipëri drejt një rruge të mbarë

Ambasadori i Katarit në Shqipëri, Yousuf Hassen AL- SAAI, në një intervistë të dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, deklaroi se marrëdhëniet politike ekonomike mes dy vendeve do të intensifikohen në të ardhmen.

Zoti Ambasador! Si i shihni marrëdhëniet midis Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë?

Marrëdhëniet mes Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë janë marrëdhënie të mira dhe të forta, të bazuara në respektin reciprok dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në interesin e dy vendeve miq. Unë do të doja t’ju siguroj për thellësinë dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e gjerë në nivelin e marrëdhënieve politike, ku ka një koordinim të plotë mes të dy vendeve sa i përket nominimeve të ndërsjella brenda organizatave ndërkombëtare. Ekziston dhe një bashkëpunim i ngushtë mes dy vendeve në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku Republika e Shqipërisë mbështetet fort në rolin e Shtetit të Katarit për të nxitur pjesën tjetër të vendeve anëtare të Organizatës për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Po ashtu, edhe shteti i Katarit e njeh rëndësinë e rolit të rëndësishëm që luan Republika e Shqipërisë në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. Katari mbështet të gjitha përpjekjet që çojnë në forcimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Vendi ynë ka patur tradicionalisht marrëdhënie të mira me shtetet arabe të Gjirit, por tashmë kemi një histori të re të marrëdhënieve me Katarin, a ka një dëshirë për të zhvilluar një traditë të re marrëdhëniesh?

Marrëdhëniet tona me Shqipërinë nuk janë rezultat i momentit, por janë marrëdhënie historike dhe autentike. Sa i takon nivelit mes dy popujve, ka shumë cilësi, zakone e traditat të përbashkëta mes popujve të të dy vendeve, ndërsa në aspektin politik, qëndrimet e dy vendeve rreth çështjeve dhe ngjarjeve globale përputhen në një masë të madhe, dhe këtë kuptim ekziston një terren tepër i përshtatshëm për krijimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet të dy vendet në të gjitha fushat.
Po kështu ka një vullnet të sigurt nga të dy palët për të forcuar marrëdhëniet midis tyre. Në këtë drejtim vitet e fundit kanë shënuar një hov domethënës në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe natyrisht këto hapa janë reflektuar pozitivisht në nivelin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, dhe unë mund të them se vizitat e ndërsjella ndërmjet zyrtarëve të lartë të të dy vendeve kanë kontribuar për t’i dhënë një shtysë të fortë marrëdhënieve bilaterale.

Drejtori i Pergjithshem i Agjencise Telegrafike Shqiptare Gezim Podgorica gjate takimit me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Yusuf AL-SAI me rastin e festës kombëtare Foto Agim Dobi
Republika e Shqipërisë hapi ambasadën e saj në Doha më 2011. Vizita historike që zhvilloi Lartësia e Tij Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani (Kreu i mëparshëm i Shtetit të Katarit) në Tiranë në 18 Tetor 2011 i hapi rrugën zgjerimit të horizonteve të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve duke nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje bashkëpunimi dypalësh në shumë fusha, e ndjekur më pas nga hapja e Ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë në Janar 2012.

Këto hapa të rëndësishëm kanë dhënë frytet e tyre në aspektin e promovimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në bazën e dëshirës reciproke për të thelluar dhe forcuar lidhjet vëllazërore dhe miqësinë mes dy popujve dhe për interesin e përbashkët.
Vizita zyrtare e Shkëlqesisë së Tij, Kryeministrit shqiptar Z. Edi Rama, në Doha në Prill 2014 erdhi në kuadër të angazhimit të të dy vendeve për të rritur bashkëpunimin mes tyre, veçanërisht në fushën ekonomike, për të shfrytëzuar mundësitë që paraqesin të dy vendet, si dhe për këmbimin e pikëpamjeve rreth çështjeve me interes nga të dy palët. E në këtë drejtim, edhe vizitat e mëparshme nga ish Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi, si dhe ish Kryeministri Z. Sali Berisha bashkë me disa Ministra të mëparshëm dhe aktualë, theksojnë interesin e madh që tregojnë të dy vendet për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha nivelet për interesin e të dy popujve .

Pa dyshim, marrëveshjet e nënshkruara midis dy vendeve do të kenë një ndikim të madh në rritjen e bashkëpunimit dypalësh, dhe ndoshta marrëveshjet e fundit që u nënshkruan gjatë vizitës së Shkëlqesisë së Tij Kryeministrit në Prillin e kaluar në Doha, sidomos marrëveshja në lidhje me punësimin e shqiptarëve në Katar do të ndikojë ndjeshëm në një të ardhme të afërt për të krijuar më shumë mundësi punësimi për të rinjtë shqiptarë të kualifikuar për të punuar në sektorë të ndryshëm, sidomos në fushën e ndërtimit,  pasi Katari është në kuadër të përgatitjeve për të pritur Kupën e Botës, gjithashtu edhe në fushën e turizmit, shëndetësisë etj.
Ka një interesim nga kompanitë e Katarit për të tërhequr punëtorë shqiptarë, përfshirë këtu kompaninë e fluturimeve Katar Airways, e cila zhvillon periodikisht intervista në Tiranë për të zgjedhur të rinj shqiptarë të aftë për të punuar në ekuipazhin e tyre. Ky është vetëm fillimi…. Unë jam shumë optimist.

 

Për më shumë: http://shqiptarja.com/

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top