ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Margarita Xhepa, në shqip para publikut grek

Trupa e Teatrit Kombëtar shqiptar, e përbërë nga aktorë të shquar, do të interpretojë në Athinë tragjedinë “Trojanët” të Euripidit

Trupa e Teatrit Kombëtar shqiptar, e përbërë nga aktorë të shquar, do të interpretojë në Athinë tragjedinë “Trojanët” të Euripidit

Më 21 korrik 2008, Teatri i Gurëve (Theatro Vrahon) në lagjen Vyrona të Athinës do të flasë shqip. Trupa e Teatrit Kombëtar shqiptar, e përbërë nga aktorë të shquar, do të interpretojë tragjedinë “Trojanët” të Euripidit, një nga kryeveprat e letërsisë së antikitetit grek.

Për të prezantuar shfaqjen para botës artistike greke, këto ditë u gjend në Athinë Artistja e Popullit Margarita Xhepa. Bashkë me të drejtori i teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, regjisori grek i shfaqjes Vangjelis Teodoropulos dhe aktori e regjisori i mirënjohur Laert Vasili.

Ata folën në konferencën për shtyp që u zhvillua në një mjedis idilik, në terracën e Strehës së Librit (Stoa tu Vivliu), nga bashkia e Vyronas, që është dhe organizatore e festivalit të tashmë të mirënjohur, në programin e të cilit inkuadrohet sivjet shfaqja e teatrit tonë kombëtar.

Euripidi flet shqip

Nismëtar i këtij bashkëpunimi që do ta bëjë Euripidin të flasë shqip në skenë, në përkthimin e shkrimtarit emigrant, Romeo Çollaku, (dhe që është një shfaqje – stacion, për çdo trupë teatrore në mbarë botën), ishte Laert Vasili, i cili për Tribunën, thotë:

“Ky udhëtim ka filluar këtu e dhjetë vjet përpara, më 1998, kur u takova për herë të parë në teatër me zonjën Xhepa, te Elektra e Sofokliut, në teatrin antik Epidaurus, dhe në disa vende të Euroës e në Kanada. Unë luaja rolin e Orestit dhe Margarita rolin e Dados. Pra, m’u deshën dhjetë vjet, (aq sa edhe grekëve për të mposhtur Trojën, qesh), m’u deshën pra dhjetë vjet për të hedhur urat me Teatrin Kombëtar shqiptar dhe me ardhjen e Margaritës këtu në Greqi. Ishte një ëndërr e imja, pse besoj që në 60 vjet veprimtari të teatrit Kombëtar, i duhej patjetër të vinte në skenë një tragjedi greke. Dhe njerëzit që e njohin më mirë këtë janë vetë regjisorët grekë. Kështu që ardhja e Vangjelis Teodoropulos ishte një shtysë mjaft e madhe për t’u realizuar ky projekt. Bashkë me Vangjelin në teatrin Neos Kosmos kemi vënë edhe “Emigrantët” dhe pjesën që po vazhdon tani, “Një në dhjetë”, që është përzgjedhur të përfqaësojë Greqinë edhe në festivalet botërore”.

E ëmbël, e hijshme, tepër tërheqëse si femër, edhe pse në një moshë të kaluar, Artistja e Popullit Margarita Xhepa, lëshon një dritë të ngrohtë nga sytë, kur flet për rolin e saj më të ri:

“Unë jam jo e gëzuar, por shumë e lumtur që në këtë moshë angazhohem në një rol të tillë të tragjedisë greke. Ka qenë ëndrra ime kjo dhe vërtet po prek një ëndërr të madhe, të gëzueshme”, thotë zonja Xhepa.

Shqiptarët kanë

artin e tyre

Ndërsa flasim, konferenca e shtypit për prezantimin e programit të festivalit ka filluar. Regjisori Vangjelis Teodoropulos ndodhet në podium, për përshëndetjen e rastit. “Emigrantët shqiptarë nuk janë vetëm ai krahu i lirë i pumnës që jemi mësuar t’i shohim; ata janë njerëz që kanë artin e tyre, kulturën e tyre kombëtare, dhe gëzojnë edhe të drejtën për ta parë këtë art në skenën greke”, thekson ai.

Më pas, kryetari i bashkisë së Vyronas, Nikos Hardalas fton në podium Margarita Xhepën. Në rolin e përkthyesit, Laert Vasili e merr fjalën i pari dhe tregon se si rrugën, nga sheshi Omonia deri tek Streha e Librit, një distancë rreth 300 metra, atyre iu desh ta bënin për më shumë se 35 minuta. Arsyeja: shqiptarët e shqiptaret që ndalonin në rrugë Margaritën e i puthnin dorën, e përqafonin si njeriun e tyre të dashur e të afërt. Përndryshe, siç do të thoshte pak më vonë Laerti, “breza të tërë shqiptarësh janë rritur me Margaritën dhe yjet e tjerë të ndritur të ekranit shqiptar”.

Trupa ka më shumë se tri javë që ka filluar provat. Përveç Margaritës, në rolet kryesore interpretojnë: Gulielm Radoja (Poseidoni), Rajmonda Bulku (Helena), Luiza Xhuvani (Andromaka), Ema Andrea (Kasandra), Arben Dehremi (Menelau), etj.

Prania e Margarita Xhepës në Athinë, ka tërhequr edhe vëmendjen e medias greke. Një nga gazetat më të mëdha vendase, Elefterotipia, i kushton divës së skenës shqiptare një intervistë dyfaqëshe, me titull “Ekuba nga Tirana”. “Deri më sot afishet në gjuhën shqipe i ftonin emigrantët në taverena ku këngëtarë nga vendi i tyre “mbushin xhepat”. Mirëpo, në korrik, do të shohim në rrugët e Athinës afishe me të njëjtën gjuhë, që do t’i ftojnë emigrantët të ndjekin shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, “Trojanët”. Rolin e Ekubës do ta interpretojë aktorja më e madhe e Shqipërisë, Margarita Xhepa”, thekson gazetari grek.

Premiera e “Trojanëve” do të shfaqet fillimisht në Butrint, në kuadër të festivalit teatror me të njëjtin emër, më 17 korrik. Katër ditë më vonë, më 21 korrik do të jepet në teatrin e Gurëve në Vyrona, Athinë.

Vangjelis Teodoropulos, regjisor

“Kemi tri javë që bëjmë prova, tani erdhëm vetëm për prezantimin e festivalit. Sigurisht kam shkuar disa herë në Shqipëri për të përzgjedhur aktorët. Ajo që shoh në prova, është se artistët, aktorët në Shqipëri, kanë nevojë shumë të madhe, dhe dëshirë shumë të madhe të hapen në botë, të njohin dhe kolegë të tjerë, regjisorë të tjerë. E njëjta gjë ndodh në të gjithë botën, edhe ne këtu në Greqi, kur vjen një regjisor i madh siç u bë kur erdhi këtu Peter Shtajn. Shkuam të gjithë, pse kemi nevojë të njohim sa më shumë njerëz të fushës sonë. Aktorët kanë shumë nevojë të njohin praktikisht, përmes punës së tyre, regjisorë të tjerë. Kjo ndodh, madje dhe më shumë me aktorët shqiptarë, kur Tirana ka vetëm një teatër dhe shoh se me sa dëshirë e pasion, bëjnë prova aktorët. E ndjej se Shqipëria dhe teatri shqiptar ndodhen në një fazë që duan të prezantojnë një fytyrë të re, mendoj se ndodhet në një fazë të shkëlqyer dhe për mua është shumë e rëndësishme që në këtë fazë gjendem edhe unë pranë tyre.

Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar

“Është bashkëpunimi i parë i teatri t Kombëtar me një regjisor grek, për të vënë një vepër nga repertori i tragjedisë antike greke. Prej kohësh kisha menduar bashkë me mikun tim Laert Vasili, i cili ndodhet këtu dhe ka bërë një karrierë të kënaqshme dhe më vjen mirë, që është ingranuar shkëlqyeshëm, për një bashkëpunim të Teatrit Kombëtar dhe njerit prej regjisorëve të shquar të Greqisë. Dhe ramë dakord që të reazlizonim këtë tragjedi me regjisorin Vangjelis Teodoropulos. Është një punë që ka muaj që ka filluar, pasi që në muajin shkurt regjisori me gjithë Laertin kanë ardhur disa herë për të bërë audicione, përzgjedhjen e aktorëve dhe vlerësoj se është një punë serioze dhe me përgjegjësi. Duke patur parasysh që është jo vetëm bashkëpunimi i parë i tillë, por edhe hera e parë që tetatri Kombëtar vë në skenë një tragjedi. Dua të theksoj që ky bashkëpunim mbështetet plotësisht nga ambasada greke në Tiranë dhe personalisht nga ambasadori, zoti Konstandinos Kokosis dhe them që do të jetë një nga bashkëpunimet më të frytshme të teatrit Kombëtar.

Sa i përket bashkëpunimit me një regjisor të huaj, duhet të them se nuk është i pari, ne para disa kohësh vumë ne skenë me një regjisor francez Berberin e Seviljes. Ishte një vepër nga të mira e Teatrit Kombëtare. Dua të theksoj se kjo është një nga mundësitë më të mira për të promovuar artin dhe teatrin shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë. Teatri ynë ka marrë një nismë për të prpomovzar teatrin shqiptar në të gjitha trevat shqitare në Kosovë, Maqedoni. Por është e domosdoshme që teatri shqiptar të promovohet dhe jashtë këtyre kufijve. Dhe mendoj që tragjedia trojanët e Euripidit, me paraqitjen në festivalin e Vyronas, dhe ndoshta dhe në festivale të tjerë, sigurisht që do të krijojë dhe një ide se cili është teatri shqiptar, që pak njihet.

Laert Vasili, aktor-regjisor

“Ky udhëtim ka filluar këtu e dhjetë vjet përpara, më 1998, kur u takova për herë të parë në teatër me zonjën Xhepa, te Elektra e Sofokliut, që u shfaq në teatrin antik Epidaurus, dhe në disa vende të Euroës e në Kanada. Unë luaja rolin e Orestit dhe Margarita rolin e Dados. Pra, m’u deshën dhjetë vjet, (aq sa edhe grekëve për të mposhtur Trojën, qesh), m’u deshën pra dhjetë vjet për të hedhur urat me Teatrin Kombëtar shqiptar. Ishte një ëndërr e imja, pse besoj që në 60 vjet veprimtari të teatrit Kombëtar, i duhej patjetër të vinte në skenë një tragjedi greke. Dhe njerëzit që e njohin më mirë këtë janë vetë regjisorët grekë. Kështu që ardhja e Vangjelis Teodoropulos ishte një shtysë mjaft e madhe për t’u realizuar ky projekt. Bashkë me Vangjelin në teatrin Neos Kosmos kemi vënë edhe “Emigrantët” dhe pjesën që po vazhdon tani, “Një në dhjetë”, që është përzgjedhur të përfaqësojë Greqinë edhe në festivalet botërore.

-Për ty, çfarë do të thotë për teatrin shqiptar vënia në skenë e kësaj tragjedie dhe shfaqja edhe në Shqipëri, edhe në Greqi?

– Siç mund të ta konfirmojnë të gjithë që nga regjisori, skenografi, koreografi, etj., janë të gjithë të mahnitur me vlerat e aktorëve shqiptarë, por gjithashtu janë të befasuar edhe me mbylljen që ka vazhduar në teatrin shqiptar, ndonëse Shqipëria i ka hapur kufijtë gjeografikë më 1990-n, por pas 18 vjetësh, teatri i Shqipërisë vazhdon të jetë në një gjendje “monizmi”, sepse është i vetmi teatër në Tiranë, është i vetmi kombëtar dhe nga shteti ende nuk subvencionohen ndërmarrje private, të jenë ngritur godina të tjera teatri. Domethënë, nëse në Athinë që ka një popullsi 5 milionëshe, vohen 420 premiera në vit, në Tiranë që ka një milion banorë, duhej të viheshin 100 premiera në vit. Teatri shqiptar është në një fazë tranzicioni, dhe ka shumë nevojë për vlerat, për bashkëpunimet, për përvojën që sjellin regjisorët e huaj në Shqipëri. Dhe aktorët shqiptarë punojnë me shumë dëshirë me regjisorë të huaj.

-Ti ke një përvojë shfaqjesh që u drejtohen edhe emigrantëve shqiptarë. A mendon se kësaj here artdashësit shqiptarë do të vijnë ta ndjekin këtë shfaqje?

-Besoj se po. Mendoj se nuk do të jetë vetëm interesi teatral, por edhe ai njerëzor, pse do të shohin për herë të parë në skenat greke figura të mëdha si Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Gulielm Radoja, njerëz me të cilët janë rritur në vitet e vegjëlisë nga ekranet e kinemasë, dhe tani do t’i shohin në skenën greke.

Nikos Hardalas, kryetar i bashkisë, Vyrona

“Mbetet një pikëpamje e jona e qëndrueshme, se shoqëria e së ardhmes duhet të na gjejë të gjithë bashkë, të bashkuar, në përpjekjen tonë për të përmirësuar cilësinë e jetës. Prania e emigrantëve ekonomikë në Greqi është një fakt real. Ashtu si dikur grekët emigruan jashtë shtetit dhe u bënë të pranueshëm nga popujt e atjeshëm, tani është përgjegjësia jonë të jetojmë në një mjedis respekti reciprok dhe të hapur ndaj çdo gjëje të re, çdo gjëje të ndryshme.

Ne vazhdimisht promovojmë çështje që kanë të bëjnë me shoqërinë e hapur, kështu që të trajtojmë probleme të racizmit e të ksenofobisë. Për ne, bashkëjetesa me emigrantët nga Shqipëria, nga Rumania, nga gjithë ata popuj që sot gjenden në bashkinë tonë, përbëjnë prioritet kardinal.

Tribuna

ΣΧΟΛΙΑ

The Latest

To Top

Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Τα cookies επιτρέπουν μια σειρά από λειτουργίες οι οποίες μας βοηθούν να προσωποποιήσουμε το περιεχόμενο, να ρυθμίσουμε και να μετρήσουμε τις διαφημίσεις, και να παρέχουμε πιο ασφαλή εμπειρία στο Albanians.gr. Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Close