ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Kush është Zhozef Fushèja i politikës shqiptare ?

Miranda Haxhia

Në parlament, atje ku kundërshtarët politikë përpiqen kokë më kokë duke mbytur shokun me frymën e nxehtë të fjalimeve armiqësore, Ai është ulur poshtë, aty ku rrinë njerëzit pa pasion, që ruajnë paanësinë kur merren vendimet.

Harmonia e minutave të para nuk e mashtron. Ai e di që aty do të nisë lufta për jetë a vdekje. Fakti se në ç’vend është ulur Ky deputet, poshtë “në kënetë” apo lart “në mal” flet për vendimin që do marrë. Është i kujdesshëm, zor të ketë njeri tjetër më të kujdesshëm se Ai. Nuk flet kurrë, heshtja e këtij modesti memec zgjon simpati…..

Por modestia e tij është llogari. Ai llogarit forcat, nuk nxiton të shprehë pikëpamjen e tij, tek sheh që peshorja lëkundet sa në një anë në tjetrën. Kryesorja është të mos e harxhosh veten para kohe, të mos rrëfesh para kohe pozitën që mban, të mos e lidhësh veten përgjithmonë! Artit për të mbetur në hije, i mbetet gjithmonë besnik. Kurrë nuk është bartës i hapur i pushtetit, por ka tërë pushtetin në dorë, mban të gjitha fijet e tij dhe asnjëherë nuk është përgjegjës. Vazhdimisht qëndron pas shpinës së një kryesori, fshihet prapa tij, e nxit atë, dhe kur Kryesori bën përpara, e mohon në çastin vendimtar- ky është roli i tij i dashur. Ky intigrant, më i përkryeri i arenës politike, e luan rolin e vet me të njëjtën përsosmëri maskimi. Ndonjëherë i vjen rasti dhe i lind tundimi të marrë në dorë rolin kryesor. Por Ai është tepër i zgjuar që të tentojë seriozisht drejt kësaj. Ai nuk e harron fytyrën e vet të shëmtuar, të neveritshme, e cila nuk është e përshtatshme për medalje, për shkëlqim dhe popullaritet. Ai nuk harron zërin e tij, i cili është i mirë për të pëshpëritur në vesh, për të ndërsyer, për të ndjellë dyshime, por kurrë nuk mund të ndezë masat me fjalime të zjarrta. Ai e di më mirë se kushdo që, më i fortë është në zyrën e tij, në kabinetin e tij, me dorë të mbyllur, në hije. Që aty mund të vëzhgojë, të hetojë, të bindë, të thurë, të shthurë fijet e intrigave, duke mbetur i padepërtueshëm, i pakapshëm. Kjo është e fshehta e fuqisë së tij. Vazhdimisht synon drejt pushtetit, madje diçka më shumë, drejt pushtetit më të lartë, por ndryshe nga shumica, atij i mjafton ideja për të qënë i pushtetshëm, sepse nuk i duhen dekorata dhe veshjet që i jep pushteti. Është ambicioz, por jo krenar.

Si mjeshtër i përkryer i intrigës, Ai vlerëson vetëm mundësinë reale të pushtetit. Ai kënaqet me faktin që e njeh gjendjen, që ndikon mbi njerëzit, që në të vërtetë drejton si sundues memec dhe pa rrezikuar veten, drejton lojën më të guximshme nga të gjitha kumaret – lojën e madhe politike. Ndërsa të tjerët janë të lidhur me bindjet e veta, me fjalimet publike, Ai ruan diku, në një vend të fshehtë lirinë e tij të brendshme, duke mbetur si pol i palëvizshëm në vrapin e ngjarjeve. Ai mbetet gjithmonë në saj të burrërisë së vet cinike. Ai është i paturpshëm. Kur braktis tradhtisht një parti, Ai asnjëherë nuk tregohet i kujdesshëm e i ngadalshëm, nuk përvidhet i ndrojtur për të dalë nga radhët e saj. Në mes të ditës me diell, me një buzëqeshje të ftohtë, me një siguri të habitshme e dërrmuese, Ai hidhet drejt e tek kundërshtari i djeshëm, duke përvetësuar gjithë fjalët dhe argumentet e tij. Se ç’thonë shokët e tij të mëparshëm, se ç’mendon turma dhe opinioni, Ai as që do t’ia dijë fare. Për të vetëm një gjë ka rëndësi: të jetë gjithmonë në anën e fitimtarit, jo në anën e të mundurve. Në transformimin e tij të rrufeshëm dhe në cinizmin e pakufishëm të tradhtisë së tij, Ai ruan një masë arrogance, që padashur, të lë gojëhapur e të ngjall admirim. Për të mjafton një orë, apo një çast i vetëm që para të gjithëve të flakë tutje flamurin e bindjeve të veta dhe të shpalosë një tjetër flamur valëvitës. Me nuhatje të mprehtë Ai parandien rrezikun dhe parashikon ditët kritike. Nuk para ka qejf ta lidhë veten përpara se përcaktimi i pozicioneve të bëhet i sigurt dhe me leverdi. Ai e di se zgjuarsia e diplomatit qëndron në atë që, në momentin vendimtar, të jesh sa më larg disa ngjarjeve. Si organizator dhe i aftë për të kapur shpejt çdo situatë, Ai është në një nivel me shokët e tij, kurse kur ndodhet larg, në provincë, atje ku vjen më ngadalë ndryshimi, për nga egërsia e fjalimeve që mban, ua kalon të gjithëve. Ai e hap shpirtin e tij vetëm për interesa të ftohta, bën llogari se çfarë fitimesh do të marrë nga posti i vet, nga ofiqi, nga talenti i tij, Ai, është njeriu, gjaku i të cilit nuk turbullohet asnjëherë kur sheh shfrytëzim dhe luks, pasi edhe në mes pasionesh mbetet kalkulator dhe realist. Kur e ndjen se kursi i frazave dhe retorikës së fjalimeve bie njëlloj si kursi i dollarit, Ai fillon e josh me gjuhën e paràsë, të monedhës. Ai e njeh burracakërinë e shumicës së njerëzve. Nuk bën qoftë edhe një ekzekutim të vetëm për motive politike. Lajtmotivi i psikologjisë së tij është se një gjest i egër e i fuqishëm prej terroristi, në shumicën e rasteve mund të zëvendësojë vet terrorin si të tillë. Është njeri i ftohtë, pa ndjenja, kumarxhi i mendjes, më tepër dhelpër se tigër, nuk ka nevojë për duhmën e gjakut që t’i ngacmohen nervat. Ai tërbohet dhe kërcënon. Instinkti dhe maturia, jo humanizmi e bëjnë ta respektojë jetën e njeriut, përderisa nuk kërcënohet jeta e tij. Ai do t’i kanoset jetës dhe fatit të njeriut vetëm atëherë kur do të jenë në rrezik jeta apo interesi i tij. Ai është një llogaritar i pashpirt, një amoral cinik, i cili kurrë nuk i shërbeu një ideje, por gjithmonë, vetëm e vetëm pushtetit, duke i tradhtuar të gjithë në çastin e volitshëm.

Për fat të keq historia nuk është vetëm histori e guximit njerëzor, dhe politika nuk është udhëheqëse e mendimit shoqëror, por dhe një histori e burracakërisë njerëzore.

“Që nga koha e Plutarkut,- shkruan S. Cvajg,- heronjtë janë të domosdoshëm për brezat e rinj, për rininë e të gjitha epokave. Por pikërisht nga pikëpamja politike ata fshehin rrezikun e shtrembërimit të historisë, duke krijuar përshtypjen sikur në ato kohë të largëta e madje në çdo kohë, natyrat me të vërtetë të larta, gjoja përcaktojnë fatet e botës”. Padyshim, heroi, vetëm me faktin e ekzistencës së vet është i aftë që, për dhjetëra apo qindra vjet, të bëjë për vete jetën shpirtërore! Në jetën reale, në jetën e vërtetë, në fushën e veprimit të forcave politike, rëndësi vendimtare kanë jo mendjet e ndritura, jo bartësit e ideve të dëlira, por një soj njerëzish aq shumë të poshtër, sa edhe të shkathët: personalitete të prapaskenës, njerëz me moral të dyshimtë e mendje të ngushtë. Bindemi çdo ditë e më shumë se lojën e fëlliqur e shpesh herë mëkatare politike, e udhëheqin njerëz me horizont të ngushtë moral, kumarxhinj profesionistë, që kanë duar të shkathëta, fjalë boshe dhe gjakftohtësi të pashembullt. Para shumë vjetësh Napoloni thoshte : Politika është kthyer në një fatalitet modern. Shumë kohë pas rënies së Patroklit, Hektorit dhe Akilit, dinaku Odise vazhdoi të jetonte!

Kush është Zhozef Fushèja kjo pjellë historie, por që shumë dendur e gjen në arenën e madhe të politikes shqiptare? Mos ngrini kokën ta shikoni duke fluturuar, as duke u hedhur me kërcime të rënda si mizëria e karkalecave, si gjithmonë është duke rrëshqitur, duke u përdredhur e duke helmuar.

SHENIM: * Balzaku e quan Zhozef Fushè-në gjeni të rrallë, të vetmin që mundi Robespierin e pathyeshëm, të vetmin ministër të Napolonit qe e mundi Napolonin,dhe një prej atyre njerëzve, të cilët nën petkun e jashtëm fshehin një thellësi të tillë, që i bën ata të padepërtueshëm kur veprojnë vetë e që mund të kuptohen vetëm në të ardhmen. Gjenialiteti origjinal që e tmerroi aq shumë Napolonin, u zbulua tek Fushè-ja jo menjëherë.

Gazeta Tribuna

The Latest

To Top

Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Τα cookies επιτρέπουν μια σειρά από λειτουργίες οι οποίες μας βοηθούν να προσωποποιήσουμε το περιεχόμενο, να ρυθμίσουμε και να μετρήσουμε τις διαφημίσεις, και να παρέχουμε πιο ασφαλή εμπειρία στο Albanians.gr. Χρησιμοποιώντας αυτόν τον ιστότοπο, συμφωνείτε με τη χρήση των cookies, σύμφωνα με τις οδηγίες περισσότερα

Close