Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka qenë sërish tema në fokus të takimit që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me kryetarin e Parlamentit të Greqisë Vangelis Meimarakis. Duke shprehur mirënjohje Greqisë për mbështetjen ndaj Shqipërisë për statusin, kryeministri Rama tha se vizita e Meimarakis në Tiranë forcon urat e bashkëpunimit rajonal.
Në kuadër të takimit të zhvilluar sot për nismën Adriatiko-Joniane, kreu i qeverisë tha se kjo vizitë i shërben forcimit të urave të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta mes vendeve të rajonit.
Ndërsa zoti Meimarakis, teksa rikonfirmoi se Greqia mbështet plotësisht përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE, u shpreh se një nga objektivat e Presidencës greke të Këshillit të BE, është që Shqipëria deri në muajin qershor të ketë një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Sa i takon zhvillimeve rajonale, gjatë takimit Rama-Meimarakis u theksua se bashkëpunimi i frytshëm mes vendeve të rajonit, i shërben prosperitetit të vendeve, si dhe ruajtjes dhe forcimit të paqes dhe stabilitetit.
burimi www.shqiptarja.com
