Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë do të zhvillojë takime me krerë të lartë të shtetit që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE.
Kështu në orën 8:30, komisionieri Fyle është takuar me kryeministrin Edi Rama, bashkë më ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi. Takimi ka qenë pa praninë e mediave, ndërkohë pritet që detajet e tij të zbardhen minutat në vazhdim. Ndërkohë është parashikuar edhe takim me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndërsa në orën 10.45 pritet të nisë takimi për Dialogun e Nivelit te Larte Shqiperi-BE. Takimi do te zhvillohet me dyer te mbyllura per mediat.
Në këtë tryezë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë larguar në Dublin ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane, por ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha dje se do të jetë prezente dhe opozita, që e konsideron këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët.
Takimi i nivelit të lartë pritet të përfundojë në orën 13:00 kur komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle dhe kryeministri Edi Rama, do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Ndërsa në orën 13:30 komisioneri Fyle do të zhvillojë një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.
burimi www.top-channel.tv
