ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Këtu lind injoranca e shoqërisë shqiptare! Këtu fillon..se ku mbaron akoma si dihet! SKANDAL

Zbulohet skandali në librat e vitit mësimor 2014-2015. Në duart e nxënësve, manuale se si të bëhesh kriminel, mashtrues dhe imoral. Pas denoncimeve të shumta, Ministria e Arsimit premton heqjen nga qarkullimi

 

Shkojnë në shkollë që të bëhen qytetarë të mirë, të nxënë dije, të shfaqin dhuntitë e tyre në drejtime të caktuara. Marrin tekstet shkollore dhe jashtëshkollore dhe presin t’i fitojnë këto dije prej tyre. Por jo të gjitha janë ashtu. Madje janë skandaloze, siç po zbulojnë dhjetra denoncimet e prindërve që lexojnë të çmeritur se me çfarë lënde janë mbushur tekstet që duhet të mësojnë fëmijët e tyre. “Shekulli” sjell sot disa shembuj se sa problematike janë tekstet e nxënësve të arsimit parauniversitar, por edhe më lart. Duke treguar se nuk ka patur një filtër institucional për tekstet shkollore dhe se përgjegjësia duhet kërkuar së pari aty, përveçe se shtëpitë botuese që kanë pranuar tekste nga autorë që vetëm me edukimin nuk kanë lidhje. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla premtoi dje se këto tekste do të nxirren nga qarkullimi: “Ka probleme me tekste. Do të ketë padyshim rishikim heqje nga qarkullimi, sepse për ne janë të shtrenjtë fëmijët e Shqipërisë dhe nuk do të lejojmë deformime të tilla në formimin e fëmijëve”, u shpreh ministrja. “Shekulli” iu ofron një panoramë të këtyre gabimeve ku shfaqen përralla të deformuar, gjuhë vulgare, gabime trashanike që deformojnë kuptimin e fjalëve, tekste të përkthyera me google translate si edhe shembuj dhe kërkesa absurde. Histori horrori në librin e leximit të klasës së katër Situatë rasti. Beni, së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, kishte emigruar në Greqi. Ai kishte pasur probleme me alkoolin që më parë, por pas qëndrimit në Athinë, ishte bërë tërësisht i varur nga alkooli. Një mbrëmje ai i kërkoi së shoqes para të tjera për të blerë pije alkoolike. Ajo refuzoi t’i japë dhe ai e qëlloi në kokë. Gruaja u rrëzua dhe humbi jetën në spital. Beni përfundoi në burg, ndërsa fëmijët mbetën jetimë. Për ta kujdesen gjyshërit nga nëna, të cilët e kanë të vështirë të mos u përçojnë fëmijëve urrejtjen ndaj të atit të tyre.

Ngjarje ku fëmijëve u mësohet si të gënjejnë

Shkumësi magjik …

Është shumë e thjeshtë,- filloi t’i sqarojë Tomori, – ja, unë për shembull, kur nuk dua të shkoj në shkollë, tres një copë shkumës në një gotë me ujë, e pi dhe më ngrihet temperatura menjëherë. Nëna porsa ma vë dorën në ballë, më thotë e merakosur: – Shpirti im, xhani i mamit, paske të nxehtë, sot nuk do të shkosh në shkollë! Unë bëj ca naze: – Jo, moj mami, nuk e lë shkollën, do të vete dhe i sëmurë! Por nëna ma mbyll derën me çelës dhe nuk më lejon të dal nga shtëpia! Kush nuk më beson le ta pijë ujin me shkumësin e tretur dhe do të shikojë se sa shpejt do t’i ngrihet temperatura. Një provë e vetme mjafton!

Vazhdimi

Të nesërmen Admirit iu mbush mendja që të mos shkonte në shkollë. Kishte tri orë mjaft të vështira dhe nuk ishte përgatitur. Për të mos marrë katra, do ta shpëtonte shkumësi, sipas këshillës së Tomorrit. E treti në një gotë me ujë dhe, me ta pirë, ndjeu se e pushtoi një e nxehtë e papritur. Atë çast në dhomë hyri i ati: – Nuk po vishesh që të shkosh në shkollë? – e pyeti. –Nxito se të bëhet vonë. Admiri perëndoi sytë: -Baba, më vjen shumë keq që sot do të mungoj, por jam i sëmurë, kam temperaturë. Të lutem, fërkoma ballin. A më digjet, apo jo? I ati po matej të kërkonte termometrin për t’i matur temperaturën kur vuri re gotën e harruar sipër komodinës. Në fund kishte mbetur një gisht nga lëngu me shkumësin e tretur. E vuri në gojë dhe pasi e provoi, i tha të birit: – Qënka shumë i çuditshëm ky lëngu që cangre temperaturën në çdo çast, sa herë që të teket…. Më vjen shumë keq që po ta them troç: e njoh shumë mirë këtë marifet…. Admiri u përpoq të mbrohej me një gënjeshtër. – Jo, o ba.. Unë desha… Domethënë…Më beso se unë… -Ti mbylle gojën!- i shfryu i ati i xhindosur. Kërkesa për klasën e parë Ndahuni në grupe. Zgjidhni njërin nga mjetet e mëposhtme. Tregoni mënyrën e përdorimit të tij. 1. I-phone 2. Kompiuter 3. E-mail Toçi që prishi martesën Roland,- tha Elisabeta, – Rrobat e tua janë vërtet të bukura dhe flokët e tu janë aq të lëmuar. Ti dukesh si një princ i vërtetë, po ti je fare toç. Dhe pas kësaj ata nuk u martuan.

Transformimi i përrallës së milingonës me gjinkallën

Milingona dhe gjinkalla

Njëherë, gjinkalla vajti te milingona në mes të dimrit dhe i tha: – E dashura milingonë! Më jep diçka, se s’kam ç’të ha në këtë kohë të keqe. -Po ti ç’bëje në verë, – e pyet milingona. Unë, shkuma party dhe check- ine në Dhërmi! – iu përgjigj gjinkalla.

Kërkesa pa kuptim

Çfarë ngjyre ka ariu

5. Një ari ndjek një njeri. Njeriu hipën në pemë nga frika dhe godet ariun me gurë, vertikalisht poshtme shpejtësi fillestare v0= 5m/s. Guri bie në tokë për 2s, ndërsa pema është e lartë h= 29,62m. Gjeni ngjyrën e ariut.

Zgjidhje: Kjo është rënie e lirë vertikale pra mund të përdoret formula…. pra, nxitimi i rënies së lilë doli 9.81 m/s2. Ky është nxitimi në polet e tokës që do të thotë që “eksperimenti” është zhvilluar në një nga polet e tokës, prandaj ariu është polar dhe ka ngjyrë të bardhe 🙂 Kush është Selimi?! Gjatë vitit 2011 një shoqëri kontabiliteti me 3 bashkëpronarë Tosin, Kasin dhe Xhovin realizoi një fitim prej 416 250 lekësh. Në 1 janar të 2011 kapitali i Tosit ishte…… Kërkohet: Të regjistrohen veprimet që lidhen me largimin e Selimit nga shoqëria.

Tekste me google translate

Shtresa e aplikimit

Shtresa e aplikimit është pjesë në hierarkinë e protokolleve kur përdoruesi aksesor proceset e rrjetit. Aplikimi i TCP/IP paraqet një process rrjeti që zhvillohet mbi shtresën e transportit.

Bias i “hileqarëve” – faking-bad bias

Bias i “hileqarëve” : ndodh në rrethana ku, individë të caktuar tentojnë që të hiqen si të sëmurë për të përfituar asistencë sociale, apo pension të parakohshëm. Komentet janë të tepërta: sa më pak subjekte të tilla në studim, aq më mirë për studiuesin dhe, sidomos, për zyrat e bashkive! Termi anglo – sakson për këtë lloj gabimi sistematik është: “faking-bad bias” (përkthimi i këtij termi në Shqip është mëkat tërësisht i Genc Burazerit).

Fantazi e shfrenuar në ilustrimin e shembujve

Djalli, studenti dhe vala zanore

Kapitulli 14 – Valët Zanore Duke qëndruar pezull mbi humnerën e ferrit, djalli sheh se frekuenca e ulërimës së një studenti (që i kalon përpara) gjatë rënies së tij, zvogëlohet nga 842 Hz në 820 Hz. a) Të gjendet shpejtësia e rënies së studentit. Ulërima e studentit shkakton rrahje kur përzihet me jehonën e vet që vjen nga thellësia e humnerës. Të përcaktohet numri i rrahjeve në dëgjimin e dytë prej djallit, pasi studenti i ka kaluar përballë.

Kontrollori i trenit dhe helmi vdekjeprurës

Shembull 5 Ju po ushtoni në një tren së bashku me motrën tuaj pa bileta. Kontrollori vjen dhe ju gjen. Ai është i autorizuar të përdorë një dënim special për raste të tilla. Për këtë qëllim ai nxjerr një kuti e cila ka nëntë çokollata në dukje të njëjta por tre prej tyre janë me helm vdekjeprurës dhe ju detyron të zgjidhni me radhë njeri pas tjetrit nga një çokollatë dhe ta hani.

Kënga e Bujar Qamilit rrit nivelin e inteligjencës

P.sh le të supozojmë që interesi i një studiuesi është zbulimi i një lidhjeje të mundshme shkakësore mes ekspozimit të fëmijëve të vegjël ndaj muzikës së Bujar Qamilit dhe nivelit të inteligjencës së këtyre fëmijëve në moshë madhore. Nëse dëgjimi i këngëve të Bujar Qamilit ndikon në inteligjencën e fëmijëve, atëherë do të ishte e logjike të mendohej që ky efekt do të shfaqej (ndonëse në shkallë të ndryshme) në të gjithë fëmijët që do të dëgjonin këtë muzikë. (…)

Berberi që rruan fshatin

Sjellim si shembull situatën e mëposhtme klasike: Berberi i një fshati rruan të gjithë banorët e fshatit që nuk rruhen vetë, dhe vetëm ata. Shënojmë A bashkësinë e të gjithë banorëve të fshatit që rruhen nga ai berber  /Shekulli.com.al

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top