Shqip

Intervistë e ambasadorit shqiptar në Greqi, zotit Dashnor Dervishi tek Albanians.gr

Albanians.gr duke u munduar të jetë një faqe e dobishme për komunitetin shqiptarë në Greqi intervistoi ambasadorin shqiptarë në Greqi, zotin Dashnor Dervishi për një seri çështjesh që kanë të bëjnë me jetën e shqiptarve në Greqi por dhe me marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë

Më poshtë mund të lexoni intervistën:

1. Marrëdhëniet Shqiptaro Greke

a) Në zgjedhjet e janarit në Greqi për herë të parë kemi një qeveri të majtë të kryesuar nga SIRIZA. Çfarë ndikimi do ketë në marrëdheniet Shqiptaro-Greke?

Zgjedhjet e 25 janarit dhe konfiguracioni i ri politik si rezultat i tyre, ishin një shprehje e lirë e vullnetit të popullit grek dhe e besimit se një qeveri me shumicë të majtë do të përmbushë aspiratat për rimëkëmbje, zhvillim, dinjiet dhe drejtësi sociale.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona mbeten marrëdhënie mes fqinjësh të mirë dhe partnerësh strategjikë, të cilët ndajnë histori dhe tradita të hershme. Qeveritë e dy vendeve janë të interesuara për zhvillimin, thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të suksesshëm që mbulon gjithe fushat me interes të dyanshëm. Vullneti i përbashkët për bashkëpunim e mirëkuptim, kuadri i pasur ligjor përbëjnë baza solide për të zhvilluar e gjetur zgjidhje edhe për problemet e mbetura të hapura në kuadrin dypalësh.

b) Duke pasur parasysh se qeveria e majtë, ka vendosur që shumë ligje dhe vendime të qeverisë së mëparshme do t’i hedhi poshtë, mendoni se do ketë ndryshime dhe në marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Greqisë, siç është, fjala vjen, marërveshja për toponimet?

Siç edhe e thashë më lart, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë zhvilluar në vijimësi, bazuar në parime të fqinjësisë së mirë, të interesit të përbashkët, në funksion edhe të zhvillimit, sigurisë e stabilitetit në rajon, të cilat janë parime që i tejkalojnë dhe janë përtej ngjyrimeve politike partiake në të dyja vendet. Parë në këtë këndvështrim kemi besim se është interes i përbashkët zhvillimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve edhe përmes pasurimit të kuadrit ligjor ekzistues me marrëveshje të reja.

c) Marrëveshja e Detit është një nga pikat e hapura mes dy vendeve. Pritet të fillojnë bisedimet mes dy vendeve për zgjidhjen e këtij problemi?

Dialogu i intensifikuar politik, kontaktet e rregullta të nivelit politik dhe ekspert, janë shtrati në të cilin trajtohet gjithë tematika e spektrit dypalësh, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e detit, e cila ndodhet në një fazë të caktuar shqyrtimi përmes kanaleve diplomatike dhe ekspertizës teknike përkatëse.

2. Toponimet-Pashaportat Biometrike

a) Problemi i shkrimit te toponimeve greke në pasaportat biometrike shqiptare ishte një nga problemet më të mëdha që kanë hasur emigrantët shqiptarë gjatë viteve të fundid në Greqi. Mbas shumë vonesas, më në fund u dha zgjidhja e vetme, marrja e pasaportave të reja. Do donim të dinim se si po ecën procedura e aplikimit?

Heqja e vizave dhe mundësia për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen” ishte një lehtësim i madh për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, edhe pajisja me pasaporta biometrike, si një dokument i vleresuar nga vendet e komunitetit europian dhe mbarë bota. Problemi i toponimeve lindi si një specifikë greke, jo për arësye të ndonjë gabimi në dokumentin e udhëtimit, por me një prapavijë politike, që mbartet nga shqetësimi grek për çështje që tashmë janë hedhur për diskutim . E gjithë kjo u reflektua në masat shtrënguese të qeverisë greke duke u nxjerrë pengesa fëmijve të emigrantëve shqiptarë në kufi dhe kudo që ata paraqiteshin me këtë dokument në administratën greke. Qeveria shqiptare u vu përpara një dileme, që kishte të bënte me interesin kombëtar dhe përditshmërinë e komunitetit shqiptar në Greqi. Me zgjidhjen e gjetur, që natyrisht mori kohën e nevojshme, u arrit të ruhej ekuilibi i duhur, dhe të bëhej e mundur krijimi i të gjitha lehtësive për lëvizjen e papenguar të shtetasve shqiptarë.

b) Cilat janë veshtirësitë që po has Ambasada, si dhe Konsullatat, në procesin e aplikimit. 

Ofrimi i mundësisë së aplikimit për pasaporta pranë shërbimeve tona konsullore, është vetëm në funksion të përmirësimit të shërbimeve për shtetasit shqiptarë. Vendosja e një afati për përdorimin e pasaportave të vjetra dhe një interpretim jo shumë i saktë i këtij vendimi, krijuan një dyndje në dyert e shërbimit konsullor në fundin e vitit 2014, shoqëruar edhe me probleme si rradhë, pritje, nervozizëm, vështirësuar edhe me faktin që shumica e aplikantëve ishin fëmijë. Kjo situatë tashmë është e tejkaluar dhe në momentin aktual kemi një ecuri normale të punës në shërbimet tona konsullore.

c) Shkrimi gabim i toponimeve është një gabim të cilin nuk e kanë fajin emigrantët, por ishin ata që sërisht paguan dëmin e pasaportave. Si komentoni faktin që emigrantët shqiptarë në Greqi, thirren të paguajnë për herë të dytë, të paguajnë dëmin për një problem që s’kanë asnjë faj, por përkundrazi është gabim i autoriteteve shqiptare që nxirrnin pasaporta me toponime të gabuara?

Vendimi për pasaportat e reja është një vendim i përbashkët mes Ministrisë së Brendshme, të Financave dhe asaj të Jashtme, zbatimi i së cilës bëhet përmes një marrëveshjeje kontraktuale me një firmë private. Për të lehtësuar shërbimin e aplikimeve për shtetasit shqiptarë, firma në fjalë ka hapur pika të aplikimit për pashaporta në disa nga kryeqytetet evropiane, pranë zyrave konsullore shqiptare, siç janë edhe këto në Athinë e Selanik, ku janë punësuar emigrantë shqiptarë, njohës të të dyja gjuhëve, shqip dhe greqisht.

ç) Ditët e fundit,  në një kanal televiziv shqiptar u publikua një video e marrë nga një kamer e fshehtë, ku shfaqet një punonjës i ambasadës të kërkojë ryshfet për të mbaruar një punë në shërbimin konsullor. Edhe pse u morën masa kundër këtij personi me largimin e menjëhershëm nga puna, si besoni se do parandalohen fenomene të tilla, të cilat nuk është hera e parë që dëgjohen për ambasadën shqiptare në Greqi, dhe fundja fundit prishin imazhin e vetë institucionit të Ambasadës?

Ambasada dhe Ministria e Jashme dënuan këtë akt dhe kanë reaguar menjëherë duke larguar personin nga detyra. Nuk mendojmë se gjithçka merr fund këtu dhe se jemi imunë nga fenomene e akte të ngjashme, por duke vlerësuar ndihmën e komunitetit në evidentimin dhe denoncimin e çfarëdo veprimi abuzues me detyrën, kemi qenë dhe mbetemi të hapur për bashkëpunim në këtë drejtim. Përmes numrit të telefonit dhe adresës elektronike të vëna në dispozicion për këtë qëllim (tel 08000022 është në dispozicion të çdo qytetari pa pagesë), qytetarët mund të denoncojnë çdo rast të ngjashëm abuziv, por edhe të shprehin hapur pakënaqësitë që mund të kenë lidhur me nivelin e shërbimeve të cilat ofrohen  nga konsullatat apo përfaqësitë tona diplomatike.  Lufta kundër fenomeneve negative, që e kanë cënuar jo pak këtë shërbim në të kaluarën, mund të bëhet efektiv vetëm me mbështetjen e të gjithë qytetarëve, medias dhe gjithkujt që mund të kontribuojë në këtë drejtim. Kemi bindjen dhe vullnetin e patundur për ta shndërruar  aktivitetin konsullor në një shërbim model për qytetarët tanë.

3. Komuniteti Shqiptare ne Greqi

a) Komuniteti Shqiptar në Greqi është më i madhi i të gjithë emigranteve dhe përbën rreth 67% të emigrantëve që ndodhen në Greqi. Çdo gjë që ka bërë komuniteti shqiptar këtu e ka bërë me mundësitë e veta, siç ishte psh hapja e një qendre kulturore, hapja e disa shkollave të gjuhës shqipe etj. Nga ana e shtetit shqiptar, si dhe nga ana e Ambasadës shqiptare çfarë përpjekjesh janë bërë për të ndihmuar sado pak këto përpjekje të komunitetit shqiptar?

Shqipëria është një vend që ka kaluar e po kalon periudha me vështirësi ekonomike, duke u përballur me probleme të tilla siç janë mungesa e energjisë, e ngrohjes, e kushteve të nevojshme në shkolla dhe shërbime shëndetësore, etj. Fenomeni i një numri të lartë të shtetasve shqiptarë në emigracion dëshmon pikërisht këtë anë të realitetit shqiptar. Në këto kushte shteti i ka të kufizuara mundësitë për t’ju përgjigjur nevojave legjitime të shtetasve jashtë kufijve, jo vetëm në Greqi por kudo në botë.

Gjithësesi, problematika e emigracionit ka qenë e mbetet në prioritetet e qeverisë dhe politikës së saj të jashtme, veçanërisht në kuadrin dypalësh me fqinjin e saj Greqinë, ku aktualisht ndodhet edhe përqindja më e madhe e komunitetit shqiptar të emigruar. Sigurimi i një legjislacioni sa më të plotë, në funksion të realizimit të procesit të legalizimit të komunitetit shqiptar që jeton e punon prej vitesh në Greqi, negocimi me autoritetet greke dhe sigurimi i mbështetjes për krijimin e kushteve për procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe pranë shkollave publike greke, realizimi i marrëveshjeve dypalëshe lidhur me një sërë çështjesh që preokupojnë këtë komunitet janë fokus i axhendës së bashkëpunimit në të gjitha nivelet, dhe në këtë kuadër prioritetet i aktivitetit të përditshëm të Përfaqësisë sonë.

b) Shkollat e mësimit të gjuhës shqipe, janë një nga përpjekjet me fisnike që po bëjnë emigrantët shqiptarë në Greqi. Në vizitën e fundit të ish ministrit të arësimit të Greqisë z. Loverdhos, përveç korigjimit të teksteve shkollore, u ra dakort fillimi i diskutimeve për hapjen e shkollave shqipe këtu në Greqi. Mundeni të na jepni më shumë detaje rreth kësaj teme, sepse nëse realizohet do jetë mëse vërteti një hap shumë i madh në ndihmë të komunitetit tonë në Greqi.

Siç e përmenda dhe më lart,  mësimi i gjuhës amtare është një pjesë e rëndësishme e axhendës së aktivitetit të Përfaqësisë, si pjesë e një misioni fisnik, që ia kemi detyrim brezave, që nëpërmjet gjuhës shqipe të krijohet mundësia për transmetimin e kulturës, zakoneve, traditave e vlerave tona historike. Realizimi i një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi në fushën  e kulturës e arsimit, ka në fokus të saj krijimin e gjithë lehtësirave të nevojshme për të siguruar një proces profesional të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, pranë shkollave publike greke. Deri tani nuk është arritur nënëshkrimi i kësaj marrëveshje. Kjo, pas insistimit të palës sonë, për të patur një marrëveshje me një kuadër sa më të plotë, në funksion të këtij qëllimi. Kjo temë është trajtuar gjerësisht gjatë bisedimeve që janë zhvilluar mes ministrave të fushave përkatëse përgjatë vitit 2014, si gjatë vizitës së Ministrit tonë të Arësimit znj. Lindita Nikolla në Athinë, po ashtu edhe gjatë vizitës së Ministrit Loverdhos në Tiranë.

Gjithësesi, përmes një bashkëpunimi me Lidhjen e mësuesve, me strukturat e komunitetit shqiptar në Greqi dhe si rezultat i punës së palodhur të mësueseve vullnetare të gjuhës shqipe, evidentohet shtimi nga dita në ditë i numrit të klasave të mësimit të gjuhës shqipe, me një shtrirje gjeografike, pothuajse në gjithë territorin grek. Sigurisht që kjo është realizuar në shumicën e rasteve edhe me mbështetjen e autoriteteve greke, kryesisht atyre lokale, të cilat gjej rastin  t’i falënderoj.

 c) Dispononi te dhena se sa eshte numri i sakte i emigranteve shqiptare ne Greqi, dhe sa jane ata qe jane kthyer nga Greqia ne Shqiperi per shkak te krizes ekonomike?

Bazuar në një deklaratë të disa ditëve më parë të ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme greke, Angjelos Sirigos, rezulton se autoritetet greke nuk kanë të dhëna të sakta mbi numrin e komuniteteve të shtetasve të huaj në Greqi, vecanërisht në rastin e shtetasve shqiptarë që evintohen për lëvizje të shpeshta, në funksion të punëve sezonale.

Lidhur me komunitetin shqiptar, të dhënat e Ministrisë së Brendshme greke japin një shifër prej 380 mijë shtetas shqiptarë me lejeqëndrimi në Greqi (për arsye pune, studimi, bashkimi familjar, etj), pa përfshirë këtu shtetasit shqiptarë me kombësi greke. Nga ana tjetër, gjatë 3-4 viteve të fundit, bëhet fjalë për një largim, si pasojë e situatës së krizës, të rreth 180 000 shtetasve shqiptarë nga Greqia, për në atdhe, apo destinacione të tjera, nga Ministria e Brendshme konfirmohet se vetëm përgjatë vitit 2014 janë deportuar rreth 16 000 shqiptarë pa dokumenta.

4. Dokumenta dhe Legalizime

a) Problemet e emigrantëve shqiptarë  në Greqi janë të shumta, por dy janë çështjet që duhet marrëveshje mes dy shteteve. 

Njëri është problemi i njohjeve të pensioneve, nje proçedurë që qeveria shqiptare e ka nisur me shumë vende të BE. Ka filluar një diskutim i tillë për pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe nëse jo, kur mendoni se do fillojnë?

Tjetri është problem i patentave shqiptare, që nuk njihen në Greqi dhe janë me mijëra shqiptarë që janë gjobitur. Do ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim?

Siç edhe e theksova më parë, plotësimi dhe pasurimi i bazës ligjore të bashkëpunimit dypalësh, është një proces në vijueshmëri. Në këtë kuadër, pjesë e rëndësishme mbetet realizimi i marrëveshjeve dypalëshe lidhur me një sërë çështjesh që preokupojnë shtetasit shqiptarë në Greqi, në funksion të lehtësimit të përditshmërisë së tyre. Sa i përket dy marrëveshjeve që ju përmendni, dua të vë në dukje se ato janë pjesë e axhendës dypalëshe prej kohësh, në kuadër të komisioneve dypalëshe të transportit dhe sigurimeve shoqërore. Por këto dy problematika duhen parë edhe në një kontekst më të gjerë, që lidhet si me specifikën e kuadrit ligjor vendas dhe në raport me atë të BE-së, ashtu edhe me situatën e zgjatur të krizës dhe vështirësive ekonomike që po kalon Greqia, çka kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në ecurinë e procesit të realizimit të këtyre marrëveshjeve.

Do të doja të evidentoja gjithashtu, në përgjigje të kësaj pyetje, se zgjidhja e çështjes së toponimeve, regjistrimi online i popullsisë, dixhitalizimi i dokumentacionit për shtetasit tanë dhe përmirësimi me masa të reja sigurie i pashaportave të reja bimetrike, të gjitha këto krijojnë një bazë të shëndoshë juridike, por edhe besimi te pala greke, për të avancuar në proceset për lëshimin e dokumentave, duke filluar me njohja e vulës apostile, patentat e deri të pensionet.

Faleminderit, zoti Ambasador !

Faleminderit juve për kontributin që jepni në interes të komunitetit tonë dhe ju uroj një vit të mbarë !

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top