Shqip

Gjuha shqipe bëhet zyrtare: Dorëzohet Gruevski, pranon platformën e shqiptarëve

Pak orë nga skadimi i afatit përfundimtar të mandatit për të formuar qeverinë e re, kreu i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski është dorëzuar duke pranuar platformën shqiptare, ku ndër to përfshihet gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe përdorimi i saj në çdo nivel të administratës. Por në Tetovë ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga BDI, e cila vijon mbledhjen për të vendosur nëse do të formojë qeverinë me VMRO-DPMNE e Gruevskit, apo LSDM-në e Zoran Zaev.

Që prej Marrëveshjes së Ohrit, pranimi i Gjuhës Shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni, është arritja më e madhe për shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se 8 ministri, një prej të cilave Ministria e Brendshme, do t’i shkojnë BDI-së, e cila do të marrë gjithashtu për herë të parë edhe postin e kreut të Kuvendit, një nga tre postet më të rëndësishme të Shtetit.

Drejtuesit e BDI-së vijojnë diskutimin për të tretën ditë rresht në selinë e partisë në Tetovë, për të vendosur se cili do të jetë hapi i ardhshëm që do të ndërmarrin.

Platforma e partive shqiptare kishte këto parime dhe objektiva:
– Barazi etnike: Mbështetje të iniciativave ligjore dhe kushtetuese për të perforcuar barazinë etnike (në emërimet në polici, gjyqësor, ushtri dhe shërbime sekrete, si dhe në vendimarrje dhe në shperndarjen e buxheteve dhe investimeve).

– Barazi gjuhësore: Ligj të posaçëm për përdorim të zgjeruar të Gjuhës Shqipe në çdo nivel të administratës.

– Përfshirjen e shqiptarëve në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit.

– Mbështetje e punës dhe mandatit të Prokurorisë speciale;Kërkesë kyçe e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

– Reforma në Arsim: Më shumë shkolla shqipe, dhe financime për Kulturën dhe memorjen historike të shqiptarëve.

– Reforma në menaxhimin e buxheteve për komunat, ku kërkohet më shumë financime për komunat shqiptare.

‎Platforma e përbashket e iniciuar nga Tirana zyrtare arriti që të pranohet nga VMRO-DPMNE, e cila nuk kishte alternative tjetër veçse të dorezohej para shqiptareve dhe të pranonte kërkesat e tyre.

Mesnata e kësaj të diele është edhe afati i fundit kushtetues për Nikola Gruevskin që të bindtë BDI-në për të formuar qeverinë e re, pa të cilën është matematikisht e pamundur për këdo parti që të formojë qeverinë e re.

E nëse marrëveshja BDI – VMRO DPMNE do të dështonte, atëherë do t’i takonte LSDM-së, të drejtuar nga Zoran Zaev, që të fillojë bisedimet me partinë e Ali Ahmetit dhe partive të tjera shqiptare për të krijuar qeverinë e re.

/ Top Channel

Most Popular

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top