Shqip

Forcat Detare Shqiptare në Detin Egje

Forcat Detare Shqiptare në Detin Egje

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për herë të parë do të marrin pjesë në një operacion detar të NATO të quajtur “Aegean Sea”. Qeveria Shqiptare, mori vendimin përkatës, bazuar në propozimin e ministrit të Mbrojtjes.Duke filluar nga muaji nëntor, Shqipëria do të marrë pjesë në këtë operacion me një anije të klasit “Iliria”, në ndihmë të krizës së emigrantëve dhe refugjatëve. Misioni në këtë operacion është kryerja e rikonicionit, monitorimi dhe vëzhgimi i kalimeve të paligjshme në zonën e aktivitetit/hapësirës detare në bashkëpunim me autoritetet detare të Greqisë, Turqisë dhe misionit të BE “FRONTEX”, për ndërprerjen e linjave të trafikut dhe emigracionit të paligjshëm në detin Egje, deri në një situatë të qëndrueshme.

Me këtë operacion synohet demonstrimi i vazhdueshëm i angazhimit të NATO në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërprerë linjat e trafikut dhe emigracionit të paligjshëm në detin Egje, nëpërmjet kontributit me informacion kritik e vëzhgim. Mbështetja e aktivitetit të NATO në detin Egje do të kryhet nëpërmjet përdorimit maksimal të Komunikimit Strategjik (STRATCOM). Misioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që do të marrë pjesë në këtë operacion është kryerje patrullimi detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO, SNMG2, në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO. Anija do të përdoret për detyra patrullimi, kërkim-shpëtimi dhe bordimi, brenda rajonit të caktuar në detin Egje. Në operacionin detar të NATO “Aegean Sea”, Forca Detare do të marrë pjesë me një anije të klasit “Iliria”, të përbërë me një personel prej 21 ushtarakësh.

Baza ligjore

Vendimi i  Qeverisë Shqiptare është në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, e 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes e të kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Kohezgjatja e anijes “Iliria” Sipas vendimitg të qeverisë kohëzgjatja e pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion është deri në 1 (një) vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes dhe kontingjentit të parë, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesëmarrës në këtë operacion, do të jetë çdo 2 (dy) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin e kontingjentit të radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik etj.). Venddislokimi i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë në detin Egje.

Shpenzimet përballohen nga Ministria e Mbrojtjes

Vendi i Qeverisë percakton se Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, të përballojë shpenzimet për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; ushqim; akomodim; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore, telefon, komunikim SATCOM, internet, shërbim postar; sigurimin e anijes; karburant, lubrifikantë; shërbime lundrimi (taksa portuale, pilot, ujë, derdhje të ujërave të zeza, akostim qëndrimi, lavanteri etj.); mirëmbajtjen teknike dhe riparime të  anijes, të paparashikuara; transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; aktivitete social kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kohës së kryerjes së misionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

Transporti dhe sigurimi i jetës

Transporti i personelit të anijes që do të marrë pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanteria, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe ku pala/ët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë operacion. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes

“Iliria” nga hollanda në detin “Adriatik” dhe “Egje”

Anija Iliria është anije patrulluese e ndërtuar në kontjerin “Damen Shipyards” -Gorinchem të Holandës dhe pas 12 ditë lundirmi arriti më 5 shtator 2008 ne Shqiperi-Durrës dhe tashmë pas 8 vitesh, pra këtë nëndor të këtij viti, 2016, pritet të lundrojë drejt detin Egje, për tu integruar në një mision të rëndësishëm ndërkombëtar në kuadër të NATO-s. Gjatë këtyre shtatë viteve anija “Iliria” së bashku me ekuipazhin e saj ka përshkuar me mijëra milje lundrim në hapësirën detare të vendit por dhe jashtë saj, duke pasur rol të rëndësishëm në aktivitetin e FD. Janë me dhjetëra operacione kërkim-shpëtimi të realizuara dhe disa jetë njerëzish të shpëtuara nga ekuipazhi i anijes në hapësirën detare të vendit, pavarësisht kushteve të motit dhe kohës. Ndërkohë “Iliria” ka kryer disa operacione të zbatimit të ligjit në det, kundër trafiqeve të ndryshme dhe ka përfaqësuar Forcën Detare në stërvitjet e përbashkëta me partnerët e NATO-s dhe ata rajonalë. Anija “Iliria” ka stabilitet ndaj dallgëve dhe është e pajisur me aparaturat dhe sistemet më moderne për lundrim dhe për kryerjen e misioneve civile dhe ushtarake. Anija “Iliria” ka gjatësi të plotë 42,8 m, gjërësi të plotë 7,11 m me zhytje 2,52 m.

Burimi http://mbrojtja.gov.al/publikime/index.php?option=com_flippingbook&view=book&id=183

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top