Është firmosur sot marrëveshja përfundimtare midis Azerbajxhanit, Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi rreth të ardhmes për gazsjellësin TAP.
Kjo është pjesë e marrëveshjes së “Korridorit Jugor i Gazit”, një projekt i cili do të lejojë Evropën që të ketë burime alternative të hidrokarbureve si dhe të rrisë sigurinë e energjisë. Prodhimi i gazit në Azerbajxhan është konsideruar si burimi kryesor i projektit “Korridori Jugor i Gazit”.
Sot u arrit të bëhej edhe firmosja e këtij investimi të madh, i cili është pjesë e projektit “Shah Deniz 2”. Autorizimi i këtij projekti nënkupton fillimin e implementimit të tij, dhe jo thjeshtë një projekt në letër.
Rezervat e “Shah Deniz” shkojnë deri në 1.2 trilionë m³ gaz. Kostoja e fazës së dytë, të zhvillimit në fushën e kondensimit të gazit “Shah Deniz”, është vlerësuar me 25 miliardë dollarë.
Në fazën e parë do të prodhohen nëntë miliardë m³ gaz, ndërsa në fazën e dytë të zhvillimit të këtij projekti, është planifikuar që të prodhohen 16 miliardë m³, nga të cilët gjashtë miliardë do të transportohen në Turqi dhe dhjetë miliardë në Evropë.
burimi www.shekulli.com.al
