Shqip

Fillon diskutimi i projektligjit për regjistrimin e emigrantëve

Tiranë-Komisioni i Sigurisë Kombëtare nisi shqyrtimin e projektligjit të qeverisë, për Regjistrimin e Emigrantëve. I pranishëm ishte Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri . Ministri Tahiri ndër të tjera u shpreh se ky ligj synon që shteti shqiptarë tu vij në shërbim emigrantëve shqiptar që ndohen jashtë Shqipërisë, duke filluar që nga e drejta e votës në vëndet ku jetojnë, synim që sipas ministrit mund të arrihet edhe zgjedhjet e ardhëshme.

[maxbutton id=”5″]

Sipas projektligjit, emigrantët do duhen të regjistrojnë adresën  e tyre në një sistem elektronik. Regjistrimi është vullnetar dhe nuk do ketë asnjë kosto.  Të drejtë të regjistrohen do kenë edhe emigrantët të cilët janë të paligjëshëm në vëndet ku jetojnë.

Neni 11 i këtij ligji parashikon se kush emigrant nuk regjistrohet , nuk do i jepet shërbime publike, por ky nen u hodh poshtë nga të gjithë deputetët, dhe u ra dakort të ndryshohet.

Fjala e Ministrit Tahiri në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

“Faleminderit i nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,

Jemi parë shpesh për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe Policinë e Shtetit. Kjo është një çështje po aq (në mos akoma dhe më) e rëndësishme, për sa kohë në bindjen tonë i jep përgjigje një pyetjeje që vazhdon dhe mbetet ende pa përgjigje në raport me sa shqiptarë jemi dhe ku banojmë. Besoj jemi ndër të paktat vende në botë që kur na pyesin sa jemi, përgjigjemi ende me terma relativë, afërsisht kaq apo afërsisht aq. Jemi ndër të paktat vende në botë që kur na pyesin ku banon, flasim me terma rrethanorë pas fabrikës X, pas fabrikës Y e kështu me radhë. Termat rrethanorë i kemi kthyer në adresa padrejtësisht, për shkak të mungesës së lidhjes që ekziston ndërmjet shtetasit dhe adresës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe ka prioritet këtë vit së pari një proces shumë më të gjerë, që ka të bëjë me bashkimin e regjistrave të Gjendjes Civile dhe të adresave. Në përfundim të këtij procesi të quajtur “Popullimi” nënkuptohen jo vetëm çështjet që kanë të bëjnë me bashkimin e regjistrave por plotësimi i regjistrave me të dhënat për shtetasit dhe për adresat, nëpërmjet kontaktimit me çdo qytetarë dhe trokitjes në çdo banesë dhe në çdo godinë të Republikës së Shqipërisë, për të ditur në fund sa shqiptarë banojnë në Republikën e Shqipërisë dhe cila është adresa e çdo shqiptari që banon këtu. Është një proces që do të shërbejë si gur themeli për të adresuar në mënyrë sa më të domosdoshme dhe në mënyrë sa më cilësore në kohë dhe pa korrupsion shërbimet që shteti duhet t’i japë qytetarëve shqiptarë.

Në të gjithë këtë kuadër një çështje mjaft e rëndësishme është regjistrimi i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, thënë ndryshe emigrantët. Pra, në qoftë se regjistri i gjendjes civile sot ka mbi 4.4 milion rekorde, janë 4.4 milion shtetas shqiptarë të regjistruar. Ne e dimë automatikisht që jo të gjithë jetojnë në Shqipëri. Për më tepër në një vend si Shqipëria ku emigracioni historik i theksuar (duke filluar nga viti 1990 deri më sot), shto këtu lëvizjen e brendshme të popullsisë, apo ndërtimet kaotike të paregjistruara dhe të pakodifikuara në regjistra, kanë sjellë mungesë shërbimesh, vështirësi në kontaktin ndërmjet qytetarit dhe shtetit. Kanë sjellë humbje ose relativizim të përgjegjësisë së qytetarit ndaj ligjit dhe të shtetit ndaj qytetarit, si dhe mohim të drejtash. Një ndër më të rëndësishmet: e drejta e votës për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë (për të mos përmendur që kjo ndodh edhe këtu).

Ajo që ne sjellim me këtë ligj parashikon procedurën, formën dhe mënyrën e regjistrimit të adresës së emigrantëve shqiptarë në regjistrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ne dimë që ka emigracion historik në Shqipëri. Dimë që ka një numër jo të vogël të shqiptarëve që kanë ndërtuar jetën jashtë kufijve të Shqipërisë, por që janë komunitet që ruajnë në mënyrë intensive lidhjet me Shqipërinë.

Ajo që dimë gjithashtu është që emigrantët shqiptarë vuajnë në kohë e në terma financiarë për të marrë shërbime nga shteti shqiptar, duke filluar nga certifikata e duke mbaruar te shërbimet e tjera, deri te mohimi i të drejtave siç është e drejta e votës. Pra jemi duke folur për një komunitet të angazhuar të lidhur intensivisht me Shqipërinë, i cili nuk ndikon dot në fatet e vendit dhe madje ka kosto shtesë, barrë shtesë për të marrë shërbimet ndërkohë që kontribuon për zhvillimin e vendit dhe me remitancat. E vetmja e dhënë që ka sot regjistri i Gjendjes Civile në lidhje me emigrantët është që nga viti 1990 deri më sot kanë lindur mbi 275 mijë fëmijë shqiptar jashtë Shqipërisë. Në qoftë se i hyjmë llogarive janë 29 fëmijë shqiptarë të lindur në ditë jashtë Shqipërisë. Pra jemi duke folur për një komunitet shumë të gjerë që zhvillohet, por që ruan lidhjet intensive me Shqipërinë.

Ajo që po bëjmë ne me këtë projektligj është që të krijojmë një dritare permanente për të regjistruar shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, për të pasur një lidhje intensive të shtetit me emigrantët, për t’i dhënë atyre shërbimet që iu takojnë, duke filluar nga shërbimet e Gjendjes Civile (certifikata apo dokumentacioni i noterizuar që u duhet për jetën e zhvilluar atje), çështjet e jetës sociale në vendin ku jetojnë, e deri tek shërbimi themelor që duhet t’u garantojmë: e drejta e votës për emigrantët shqiptarë.

Hedhja e hapit të parë (pra regjistrimi i emigrantëve) na mundëson krijimin e premisave për të garantuar votën e emigrantëve mundësisht që në zgjedhjet e ardhshme. Me hyrjen në fuqi ky ligj nënkupton angazhimin e institucioneve shtetërore për të garantuar shërbimet bazë paraprake për emigrantët (mundësisht në shtëpinë e tyre), dhe një punë voluminoze për të shkuar deri tek vota e emigrantëve, për të ndikuar dhe ata në fatet e zhvillimit të vendit. Kjo është pak a shumë ajo që parashikon ligji.

Unë besoj se me këtë ligj i kthejmë një borxh 25-vjeçar emigrantëve, të cilët kontribuojnë për zhvillimin e vendit dhe në këmbim marrin shumë pak nga shteti shqiptar. Me këtë ligj krijojmë Shqipërinë në shtëpinë e çdo shqiptari që nuk është banues në Shqipëri, pra që është emigrant. Me këtë ligj njohim (madje mirënjohim) kontributin historik të emigrantëve, dhe vendosim shtetin në pozitat që t’u shërbejë emigrantëve në shtëpinë e tyre. Me këtë ligj marrin përsipër përgjegjësinë që të hedhim gurin e themelit (e ta zhvillojmë më tutje) mundësinë që emigrantët shqiptarë të votojnë për klasën politike që duhet të qeverisë e të vendosë për fatet e vendit.”

* * *

Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, ministri Tahiri vijoi:

“Sa i takon mundësisë që ka shteti shqiptar për të regjistruar shtetas shqiptarë që janë larguar apo largohen, kjo varet jo më shumë nga mundësitë që kemi ne, sesa nga vullneti i qytetarëve shqiptarë me banim jashtë Shqipërisë për t’u regjistruar. Dhe ne i ftojmë emigrantët të regjistrohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, sepse nuk do të bredhin më rrugëve (të harxhojnë para e të presin radhët në hyrje të ambasadave për të marrë një certifikatë apo legalizimin e një dokumenti shqiptar), por shteti shqiptar nëpërmjet regjistrimit angazhohet t’u shërbejë emigrantëve në shtëpi.

Pra ne themi që, nëse je qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë dhe të duhet të kesh shërbim nga Shteti Shqiptar, duhet domosdoshmërisht të regjistrohesh. Dhe regjistrimin mund ta bësh nga shtëpia jote (pra dhe barrën e regjistrimit e merr shteti) e ndërkohë shteti merr përsipër edhe të të shërbejë në shtëpinë tënde. Kjo nuk kushton. Emigrantin nuk e ngarkon me përgjegjësi (përgjegjësinë për verifikim e ka shteti shqiptar nëpërmjet një seti procedurash të parashikuara në projektligj të cilat, kuptohet, na e bëjnë më të vështirë barrën e regjistrimit). Po mendojmë për borxhin që u kemi emigrantëve, dhe u kërkojmë vetëm të regjistrohen, mundësisht nga shtëpia e tyre. Në mos, mund të regjistrohen kur të vijnë fizikisht në Shqipëri, por rruga më e lehtë është ajo e regjistrimit në internet.

Kuptohet që lëvizja e popullsisë është një fenomen intensiv dhe i vazhdueshëm. Ka ndodhur, do të ndodhë, sepse e tillë është dinamika e zhvillimit të shoqërisë. Aq më shumë në këto kohë kur kufijtë mungojnë dhe mundësitë për të ndërtuar jetën në një vend tjetër janë aty, fakti se sa largohen apo janë larguar nuk është tregues. Unë e kuptoj dhe çështjen politike që ngriti kolegu deputet, por ne po kërkojmë t’u shërbejmë shqiptarëve kudo ku janë, pavarësisht faktit kur janë larguar. Sigurisht do fillojmë të regjistrojmë emigrantët që janë larguar nga viti 1990 deri kur deputeti ishte në opozitë e akuzonte qeverinë e atëhershme për largimin e shqiptarëve. Do regjistrojmë dhe këta për të cilët deputeti tani sërish në opozitë akuzon sërish qeverinë për largimin e tyre. E rëndësishme për ne nuk është kur largohen shqiptarët. E rëndësishme për ne është që kudo ku shkojmë të dimë ku banojmë, të dimë të kemi mundësi dhe përgjegjësi për t’u dhënë shërbim emigrantëve shqiptarë kudo në botë.

Regjistrimi i emigrantëve nuk ka të bëjë me faktin nëse janë të ligjshëm apo ende të paligjshëm (të paregjistruar) në shtetin ku banojnë. Për ne kjo nuk ka rëndësi! Ky ligj nuk rregullon marrëdhënien që ka emigranti me shtetin ku qëndron. Ky ligj rregullon marrëdhënien që ka shtetasi shqiptar me banim jashtë Shqipërisë me shtetin mëmë, me Shqipërinë. Ne nuk marrim përsipër që me këtë ligj të legalizojmë emigrantët apo t’ua cenojmë marrëdhënien që kanë me shtetin ku qëndrojnë. Ne marrim përsipër që Shqipëria t’u shërbejë, të kenë shtetin shqiptar mbështetje kudo ku janë. Në janë me apo pa letra, kjo për ne ka pak rëndësi. Për ne ka rëndësi që shtetasit shqiptarë të kenë shërbim nga shteti shqiptar kudo ku janë.

Regjistrimi i emigrantëve nuk ka lidhje as me faktin nëse janë të dënuar apo jo. Sepse ky ligj nuk merr përsipër të merret me marrëdhëniet në vendin ku janë, por merr përsipër që këta shqiptarë të kenë shërbime dhe favorizime nga marrëdhënia me shtetin këtu. Kjo është një praktikë botërore. Ka vende në Evropë ku, për të lëvizur jashtë shtetit për një kohë më të gjatë se tre muaj, duhet të shkosh në zyrat përkatëse në Gjendjen Civile apo në Polici dhe të njoftosh autoritetet që po lëviz për shembull nga Gjermania dhe do qëndrosh katër muaj në filan vend. Je i detyruar ta bësh në vende të Bashkimit Evropian.
Kjo ndikon në marrëdhëniet që ka shteti me taksat e qytetarit, qoftë edhe me pagesën e energjisë. Janë të shumta rastet kur shtetas shqiptarë deklarojnë se janë emigrantë prej 20 vitesh dhe nuk dinë arsyen më u vjen fatura e energjisë në shtëpi. Ndërkohë ne transferojmë te shteti barrën e përgjegjësisë për shërbimet që duhet të marrë emigranti, dhe i japim barrën e përgjegjësisë qytetarit që vetëm të njoftojë se po largohet.

Sigurisht që ka sanksione. Pra ka një periudhë regjistrimi (më duket 6 muaj), pas të cilës ka sanksion. Nuk mund të vazhdoni jetën normalisht pa lidhur këtë marrëveshje me shtetin shqiptar. Ne nuk u mohojmë shërbimet emigrantëve, ne i kushtëzojmë shërbimet. Nëse kërkoni një certifikatë nga shteti shqiptar ne minimalisht duhet të dimë ku jetoni dhe banoni. Kjo ka lidhje vetëm me regjistrimin në Shqipëri, popullimin. Ne duhet të dimë që X apartament është në pronësi të Y shtetasi shqiptar që nuk jeton në Shqipëri. Kjo ka lidhje me sistemin e Pasurisë së Paluajtshme, kjo ka lidhje shumë me sistemin fiskal në Republikën e Shqipërisë, me marrëdhënien që ndërton shteti me qytetarin në Republikën e Shqipërisë dhe me shërbimin që duhet t’i japim emigrantit kudo që ai është.

Pra për të gjithë këtë gamë marrëdhëniesh që ka qytetari me shtetin, ne emigrantit do t’i kërkojmë vetëm një gjë: Regjistrohu! Shteti më pas ka detyrimin të vijë nga pas duke të të shërbyer, duke të lehtësuar aty ku është e nevojshme. Në çdo vend të botës minimumi për të deklaruar një rezidencë është absolut. Pra qytetarët kanë përgjegjësinë t’i thonë shtetit “Unë banoj në këtë vend”. Shteti ka për detyrë që të marrë të mirëqenë që ai është vendbanimi, dhe më pas është përgjegjësi e shtetit nga fletëthirrjet e gjyqit e deri te marrëdhënia fiskale apo hipotekore e pasurisë me qytetarin. Ne po ndërtojmë gurin e themelit që të dimë e të kemi informacion nga njëra anë, e t’u shërbejmë qytetarëve kudo ku janë nga ana tjetër.

Çfarë kemi ne sot? Kemi një regjistër shtetasish që askush nuk di se ku banojnë. Kemi dhe një regjistër adresash që mund të jetë më i pasakti që mund të ketë një shtet. Pra jemi ndoshta i vetëmi shtet në Europë që nuk kemi një databazë të dhënash të sakta. Sot ka njerëz që flasin për adresën dhe thonë se e kanë shtëpinë “te Brryli”; “te Fabrika e Miellit”, “te Nyja e Betonit”, “te kodra filan”. Nuk ka bota nga këto. Bota ka adresë, qytetari ka adresë të detyrueshme ku shteti shkon dhe e gjen. Në jeton apo jo atje kjo nuk është e rëndësishme për shtetin. Adresa e detyrueshme e deklaruar të vë përsipër përgjegjësinë që të vihesh në kontakt me shtetin. Sot ka raste kur fletëthirrja e gjyqit nuk dihet kur shkon. Ka gjyqe që digjen dhe që nuk vazhdojnë për shkak se nuk gjendet qytetari. Sot ka një sistem adresash regjistri i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ka një databazë adresash më vete ALUIZNI, Hipoteka, OSHEE-ja. Ndërkohë që ne çfarë po themi? Duhet t’i japim fund praktikës ku nuk dimë sa jemi dhe ku jemi. Ne duhet të dimë brenda kufijve të Shqipërisë banojnë kaq shqiptarë dhe “Saimir Tahiri banon në filan vend”. Mund të ketë dhe dhjetë shtëpi të tjera nuk ka rëndësi, por kjo është adresa ku shteti shqiptar ka detyrimin t’i shërbejë. E po kështu për çdo shtetas shqiptar.

Ndërkohë rregullojmë marrëdhënien minimale që ka shtetasi me shtetin në lidhje me pasurinë. Sot ka shtetas që kanë pasuri të paluajtshme të padeklaruar për të cilën askush nuk paguan taksa. Siç ka emigrantë që padrejtësisht paguajnë energji elektrike dhe nuk jetojnë prej kohësh në Shqipëri.

Pra, po ndërtojmë një proces për të vendosur gurin e themelit: inventarizimin e shqiptarëve dhe të adresave nga njëra anë brenda kufijve të Shqipërisë, nga ana tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë që është e domosdoshme. Emigrantët sot (duke filluar nga certifikata e duke vazhduar me dokumentacion të caktuar që mund ti duhet për çështje arsimore, çështje pensioni, në vendet ku jetojnë) kanë nevojë për lidhje me Shqipërinë. Kanë nevojë për kontakt të drejtpërdrejt me shtetin. Ne po themi: Mos shko të rropatesh dyerve të ambasadave! Mos harxho lekë! Mos u merr me sekserë! Mos lër punën! Mos shpenzo kohë! Shteti shqiptar është në gjendje të të shërbejë në shtëpi. Që të ndodhë kjo duhet vetëm një akt: të regjistrohesh. Dhe, pa asnjë dyshim, në rast se këtë nuk e bën, “unë” do të kushtëzoj shërbimin. Pra, në qoftë se do të vish pas 6 muajsh të kërkosh një pasaportë, unë do të them: “Të më falësh por JO, të lutem regjistrohu. Më trego ku banon dhe pastaj të marrësh shërbimin”. Kjo nuk do të thotë ta mohosh shërbimin. Kjo do të thotë ta kualifikosh cilësisht shërbimin. Do të thotë të garantosh shërbime për emigrantin në shtëpi, pavarësisht nëse është me letra apo është pa letra në vendin ku jeton. Kjo nuk i intereson askujt, i intereson vetëm emigrantit dhe shtetit që jeton. Shtetit shqiptar i intereson vetëm të ketë një mundësi për emigrantin, shqiptarit që kontribuon për vendin e vet, t’ia japë shërbimet në kohë rekord e në mënyrë cilësore (mundësisht pa lëvizur nga shtëpia), deri dhe t’i garantojë votën.

Në emër të emigrantëve janë ngritur dhe parti në këtë shtet, në këtë vend. Në 25 vjet nuk është kujtuar askush të marrë përsipër t’i regjistrojë dhe t’u japë shërbime. Në emër të emigrantëve janë bërë fushata pafund elektorale në këtë vend. Dhe askush nuk ka marrë përsipër t’i regjistrojë dhe t’i japë shërbimin. Në emër të votës së emigrantëve janë bërë platforma pafund në këtë vend. Ky është guri i themelit! Prej këtu e nisim që t’i garantojmë emigrantëve shqiptarë mundësinë që të kenë Shqipërinë në shtëpinë e tyre. Kudo qoftë kjo: në Itali, në Greqi apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kudo. E rëndësishme është që të regjistrohen. Kaq kërkojmë ne.

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top