Shqip

Fillojnë fluturime low cost nga aeroporti Nenë Tereza

Në Prill të vitit të ardhshëm, kompania low cost “Wizzair do të fillojë fluturimet direkte Budapest-Tiranë, duke ofruar për herë të parë çmime të lira për qytetarët shqiptarë, të cilët aktualisht paguajnë vlera të larta për të udhëtuar në destinacionet kryesore europiane.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest. Gjatë takimit me Ministrin e Zhvillimit Kombëtar, Miklos Sesztak, Dervishaj nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi, që i hap rrugë fillimit të fluturimeve të kompanisë “low cost” Wizzair në muajin Prill 2017. Duke u ndalur te Memorandumi, Dervishaj theksoi se ardhja e kompanisë “low cost” për fluturimet Budapest-Tiranë dhe anasjelltas, është zhvillim shumë pozitiv për shqiptarët, që mund ta përdorin më tej Budapestin për të shkuar në destinacione të tjera.

Sipas ministrit Dervishaj, fillimi i fluturimeve të kësaj kompanie të njohur, do të hapë edhe më shumë tregun shqiptar dhe do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të biletave. Ai theksoi se rivendosja e një linje ajrore mes 2 shteteve, përveç ndikimit pozitiv që do të ketë në sektorin turizmit, zgjeron mundësinë për shkëmbimet tregtare.

Ministri Dervishaj, duke u ndalur tek Aeroporti i Kuksit, i bëri ftesë kompanisë që të shikojë si mundësi edhe marrjen me koncesion të tij, propozim që u mirëprit për t’u shqyrtuar nga pala hungareze. Ndër të tjera, ministri hungarez ka theksuar se vendi i tij është shumë i interesuar të investojë në Shqipëri, si në sektorin ajror, që tashmë është konkret si angazhim, por edhe në sektorin detar dhe atë hekurudhor. Dy ministrat ranë dakord që të vijojnë takimet për të konkretizuar bashkëpunimin në sektorët të ndryshëm të ekonomisë.

Kompania Wizzair është një linjë ajrore hungareze me seli në Liszt Ferenc  në Budapest, duke përdorur si bazë dytësore aeroportet në Rumani, Lituani dhe Serbisë. Pas falimentimit të Malev, konsiderohet si linja ajrore kombëtare e Hungarisë.

Wizzair operon në destinacionet e mëposhtme: Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Qipro, Republika Çeke, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi (Corfu, Heraklion, Rhodes, Thessaloniki, Zakynthos), Hungari, Irlandë, Itali, Hollandë, Norvegji, Poloni, Rumani , Spanjë, Turqi, Ukrainë dhe Mbretëria e Bashkuar.

Flota e Wizzair përbëhet nga 63 aeroplanë Airbus A320-200 dhe 10 Airbus 321-200 kurse ka porositur 138 avionë.

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top