Fëmijët e emigrantëve që janë
kthyer në vend, kanë rritur kërkesat për t’u shkolluar në Shqipëri. Por ardhja e tyre shoqërohet edhe me një problematikë, sepse ata nuk janë njohës shumë të mirë të Gjuhës Shqipe dhe nuk do t’i nënshtrohen një testimi të njohurive të saj. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), Alfons Harizaj, këta nxënës do të marrin vetë përsipër “riskun” kur të japin dy provimet e detyruara të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Pra nuk dihet nëse ata do arrijnë t’i sigurojnë pikët e nevojshme për të fituar një nga degët e preferuara apo për të ndjekur studimet në universitet, pavarësish procedurave të lehtësuara në njehsimin e dokumentacionit nga MASH-i. Sipas Harizajt, “Për nxënësit që vijnë nga jashtë Shqipërisë për të konkurruar në maturën shtetërore, pra fëmijët e emigrantëve, nuk ka një kufizim në kuota. Madje ata kanë të drejtë të regjistrohen edhe nëse nuk kanë përfunduar shkollën e mesme në vendin nga vijnë, ashtu si ata që e kanë përfunduar”. Por Harizaj përmend më tej edhe faktin se mosnjohja mirë e gjuhës shqipe nga këta fëmijë, mund të përbëjë një risk të cilin ata vetë duhet ta marrin parasysh. “Riskun e marrin përsipër vetë të gjithë ata që vijnë për të ndjekur shkollën këtu. Ata do të japin provimet e detyruara të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe atje edhe do të vlerësohen. Nuk do të bëhet një testim i tillë për gjuhën shqipe”,- tha Harizaj. Javën e fundit të muajit prill do të mbyllen aplikimet, ndërsa që nga dita e martë ata të interesuarit kanë filluar të plotësojnë të dhënat individuale. Sipas Harizajt, dokumentacioni i tyre konvertohet në harkun kohor të dy javëve. “Fëmijët e emigrantëve i kanë procedurat shumë të lehtësuara. Në një kohë të shkurtër iu bëhet njehsimi i rezultateve dhe iu mundësohet të hyjnë në provim si të gjithë”,- tha ai. Dokumentacioni i nevojshëm që prindërit e këtyre fëmijëve duhet të paraqesin, duhet të jetë ai që provon lëndët që kanë studiuar me rezultatet përkatëse dhe të paraqitet pranë MASH-it për t’i njehsuar. “MASH-i iu dorëzon dokumentet e njehsuar që tregojnë se cilat janë lëndët që iu njihen dhe cili është rezultati. Në rast se nxënësi ka lëndë të pashlyera atëherë MASH-i i kërkon atij shlyerjen e këtyre lëndëve. Në rast se të gjitha lëndët janë shlyer atëherë MASH-i përcjellë një kopje të dokumentacionit në një shkollë që e përcakton vetë dhe një kopje tjetër e përcjellë pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Më pas nxënësi hyn në sistem për të vazhduar garën”,- shtoi më tej drejtori Harizaj.
burimi www.shekulli.com.al
