ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Fanfara Tirana, “dasmë shqiptare” në mes të Athinës

Tani ata po fitojnë kohën e humbur. Kur ishin të rinj, vetëm mund ta ëndërronin që të krijonin një formacion tunxhi e të luanin muzikën që pëlqenin.Asokohe tunxhet

Tani ata po fitojnë kohën e humbur. Kur ishin të rinj, vetëm mund ta ëndërronin që të krijonin një formacion tunxhi e të luanin muzikën që pëlqenin.Asokohe tunxhet

konsideroheshin si shumë “moderne”, madje guximtarët u dënuan nga regjimi komunist. Sot gjërat kanë ndryshuar. Megjithëqë “bora e thinjave” i ka zbardhur flokët, Xhemali Murra nuk e ndien moshën. Fundja, muzika nuk njeh moshë.

Në skenë, bashkë me instrumentistët e tjerë të grupit “Fanfara Tirana”, ai ndihet i gjallë. Kanë kaluar 10 vjet qëkur ky formacion u themelua. Shumica e instrumentistëve janë pjesë e Orkestrës së Forcave të Armatosura, në Ministrinë e Mbrojtjes. Luajnë muzikë ballkanase në të gjithë Europën dhe janë të vetmit në llojin e tyre në Shqipëri.

Vetëm pak ditë më parë ata ngritën peshë Athinën. Pjesëmarrja e tyre në Festivalin Europian të Xhazit ishte një përjashtim. Me këmbënguljen e gazetares shqiptare në Athinë, Bardha Mançe, “Fanfara” u bë pjesë e festivalit. Pas njëorëshit të programit, i gjithë publiku thërriste në shqip: “Tjetër, tjetër!”. “Bëmë një dasmë shqiptare në mes të Athinës”, thotë Xhemali Murra, ndërsa shpreh edhe keqardhjen se aktivitetet e këtij lloji në Shqipëri janë shumë të pakta.

Sapo jeni kthyer nga një festival i xhazit në Athinë, ku jeni pritur mjaft mirë nga publiku grek.. Na tregoni pak për këtë ngjarje…
Në Festivalin e Xhazit në Athinë, që u zhvillua nga data 23 në 28 maj, merrnin pjesë të gjitha shtetet të BE-së, vetëm një përjashtim u bë për ne. Pasi panë në internet aktivitetin tonë, u bënë kureshtarë dhe na ftuan jashtë radhe. Natën e parë e hapi një grup nga Greqia, “Big Band”, i cili ishte shumë i mirë.

Një natë më vonë ishim ne. Për probleme teknike, fonie, ishim me vonesë në orar dhe nga ora 11:00 filluam në orën 12:00. Mendoni që në orën 12:00 mbyllen gjithë metrotë e Athinës, por publiku grek dhe ai shqiptar ndenjën deri në fund. Kohën e kishim shumë të kufizuar, vetëm një orë, por arritëm të krijonim një dasmë shqiptare mu në mes të Athinës.

U pritëm shumë mirë dhe pati jehonë edhe në media. Për ne ishte e rëndësishme të flitej mirë për Shqipërinë. Mund të jesh i varfër, por jo pa kulturë dhe ne bëmë më të mirën në këtë drejtim. Një ditë më parë u pritëm nga ambasadori ynë në Athinë, i cili na ndoqi edhe në koncert.

Nëse kthehemi pas në kohë, si u krijua “Fanfara Tirana”?

Në shtator, “Fanfara Tirana” bën 10 vjet që është krijuar. Pjesa më e madhe e anëtarëve të Fanfarës bëjnë pjesë në Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura. Jemi 9 instrumentistë ushtarakë dhe pak vijnë nga institucione të tjera. Janë të gjithë profesionistë, nuk ka asnjë lloj problemi në formimin e tyre, megjithatë duhet shumë punë për të arritur nivelet në të cilat jemi.

Gjatë karrierës sonë kemi realizuar 150 koncerte në të gjithë Europën dhe kemi marrë pjesë në shumë festivale. Por, me thënë të drejtën, u ruhemi euforive. E rëndësishme për ne është që të vazhdojmë përpara. Menaxhimin tonë në Europë e bën agjencia jonë me qendër në Pesaro.
Jeni i vetmi formacion i këtij lloji në Shqipëri, por dhe më jetëgjati.

Ka një sekret?

Ky është i vetmi grup që nuk është shpërbërë, kjo sepse ne kemi disiplinë…

Ushtarake?

Jo ushtarake, por brenda për brenda nesh funksionon një lloj norme, ku të gjithë jemi të barabartë, se ne shqiptarët jemi të çuditshëm. Nëse njëri është pak më lart se ne, e kemi mendjen tek ai, jo më te puna. Askush nuk ka privilegje të veçanta. Ndoshta ky është edhe çelësi i jetëgjatësisë.

Muzika juaj ka për bazë folkun. Si e krijuat këtë profil, pse kjo zgjedhje?

Qysh në rini e kam pasur pasion muzikën popullore të interpretuar me instrumente tunxhi, por në atë kohë tunxhi shihej shtrembër nga regjimi, kurse sot edhe ne, si gjithë Ballkani, e kemi një të tillë. Unë mendova ta ngrinim një formacion brenda institucionit tonë. Bëmë një provë paraprake. Ishin 6 muaj punë intensive.

Ka ndryshuar repertori juaj me kohë?

Kjo muzikë pëlqehet shumë në Perëndim. Vit për vit evoluon mënyra e interpretimit të kësaj muzike. Nuk mbetemi në interpretimin vetëm të muzikës folk apo etnike ballkanike, por duke kaluar nga turbofolk, në xhazfolk. Sepse është edhe çështje mode… Kemi bërë dy albume. Albumi i parë ka dalë përpara 3 viteve dhe tani kemi nxjerrë edhe albumin e dytë me muzikë mikse, me një stil më të avancuar dhe më afër trendeve që qarkullojnë në Europë. Në të kundërt, mbetesh anakronik. Tendencat janë drejt muzikës xhaz, edhe pse muzika rreh te motivet ballkanike. Gjysma e repertorit është shqiptar, sepse ne duhet të ngremë vlerat e muzikës sonë. Kjo është e vetmja rrugë ku duhet ecur. Në epokën e globalizimit kultura është ajo që na dallon.

E, teksa keni një kalendar tuajin jashtë vendit, këtu ju dëgjojmë shumë pak, përse?

E vërteta është që këtu jemi shtrirë shumë pak. Kjo për shkak të problemeve financiare, por edhe infrastrukturës teknike. Megjithatë, jemi munduar të mos mungojmë. Çdo vit marrim pjesë në festivalin e bandave, që zhvillohet në Sarandë. Duhet të kemi parasysh që ne varemi nga Ministria e Mbrojtjes. Për fatin tonë të mirë, ministri i Mbrojtjes është artist dhe ai na ka ftuar shpesh në takimet që bëhen me ministrat e NATO-s. Na ka inkurajuar gjithnjë.

Mos është edhe për shkak të mungesës së kalendarëve artistikë e politikave shtetërore?

Kam vënë re në të gjithë Europën që të gjitha qytetet bregdetare turistike zhvillojnë kalendarët e tyre artistikë. Zhvillojnë festivale, me pjesëmarrjen e grupeve nga e gjithë bota duke promovuar kulturën, por duke zhvilluar ekonominë e tyre. Ndaj dhe Ministria e Kulturës duhet t’i shohë më me prioritet këto aktivitete. Ky është i vetmi grup i këtij lloji dhe do të kisha dashur të ngriheshin të tjera, por mbështetja është fare e vogël.

Ndërkaq, në rajon, formacionet e tunxhit janë traditë. Është e fortë konkurrenca në “tregun” europian?

Të gjitha vendet sllave, por edhe Gjermania, Austria e Hungaria i kanë shumë të zhvilluara formacionet e tunxhit. I kanë traditë, ashtu si kemi ne formacionet e dasmave. Madje zhvillohen edhe festivale vetëm për këto formacione. Ne jemi i vetmi në Shqipëri dhe jemi munduar të çajmë. Ndryshe nga ata, ne rrahim të gjithë muzikën etnike ballkanike, duke krijuar larmi melodike e ritmike. Suksesi ynë është që luajmë në grup dhe, kur kjo arrihet, loja është e bukur.

Duhet thënë që jeni një grup i suksesshëm. Është ky një realizim i ëndrrave të rinisë, kur shumë gjëra ishin të ndaluara?

Shkakun për formimin e këtij formacioni e kemi marrë vetëm nga kjo. Mendja të mbetet vetëm te gjërat e ndaluara. E kisha peng në rini, kur isha student, e më pas në punë, që nuk mund të luaja ç’pëlqeja, por atëherë ishte e pamundur, se të quanin revizionist, sllav etj. Prandaj dhe, pavarësisht moshës që kemi, atë ëndërr që na iku të mund ta bëjmë sot realitet dhe pak a shumë e kemi arritur.

150 koncerte në 10 vjet

Në 10 vjet jetë numërohen rreth 150 koncerte në të gjithë Europën. Drejtuesi i “Fanfara Tirana”, Xhemali Murra, ndalet në disa nga ngjarjet, të cilat kanë pasur edhe më shumë jehonë në media. Ndalet në turneun e Holandës, zhvilluar 4 vjet më parë, ku dhanë koncerte në teatrot më të mëdha holandeze, për të vijuar me një festival ndërkombëtar që u zhvillua në Budapest, më tej Festivali Botëror në Danimarkë, i ndjekur nga 50-80 mijë spektatorë, e ku merrnin pjesë grupet më të mëdha nga e gjithë bota. Një vit më parë ishin në Marok, ku zhvillohej Festivali i Ritmeve Botërore, ku dhanë 4 koncerte. Ndërsa Italia tashmë është si shtëpia e tyre. Në muajin mars dhanë dy koncerte në një nga teatrot më të mëdha të Milanos, zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të eksodit shqiptar.
Burimi: Alma Mile http://www.yllpress.com/30503/fanfara-tirana-dasme-shqiptare-ne-mes-te-athines.html

 

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top