Shqip

Edi Rama në “Shqip”: Fluksi i azilkërkuesve, pasojë e manipulimit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga  për fluksin e shqiptarëve që kërkojnë azil ekonomik, kryesisht në Gjermani.

Rudina Xhunga: Zoti Rama mirë se keni ardhur. Çfarë vizite ishte kjo e Gjermanisë?

Edi Rama: Ishte një vizitë e kombinuar pune si kryeministër në një këmbim që kemi nisur me landin e Baden Wurttemberg për disa projekte të përbashkëta dhe pastaj si artist i ftuar për të çelur një galeri në një ekspozitë shumë prestigjioze në Berlin.

Rudina Xhunga: Në të gjitha fotot vërehen takimet tuaja me gjermanë, nuk shoh shqiptarë nga ata që janë me shumicë në Gjermani dhe kërkojnë azil. Ju nuk takuat shqiptarë, nuk patët takime me shqiptarë?

Edi Rama: Kam takuar jo pak shqiptarë, por nga ata që kishin ardhur për të marrë pjesë në ekspozitë.

Rudina Xhunga: Basha sot ju quajti kryeministër turist i një popullit refugjat…

Edi Rama: Tani që po mbaron sezonin 4-vjeçar turistik si kryetar i Tiranës, është një person kompetent për të folur për turizmin.

Rudina Xhunga: Po për personat që kanë kërkuar azil në Gjermani?

Edi Rama: Së pari, le të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin dhe ta shikojmë në sy njeri-tjetrin. Lëvizja e lirë në Shqipëri, si në të gjitha vendet ku ra regjimi i vizave është shoqëruar me një fluks përpjekjesh për të shkuar dhe për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë dhe përgjithësisht në perëndim. Nuk është një fenomen shqiptar, nuk është një fenomen i ri. Po të shikojmë shifrat në rajon, sot, Serbia ka dyfishin e fluksit të lëvizjeve pas rënies së regjimit të vizave në raport me Shqipërinë. E, po t’i referohemi lëvizjeve migratore nga të gjitha vendet ish komuniste që iu bashkuan BE dhe që janë lëvizje me synim përfitimin në tregun e përbashkët të punës, bëhet fjalë për miliona. Thënë kjo, në këto javë jemi gjetur përpara një ngjarjeje pa lidhje me fluksin migrator, që është i natyrshëm për të gjitha vendet ku ka rënë regjimi i vizave. Kjo ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me një spekulim të madh. Një spekulim i madh, i bazuar apo që ka keqpërdorur një fakt. Gjermania,- dhe për këtë arsye flukset e këtyre javëve kanë qenë të drejtuara në Gjermani,- ka bërë kërkesën për 45 mijë të huaj, por ama bëhet fjalë për të huaj që zotërojnë zanate shumë specifike, që janë të nevojshme për tregun e punës në atë vend. Nuk bëhet fjalë për hapje dyersh për të mikpritur dhe për të integruar njerëz që shkojnë atje për arsye ekonomike. Për këtë arsye shanset për të shkuar në Gjermani, siç janë bërë të ditur nga pala gjermane në mënyrë të përsëritur dhe siç janë bërë edhe nga ne të qarta, janë zero. Ky manipulim me nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë që është më shumë se sa e kuptueshme dhe nuk është rezultat i qeverisjes sot në Shqipëri, nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë një arsye që njerëzit të tentojnë dhe të shkojnë atje për të kërkuar azil, sepse shanset janë zero. Kthehen më të varfër se ç’u nisën, sepse i shpenzojnë dhe ato para duke ua paguar atyre elementëve kriminalë, që synojnë të shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë.

Rudina Xhunga: A ka qeveria përgjegjësi për këta elementë kriminalë që kanë manipuluar?

Edi Rama: Padyshim janë kapur dhe janë ndëshkuar disa. Nuk bëhet fjalë në Shqipëri, siç ishte rasti në Kosovë për struktura të dukshme. Bëhet fjalë për shumë marrëdhënie të ndërmjetme individuale. Është e kotë që këtë fenomen ta lidhim me një apokalips dhe është e turpshme që këtë që po ndodh ta lidhim me qeverisjen e vendit. Fluksi është në rënie. Ka shumë më pak përpjekje dhe do të bjerë fare dhe do të rikthehemi në trendin natyral. Atëherë çfarë do të themi që u rrit ekonomia? Është speklullim kur thuhet se kjo ndodh sepse nuk ka më shpresë se njerëzit nuk kanë më të ardhme.Pra, ky është një moment tërësisht artificial.

Rudina Xhunga: Që do të ketë një moment fund, siç pati një fillim jo normal…

Edi Rama: Është drejt fundit nga pikëpamja e lëvizjes së panatyrshme flas. Kurse fluksi i lëvizjes drejt vendeve të BE dhe përpjekjet e njerëzve për të shfrytëzuar lëvizjen e lirë, pavarësisht se janë përpjekje që nuk kanë shans të përfundojnë me sukses në formën e azilit, nuk është ndalur në asnjë vend dhe nuk do të ndalet as në Shqipëri.

Rudina Xhunga: Ndiheni përgjegjës zoti Rama për njerëzit që ikën, qoftë edhe të gënjyer, të mashtruar, por ikën se nuk është puna se nuk kanë shpresë, por nuk kanë punë, nuk kanë jetë.

Edi Rama: Unë do të ndihesha përgjegjës në rast se në 18 muaj qeverisje Shqipëria nuk do të ishte duke ecur në rrugën e duhur, në rast se në 18 muaj qeverisje do të ishte duke u thelluar në rrugën e rrënimit ku ne e gjetëm, në rast se hemorragjia në të gjithë sektorët e vendit do të ishte duke vazhduar, në rast se borxhet ndaj kompanive do të ishin duke u thelluar, në rast se borxhi publik do të ishte duke u thelluar, në rast se ilaçet në spitale do të vazhdonin të mungonin dhe në rast se gjithashtu kërbaçi ndaj kompanive do të vazhdonte për t’u marrë përmes gjobave abuzive paratë e fundit nga xhepi, në rast se punësimi do të ishte në rënie, në rast se të ardhurat do të ishin në rënie, në rast se sot të kishim kolapsin energjetik, dhe praktikisht do të kishim falimentin e sektorit energjetik dhe në rast se sot të kishim ende në të anët e Shqipërisë ndërtime pa leje që do të vazhdonin për qefin e tyre dhe në rast se do të kishim në një vit të vetëm mbi 10 mijë legalizime dhe falas për ata që presin të legalizohen prej 20 vitesh, në raport me 8 vite e qeverisë së mëparshme. Pra, në rast se do të ishim në kushtet kur pavarësisht ndryshimit të qeverisë do të ishte duke vazhduar hemorragjia në të gjithë sektorët, Shqipëria do ishte duke vazhduar të ecte në drejtimin e gabuar, atëherë po unë do të ndihesha përgjegjës.

Rudina Xhunga: Zoti Rama, për të njëjtën Shqipëri flisni dhe ju dhe këta njerëz që ikin në Gjermani? Ata kanë probleme punësimi..

Edi Rama: Kush e tha dhe kush e pretendoi që Shqipëria mbas 18 muaj nuk do të kishte probleme punësimi. Kush e tha dhe kush e pretendoi se në 18 muaj një qeveri mund t’i kthente vendet më të varfra të vendit në zona të shpresës dhe në zona ku njerëzit nuk do të donin të largoheshin, sepse papritur puna i kishte rënën nga qielli. Kush e tha që varfëria kjo plagë e tmerrshme e hapur në 20 e kusur vite, batërdi e shkallmim të të gjithë themeleve të shtetit, do të zhdukej brenda 18 muajve?

Rudina Xhunga: Çfarë do të ndodhte në këto 18 muaj që do t’i mbante këtu?

Edi Rama: Ajo që duhet të ndodhte në 18 muaj po ndodh; Që vendi të merrte kthesën siç e ka marrë në drejtimin e duhur; që hemorragjia në sektorët e ndryshëm të ndalojë dhe që të fillonte periudha e një operimi të shëndetshëm. Jemi akoma në fazën e një operimi. Nuk mundet dot që në një sallë operatore t’i thuash trupës që operon pse nuk po vrapon personi që është i shtrirë këtu dhe ç’është ky bark i hapur? Sepse, Shqipëria, pas njëzet e kusur vitesh rrumpallë ka nevojë të bëjë shtetin. Shteti nuk mund të ndërtohet në 18 muaj. Korrupsioni nuk mund të zhduket në 18 muaj, varfëria jo e jo, papunësia padyshim që jo e kështu me radhë. Të mos harrojmë që nuk jemi duke qeverisur në një periudhë lumturie europiane, nuk jemi duke qeverisur në kushtet kur në vendet fqinje shqiptarët jetojnë normalisht me punën e tyre dhe vazhdojnë e çojnë para në shtëpi, sepse si shqiptarët e Greqisë dhe si shqiptarët e Italisë që janë burimet kryesore për vendin tonë sot janë shumë në hall dhe janë po aq në hall, në shumë raste, sa shqiptarët këtu për jetën e tyre. Ndaj, këto janë spekulime njerëzish që nuk duan t’ia dinë fare për të vërtetën dhe mbi të gjitha njerëzish që nuk kanë haberin fare të punës dhe shtetndërtimit.

Burimi www.top-channel.tv

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top